Procesi zgjedhor është kontaminuar me vjedhje masive! Kujt po i frikësohet prokuroria?

10 mars 2025 | 11:22

Shkruan: Astrit Gashi

Manipulimi i zgjedhjeve nuk është më vetëm një përplasje mes partive kundërshtare, por një luftë e brendshme brenda vetë partive, ku fraksione të ndryshme përpiqen të eliminojnë njëra tjetrën duke keqpërdorur procesin zgjedhor. Ky fenomen tregon qartë se partitë politike nuk kanë prioritet vullnetin e qytetarëve, por ruajtjen dhe zgjerimin e pushtetit me çdo kusht.
Në një sistem ku komisionerët zgjedhorë janë të kapur nga partitë, vullneti i votuesve dëmtohet drejtpërdrejt dhe zgjedhjet e humbasin legjitimitetin e tyre. Ky nuk është një problem i ri në Kosovë, vetëm sa është sofistikuar në aspektin teknik të numërimit dhe evidentimit të votës para kamerave nga komisionerët partiakë. Por fakti që vazhdon të ndodhë pas disa cikleve zgjedhore tregon ose mungesën e vullnetit politik për ta ndaluar, ose mungesën e kapaciteteve të institucioneve të drejtësisë për të ndërhyrë. Nëse këto institucione nuk arrijnë të ndëshkojnë manipuluesit e zgjedhjeve, atëherë vendi rrezikon të humbasë edhe atë pak besim që i ka mbetur në proceset demokratike.
Një nga aspektet më shqetësuese është heshtja e PDK-së, e cila ngre dyshime të forta mbi përfshirjen e saj në manipulimet zgjedhore. Nëse kjo parti nuk denoncon manipulimet, atëherë ekzistojnë dy mundësi ose është vetë e përfshirë në vjedhje votash, sidomos në kuadër të luftës së brendshme për dominim, ose ka frikë nga përhapja e skandalit, që mund të dëmtojë imazhin e saj më shumë sesa të kundërshtarëve politikë. Kur dihet se manipulimi i VV-së në konsullata është i dukshëm, atëherë manipulimi i zgjedhjeve është bërë një praktikë e zakonshme brenda partive. Kjo sjell një problem edhe më të madh: deputetët që dalin nga ky sistem nuk janë përfaqësues të qytetarëve, por produkte të manipulimeve të brendshme partiake. Kjo minon themelet e demokracisë dhe e kthen sistemin politik në një arenë ku vendosin interesa të ngushta dhe jo vota e popullit.
Manipulimet zgjedhore nuk janë vetëm teori ato janë vërtetuar tashmë. Rasti i Vushtrrisë, ku një deputete e LDK-së pati guximin të denoncojë problemin, është një dëshmi e qartë se kjo ka ndodhur kudo. Kur ka raste konkrete të vjedhjeve masive të votave, zgjedhjet nuk mund të konsiderohen të lira dhe të ndershme. Prandaj, i gjithë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, por me reforma rrënjësore në sistemin zgjedhor.
Reformat janë të domosdoshme për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme. Pastrimi i komisioneve zgjedhore nga militantët partiakë, ndëshkimi i manipuluesve, krijimi i listave të reja të kandidatëve dhe digjitalizimi i procesit të numërimit të votave janë hapa kyç për të rikthyer besimin në demokraci. Nëse këto masa nuk ndërmerren, atëherë edhe zgjedhjet e ardhshme do të jenë vetëm një përsëritje e manipulimeve të kaluara, dhe qytetarët do të vazhdojnë të legjitimojnë me votën e tyre ata që kanë vjedhur më shumë.
Nëse Kosova nuk i adreson këto probleme në mënyrë serioze, atëherë e ardhmja politike e vendit do të mbetet peng i manipulimeve dhe interesave të ngushta partiake. Zgjedhjet e reja duhet të jenë të shoqëruara me reforma rrënjësore sa i përket mënyrës së votimit, numërimit dhe jo një shfaqje e dobët teatrale numërim para kamerave dhe evidentim në kompjuter nga komisionerët partiakë, të cilët e kanë tjetërsuar votën në secilin vendvotim.
Në këtë situatë, Kosova nuk ka një sistem të mirëfilltë demokratik, ku procesi zgjedhor është dëmtuar nga vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili ka dështuar totalisht në secilin aspekt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka takuar Këshillin…