Prodhimi industrial në BE shënoi rënie me 8 për qind në vitin 2020
Prodhimi industrial në Bashkimin Evropian (BE) u ul me 8 për qind në vitin 2020 krahasuar me vitin e kaluar për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri.
Prodhimi industrial në Bashkimin Evropian (BE) u ul me 8 për qind në vitin 2020 krahasuar me vitin e mëparshëm për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra Evropiane e Statistikave (Eurostat) publikoi të dhënat e prodhimit industrial të rregulluar sezonalisht për muajin dhjetor 2020 në BE dhe Eurozonë.
Sipas të dhënave, prodhimi industrial në Eurozonën me 19 anëtarë u ul me 1,6 për qind në dhjetor krahasuar me nëntorin dhe me 0,8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjithashtu, prodhimi industrial në BE u ul me 1,2 për qind në dhjetor krahasuar me muajin nëntor dhe 0,4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Nga ana tjetër, krahasuar me një vit më parë, mesatarja e prodhimit industrial të vitit 2020 u ul me 8 për qind në BE dhe 8,7 për qind në Eurozonë.
Midis vendeve të BE-së, rritjet më të larta mujore të prodhimit industrial në dhjetor u regjistruan në Danimarkë me 2,4 për qind, Portugali me 1,8 për qind dhe Luksemburg dhe Estoni me 1,6 për qind.
Ndërkaq, rënia më e lartë në prodhimin industrial në dhjetor u regjistrua në Hungari me 2,5 për qind, Belgjikë me 1,9 për qind dhe në Finlandë me 0,9 për qind.