Prodhimtaria vendore, nën hijen e importit
Dogana e Kosovës gjatë periudhës janar-mars të këtij viti ka shënuar rritje të të hyrave për 2 për qind apo 4.1 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.
Po ashtu, edhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) gjatë tremujorit të parë të këtij viti ka shënuar rritje për 13.3 për qind apo 12.7 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.
Ndonëse për buxhetin e shtetit tejkalimi i projeksioneve buxhetore sa iu përket të hyrave nga ana e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganës së Kosovës për tre muajt e parë të këtij viti në shikim të parë duket lajm pozitiv për komunitetin e biznesit në Kosovë, ky lajm nuk është mirëpritur, për faktin se tregon rritje të importeve dhe pamundësisë së prodhimtarisë vendore.
Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se është shqetësues rritja e të hyrave në Doganën e Kosovës për arsye se kemi të bëjmë me eksportim të parasë së gatshme. Ai ka apeluar që Kosova ta ketë një qeverisje pro ekonomike në mënyrë që të gjejë alternativa për balancim të importit dhe eksportit.
“Është shqetësuese që edhe më tutje indikatorë të grumbullimit të të hyrave për Qeverinë e Kosovës janë Dogana dhe ATK-ja. Pra, është shqetësues fakti se kemi rritje të të hyrave në Doganë që nënkupton orientimet bazike në tregti. Kështu që, Kosova edhe më tutje është duke vazhduar avazin e eksportit të parasë së gatshme. Tani është koha kur duhet të gjenden format alternative që ky bilanc të jetë në favor të zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës dhe në favor të përmirësimit të imazhit”, ka thënë Gërxhaliu, duke shtuar se nëse vazhdohet kështu, shoqëria e Kosovës edhe më tutje do të jetë e varur nga importi.
“Një shoqëri që është e varur nga tregtia dhe importi, ardhmërinë e vet e ka të dobët”, ka thënë ai. Gërxhaliu ka theksuar se tani është koha për një orientim pro zhvillimit ekonomik. “Duhet të jemi të orientuar kah sektori privat dhe ai prodhues. Këta sektorë duhet ta kenë vëmendjen e merituar”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Ai ka theksuar se vetëm në kampanja të fushatave zgjedhore ka premtime, pastaj ato as nuk realizohen.
Gërxhaliu ka pohuar se nuk mjafton në këtë drejtim vetëm mbështetja nga Ministria e Financave. Sipas tij, sot për çështje ekonomike kemi gjashtë dikastere në kuadër të institucioneve të vendit. “Duhet të ndodhë një koordinim më i mirë i aktiviteteve, qoftë promovuese apo mbështetëse. Mbi të gjitha, duhet një diplomaci ekonomike aktive e cila do të krijojë mundësi të hapjes së produkteve ‘Made in Kosova’. Nga këndvështrimi ynë si Odë Ekonomike është shqetësuese jo vetëm situata aktuale në Kosovë, por edhe avancimi dhe rritja e eksporteve në vendet e rajonit”, ka thënë kreu i OEK-ut, Safet Gërxhaliu.
Edhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se tejkalimi i të hyrave sa i përket Doganës së Kosovës nënkupton import më të lartë. “Tejkalimi i planit nga ana e Doganës nënkupton që Kosova në tre muajt e shkuar ka pasur shumë më shumë import sesa eksport. Kjo do të thotë se janë nxjerrë shumë më shumë para jashtë Kosovës sesa vitin e kaluar”, është shprehur Mulaj.
Ndërsa sa i përket ATK-së, ai ka theksuar se ka pasur një iniciativë të zvogëlimit të informalitetit. “Ka pasur mundësi për të pasur të ardhura më shumë. Edhe sipas ASK-së, eksportet kanë rënë dhe prodhimi është më i vogël. Gjithashtu, kemi edhe çmim të energjisë më të lartë”, ka thënë Mulaj.
Ai ka shtuar se efektet e pakos fiskale nuk mund të vërehen menjëherë.
“Duhet kohë për t’u vërejtur efektet e pakos fiskale. Aftësia prodhuese në Kosovë është e vogël dhe nuk mund të kemi efekte të menjëhershme të pakos fiskale”, është shprehur Mulaj, duke shtuar se reformat fiskale nuk janë të vetmet që krijojnë ambient prodhues në Kosovë. “Janë dhe një sërë faktorësh të tjerë që ndikojnë në ambientin prodhues, si: energjia, sundimi i rendit dhe ligjit si dhe mundësitë për aftësi konkurruese”, ka thënë Mulaj.
Pronari i fabrikës së përpunimit të mishit “Meka”, Burim Piraj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se rritja e importit nuk do të thotë se ka rënie të prodhimit të brendshëm.
“Ka shumë pak lëndë të parë që prodhohet kryekëput në Kosovë. Prodhimi primar në Kosovë ka pësuar më së shumti dhe është një nga degët industriale me të cilën duhet të merren më së shumti institucionet vendore. Në fakt, ka pasur shumë grante për prodhimin primar në bujqësi, sidomos për ta fuqizuar prodhimin vendor të lëndës së parë, mirëpo unë mendoj se mënyra e dhënies së granteve ka qenë e gabuar dhe nuk i ka dhënë rezultatet e pritura. Thënë më shkurt, nuk duhet subvencionuar toka që ka në pronësi bujku, por duhet të subvencionohet sasia e produktit për kilogram ashtu siç aplikohet në pothuajse të gjitha vendet e rajonit. Duke u nisur nga ky aspekt, importi më i madh mund të nënkuptojë edhe rritje të përpunimit në vendin tonë”, është shprehur Piraj.
Sipas tij, nëse të dhënat nga Dogana dhe ATK-ja tregojnë se e kanë tejkaluar projeksionin e të hyrave, është një tregues shumë i mirë makroekonomik i cili na jep shpresë për ditë më të mira.
“Këtë vit Dogana ka liruar një pjesë të lëndës së parë nga taksa doganore, mirëpo ka edhe lirim nga taksa të pothuajse të gjitha produkteve që importohen nga Unioni Evropian për në Kosovë, gjë që ka ndikim të drejtpërdrejtë në të hyrat buxhetore. Nëse edhe përkundër kësaj kemi rritje, atëherë mendoj se kjo do të ketë ndikim shumë pozitiv në veprimtarinë prodhuese në vend”, ka deklaruar Piraj.
(Albulena S. MAVRAJ)