Prof. dr. Eqrem Zenelaj nderon Arkivin e Kosovës dhe drejtorin e saj Ramë Manaj
Profesori dhe hulumtuesi i 22 arkivave të Evropës, Eqrem Zenelaj, ka vizituar të enjten Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (AShAK), ku është pritur nga drejtori i kësaj agjencie, Ramë Manaj, me bashkëpunëtorë.
Profesor Zenelaj në këtë vizitë ka qenë i shoqëruar nga ish-prorektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, aktualisht prodekan i Fakultetit të Filozofisë, profesor i Historisë së Mesjetës, Muhamet Mala, dhe drejtori i gazetës së përditshme “Epoka e re”, Sadik Zeqiri.
Profesor Zenelaj gjatë kësaj vizite Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës ia dhuroi 133 gravura të figurave të ndryshme kombëtare historike dhe figura të familjeve aristokrate shqiptare.
Motivacioni i dhurimit të këtyre portreteve këtij institucioni është që të përkujtohet 2 Korriku i vitit 1990 i shpalljes së Deklaratës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe për nder të vitit të pensionimit të drejtorit të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj, i cili gjatë luftës së fundit dha shumë familjarë të tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në këtë takim u bë me dije se do të organizohet edhe një ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës.
Profesor Zenelaj ka thënë se gjatë muajit korrik Arkivi Shtetëror do të bëhet me një ekspozitë madhështore, pikërisht më 2 korrik. “Në këto portrete janë gravura e Skënderbeut, Gjergj Dhimitri, Papati, Gjika, Karl Gega, i cili është personi i parë që i ka projektuar hekurudhat në Austri. Po ashtu, është dinastia e Mehmet Aliut në Egjipt, dinastia e Ali Pashë Tepelenës, Aleksandër Moisiut dhe figurave të tjera madhore kombëtare”, ka thënë Zenelaj.
Në emër të Arkivave të Kosovës, drejtori Ramë Manaj ka falënderuar profesor Zenelaj për punën e tij dhe angazhimin e një hulumtuesi dhe studiuesi të palodhur.
Manaj ka shtuar se këto dokumente do ta pasurojnë Arkivin pasi, sipas tij, konsiderohen një thesar me vlerë të madhe për historinë e Kosovës dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.
Manaj ka inkurajuar edhe të tjerët që ta ndjekin rrugën e profesor Eqrem Zenelajt, që dokumentet me rëndësi kombëtare t’i sjellin për t’u ruajtur në shtëpinë e Arkivit të Kosovës.