Prodhuesit kërkojnë që qeveria ta rishikojë vendimin për ndalesën e eksporteve të produkteve esenciale

08 shtator 2022 | 15:41

Më 13 shtator bëhen pesë muaj kur Qeveria e Kosovës me anë të një vendimi ka kërkuar që të ndalohen përkohësisht për eksport disa nga produktet themelore agro-ushqimore.

Në mbledhjen e 69 të qeverisë, kryeministri Albin Kurti pati thënë se ky vendim po merret në një situatë kur është vështirësuar zinxhiri i furnizimit, i ndikuar nga invazioni dhe agresioni ushtarak rus në Ukrainë.

“Invazioni dhe agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka ndikuar në zinxhirin e furnizimit me produkte ushqimore në Evropë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me institucionet përkatëse dhe aktorët në treg ka përcjellë rritjet e çmimeve të produkteve në vend dhe evidencën e eksporteve të mallrave. Sot MINT ka sjellë vendimin që ndalon eksportin dhe rieksportin disa produkte agro-ushqimore”, kishte thënë Kurti.

Ndërsa ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka theksuar se eksporti apo rieksporti i këtyre produkteve mund ta rrezikojë furnizimin e qytetarëve në vend.

“Eksporti dhe rieksporti i mallrave, sado i vogël që është, mund ta rrezikojë furnizimin e popullatës sonë në të ardhmen. Në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe duke i përcjellë eksportet në baza ditore, për ta lehtësuar gjendjen, propozojmë që të bëhet ndalimi i përkohshëm i disa produkteve themelore. Vendimi mbështetet në Ligjin për Tregtinë e Jashtme dhe atë të Brendshme. Ndalohet eksporti apo rieksporti i drithërave, miellit, vajit ushqimor, sheqerit dhe kripërave”, ka deklaruar Hajdari.

Përfaqësuesit e biznesit në Kosovë këtë vendim e kanë quajtur të stërzgjatur, duke kërkuar nga qeveria Kurti të rishikohet kjo masë.

Kryetari i Bordit të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Berat Mustafa, në një intervistë për “Telegrafi”-n ka theksuar se vazhdimi i kësaj mase po i rrezikon bizneset në humbjen e tregut. “Ne kemi qenë dakord me qeverinë në fillim të prillit, ku ishte një panik në popull, në regjion e në Evropë që të merren disa masa për një kohë të caktuar që të mbrohen konsumatorët e që largohet paniku për produktet esenciale. Nuk jemi të pajtimit me ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdari, që këto masa të zgjasin pesë muaj, pra janë masa të stërzgjatura, ku prodhuesit tonë që atë treg që e kanë pasur me rastin e eksportit kanë filluar ta humbin”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, Kosova ka mbetur i vetmi vend në rajon që vazhdon t’i ketë këto masa. “Nga informatat që i kemi, disa prodhues që t’i plotësojnë kontratat, po punojnë me rajonin për përpunimin e këtyre produkteve, e kurse prodhuesit vendorë duhet të rrinë e të presin. Jemi i vetmi shtet në rajon e Evropë që kemi mbetur për këto ndalesa të produkteve. Derisa Ukraina e Rusia po luftojnë, asnjëherë nuk i kanë ndalur eksportet e produkteve esenciale. Një vend që jemi stabil e që kemi një ekonomi stabile, e një zhvillim të konsiderueshëm, pse duhet t’i kemi këto masa”, ka shtuar Mustafa.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga ora 18:45, Ballkani do ta zhvillojë ndeshjen historike në…