Prodhohet qepa që nuk shkakton lotim dhe erë të keqe të gojës
Nëse keni përgatitur ndonjëherë qepë në kuzhinë, atëherë e dini se kjo është një nga punët më të vështira të kuzhinës. Të gjithë kuzhinierët pajtohen për një gjë, dhe kjo është se sytë çdo herë lotojnë kur presin qepë, dhe përveç bartjes së syzeve mbrojtëse, deri më tani nuk ka pasur zgjidhje adekuate.
Megjithatë, shkencëtarët dhe fermerët nga Shtetet e Bashkuara kanë dalë me zgjidhje për këtë problem, i cili për dekada të tëra po i mundon kuzhinierët dhe me forca të përbashkëta e kanë prodhuar një qepë e cila nuk shkakton lot, përcjell Washington Post, transmeton koha.net.
Produkti i ri është quajtur Sunion dhe është rezultat i një gërshetimi natyral të disa lloje të qepëve, në të cilin shkencëtarët kanë punuar në fermat në Nevada dhe Washington që nga viti 1980.
Krijuesit e perimes së re theksojnë se konsumatorët nuk duhet të shqetësohen për cilësinë e saj, sepse kjo bimë i përmban të gjitha shijet, si qepët e zakonshme, përveç se nuk shkakton lot gjatë përgatitjes dhe është eliminuar era e pakëndshme e cila mbetet pas konsumimit të qepës së zakonshme.
Tek prerja e qepës së zakonshme lirohen enzimet, të cilat e prodhojnë gazin sin-propantial-S-oksid. Kur arrin te sytë prodhohet acidi i butë sulfurik, i cili shkakton djegie. Derisa mbaresat nervore e njohin një reagim të tillë si rrezik, trurit i dërgohet sinjali nga i cili rrjedhin lotët mbrojtës. Ajo që është interesante është se nga qepa e zakonshme këto substanca bëhen më të forta nëse qepa është ruajtur më gjatë, ndërsa edhe kuzhinierët pajtohen me këtë të dhënë.
Te produkti i ri, qepa Sunion, ky fenomen është neutralizuar krejtësisht dhe sa më gjatë që qëndron e ruajtur, efekti i lotëve në sy është gjithnjë e më i vogël.
Sunion tashmë gjendet në tregun amerikan, dhe janë konfirmuar deklaratat e shkencëtarëve që ajo nuk shkakton lot dhe nuk lë erë të pakëndshme në gojë, ndërkohë që ka ruajtur të njëjtën shije. Disa prej tyre vunë në dukje se ajo ishte aq e shijshme sa që mund të konsumohej si kokoshka, transmeton koha.net.
Për fat të keq, për dashamirësit e tjerë të këtij ushqimi të shëndetshëm, qepa e re Sunion aktualisht mund të blihet vetëm në Nevada dhe Washington. Prodhuesit e këtij produkti kanë vënë në dukje se janë duke u bërë përpjekje të mëdha që produkti i ri të plasohet në raftet e supermarketeve anembanë botës.