Produktet organike të Kosovës në tregjet evropiane
Rreth 95 për qind e produkteve organike, të cilat grumbullohen dhe kultivohen në Kosovë, gjejnë vend në tregun evropian.
Pronari i një kompanie në Istog ka thënë se kërkesat për to janë shumë më të mëdha në vendet evropiane sesa në Kosovë.
“Mesatarisht, në vit, në tregun evropian eksportojmë produkte organike në vlerë prej rreth pesë milionë eurosh, ndërkaq në tregun e brendshëm shitja nuk arrin vlerën e 150 mijë eurove”, ka thënë Halit Avdijaj për “Radion Evropa e Lirë”.
Avdijaj ka theksuar se vazhdimisht punojnë që produktet e tyre organike t’i fusin edhe në tregun vendës, që, siç ka thënë ai, edhe popullata e Kosovës të përfitojë nga dobitë e tyre, por, kërkesat, sipas tij, janë ende të ulëta.
Kompania e Avdijajt, që kultivon dhe grumbullon produkte organike, eksporton në Gjermani, Zvicër, Austri, Çeki, Bullgari, Francë dhe në Britaninë e Madhe.
Ndërsa dy vjet më parë, ajo ka filluar eksportin edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, ka treguar Avdijaj.
Në kompaninë e Avdijajt kultivohen 32 produkte organike, si kamomili dhe menta, dhe grumbullohen 72 produkte të tjera, siç janë aguliçet, lulja e shtogut, frutat e boronicës dhe të kaçës.
Në vitin 2022, Kosova ka eksportuar në tregun evropian produkte organike me vlerë prej 15 milionë eurosh, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë.
Që një produkt nga Kosova të arrijë tregun ndërkombëtar, kompania duhet jetë e certifikuar si kompani organike. Certifikimet e produkteve organike në Kosovë bëhen nga organe certifikuese ndërkombëtare.
Avdijaj ka thënë se për të certifikuar një produkt organik kërkohen kritere të shumta.
“Për të filluar një kultivim organik, fillimisht toka duhet të jetë e patrajtuar së paku gjatë pesë vjetëve të fundit. Pastaj, nuk duhet të ketë në kufi ndonjë element ndotjeje. Janë shumë kritere dhe shumë vështirësi, dhe kërkohet punë mekanike”, ka treguar ai.
Rreth 50 kompani organike në Kosovë
Produktet organike prodhohen pa përdorimin e plehrave sintetike, hormoneve shtazore, aditivëve të dëmshëm dhe substancave toksike.
Këto prodhime nuk i ekspozohen rrezatimit dhe nuk përmbajnë mbetje të antibiotikëve dhe barërave veterinare.
Produktet organike identifikohen përmes logos, që e garanton integritetin e tyre organik.
Drejtori i shoqatës “Organika”, Fatmir Nagavci, ka thënë për “REL”-in se numri i kompanive të certifikuara si organike në Kosovë është rritur nga viti në vit, dhe se pothuajse të gjitha këto kompani i eksportojnë produktet e tyre në vendet evropiane.
“Në vitin 2016, në Kosovë kanë qenë vetëm dy kompani të certifikuara për produkte organike. Vitin e kaluar, numri i tyre ka arritur në afër 50 sosh”, ka treguar Nagavci.
Sipas inventarizimit të grumbullimit të produkteve pyjore jodrunore, të përpiluar nga Departamenti i Botanikës i Fakultetit të Matematikës dhe Shkencave Natyrore të Universitetit të Prishtinës, Kosova ka potencial për të grumbulluar së paku 29 mijë tonelata produkte të tilla.
Inventarizimi tregon se 85 produkte të tilla kanë potencial ekonomik, dhe kontribuojnë në gjenerimin e të ardhurave dhe mirëqenien ekonomike të familjeve që jetojnë në zonat rurale.
Por, ky potencial ekonomik, sipas shoqatës “Organika”, nuk shfrytëzohet.
“Nga 29 mijë tonelata, sa është potenciali i grumbullimit të këtyre produkteve, vitin e kaluar janë grumbulluar vetëm rreth 3.500 tonelata”, ka thënë Nagavci.
Kosova i ka të gjitha kushtet për prodhimin e produkteve organike, ka thënë Fadil Millaku, doktor i Shkencave të Biologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Por, fermerët, sipas tij, janë të dekurajuar që të pajisen me certifikata, për shkak të procedurave të shumta që kërkohen për certifikimin e një produkti organik.
“Potencial ka dhe përfitimet janë të mira, sepse të gjitha këto prodhime kanë treg të sigurt. Evropa dhe shtetet tjera të zhvilluara, çdo herë e më shumë po kërkojnë produkte organike që janë të shëndetshme”, ka thënë Millaku për “Radion Evropa e Lirë”.
Sipas një raporti mbi bujqësinë organike në Kosovë, të vitit 2022, të përpiluar nga Qendra Ndërkombëtare për Bujqësinë Organike është thënë se “Kosova ka kushte të përshtatshme klimatike dhe tokësore për prodhime organike dhe se sektori organik është më premtues në Kosovë”.
“Disponueshmëria e tokës së pastër ofron një bazë të mirë për zgjerimin e sipërfaqeve të kultivuara me prodhime organike”, është thënë në raport.