Produktiviteti i vizitës së kryeministrit Kurti në ShBA vlerësohet i zbehtë

22 maj 2022 | 13:18

Që nga 6 maji ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), mirëpo produktiviteti i vizitës së kryeministrit Albin Kurti është duke u vlerësuar i zbehtë.

Gjashtëmbëdhjetë ditëshi i kreut qeveritar në ShBA, nga opozita është parë si vizitë studimore dhe pa takime me zyrtarë të lartë amerikanë, ndërsa në shoqërinë civile kërkojë rezultate konkrete nga ky qëndrim maratonik në shtetin aleat të Kosovës.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë për “Kosovapress”, se është e paprecedentë që një kryeministër t’ia jap luksin vetës që të qëndrojë kaq gjatë në ShBA.

Duke e konsideruar si joefikase vizitën e tillë, ajo edhe ka ironizuar me kryeministrin Kurti, për siç ka thënë pëlqimin e tij për shtetin amerikan.

“Vizita e kryeministrit Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më shumë pak përjashtime ka qenë e zbehtë dhe më shumë ka ngjasuar një vizitë studimore, se sa një vizitë zyrtare të një kryeministri. Është e paprecedent që një kryeministër në detyrë t’ia jep luksin vetvetes që të qëndrojë në ShBA një kohë të gjatë për të eksploruar dhe realizuar, po e citojë deputetin e LV-së, ‘ëndrrat e veta’. Kryeministri duhet të ketë agjendë të saktë, konkrete dhe zyrtare. Megjithatë, mua sigurisht më vjen mirë që kryeministrit po i pëlqen Amerika, mirëpo atë mund të vizitosh edhe për pushime. Kryeministri është në detyrë dhe ai duhet të jetë në Kosovë tani”, ka thënë Çitaku.

Nga ana tjetër, Arbër Fetahu, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë për “Kosovapress”, se vizitat e krerëve institucional në ShBA janë të mirëseardhura, mirëpo duhet edhe rezultate konkrete.

“Gjithmonë kur ka vizita të nivelit të lartë edhe në vende që kanë rëndësi të veçantë në sistemin ndërkombëtar duhet të trajtohen me një lloj pozitiviteti dhe janë të rëndësishme për politikën e jashtme të Kosovës. Pasi edhe mungesa e vizitave dhe lidhjeve të marrëveshjeve bilaterale, apo multilaterale e ka shkaktuar një ngecje në politikën e jashtme kosovare. Sidoqoftë nëse këto takime nuk kanë ndonjë efekt, apo rezultat edhe vet arsyeja apo efektiviteti i tyre është i zbehtë. Prandaj duhet të shohim se këto nisma, takime dhe vizita që janë bërë, jo pak nga liderët kryesor të shtetit do të ketë ndonjë efekt në praktik me ndonjë rezultat siç është ndonjë arritje e marrëveshjeve ekonomike, kulturore, politike, apo fuqizim të pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Fetahu.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramsush Haradinaj ditë më parë e ka quajtur vizitën e Kurtit si joefektive.

Lidhur me efikasitetin e vizitës së kryeministrit Albin Kurti në ShBA,  Kosovapress  ka pyetur edhe në Qeverinë e Kosovës, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Që nga marrja e mandatit si kryeministër, kjo është vizita e parë zyrtare e Kurtit në ShBA.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, ka thënë të…