
PROF. SAMI REPISHTI DHE IDEALET E INSTITUTIT ALB-SHKENCA
Në njëqind vjetorin e prof. Sami Repishtit: 6 prill 1925 – 6 prill 2025
Shkruan: Emil Lafe
Më 6 prill bota intelektuale shqiptare, të afërmit dhe miqtë e tij të shumtë do t’i shprehnin prof. Sami Repishtit urimet e zemrës dhe admirimin e çiltër me rastin e 100-vjetorit lindjes. Mjerisht ai u nda nga jeta para katër muajsh, më 27 nëntor 2024, në prag të këtij jubileu. Sami Repishti lindi në Shkodër më 6 prill 1925. Atje ndoqi gjimnazin e shtetit dhe më 1942 kreu maturën. Po atë vit fitoi konkursin e Ministrisë së Arsimit për bursë në Itali. Studioi një vit për histori në Universitetin e Firences. Në verën e vitit 1943, ndodhej me pushime pranë familjes, u bastis shtëpia e tij, sepse i ati kishte strehuar një nipin e vet me ide komuniste. Pas vdekjes së të atit nga dhuna fizike e milicëve, i mbeti barra e familjes, ndonëse fort i ri, dhe u detyrua të ndërpresë studimet e të punojë.
Dihet se Shkodra ka qenë porta kryesore nga depërtuan idetë komuniste në Shqipëri, sidomos në rrethet e rinisë së gjimnazit. Edhe gjimnazisti S. Repishti jetonte në atë atmosferë të shoqërisë së gjimnazit. Në një letër (17.02.2018) më ka shkruar për takimin e tij me Qemal Stafën (ishte pesë vjet më i vogël se ai): “E kam takue vetëm nji herë, kur erdhi në Shkodër (shkurt 1942) e unë ishe student gjimnazi. Ai përpiqej me organizue rininë komuniste në Shkodër. Disa shokë të mi me tendenca komuniste më mbajshin afër, sepse kishin mësue që babai i im – deputet fanolist – ishte dënue me vdekje në mungesë nga Zogu në 1925, dhe kështu unë ishe material i mirë për Lëvizjen. Unë e kundërshtova që në fillim Qemalin tue i thanë se “unë nuk jam komunist!” Ai më dha lejen me u largue nga mbledhja. Por nuk më harrohet energjia e tij, guximi dhe vendosmenia e ti me krijue nji shoqëni të re… Vdekja e ti ka qenë nji humbje e randë dhe aksidentale. Në burg kam takue kapterin e policisë që ka qenë prezent kur ashtë zbulue – aksidentalisht – ndërtesa ku ai strehohej, dhe ashtë largue nga frika se ishte zbulue. Gjatë ikjes e kanë vra. Mëkat!” Si atdhetar dhe antifashist S. Repishti vërente me dëshpërim zvetënimin moral që kishte sjellë pushtimi te një pjesë e të rinjve e të rejave të qytetit të tij, që kishin humbur orientimin në jetë dhe “… ishin dalldisë mbas jetës së luksit të siguruem nga fitimet e mëdha në tregti e spekullimet e ndryshme. Shkujdesja e pabesueshme ishte ba normë për shumë bashkëqytetarë, që nuk dëshirojshin me dijtë për asgja, veç dëfrimeve të jetës së tyne të shthurun…”
I edukuar me ideale demokratike, S. Repishti i ri nuk u pajtua më pas me veprimet shtypëse e ndrydhëse të pushtetit të ri të udhëhequr nga Partia Komuniste. Me guxim rinor themeloi me disa shokë një organizatë të rinisë demokratike. Në tetor 1946 u arrestua me akuzën “Për agjitacion e propagandë”. Pas dhjetë vjetësh burgimi, u lirua më 1956 dhe punoi si punëtor në detyra të ndryshme. Për jetën në burg dhe në kampet e punës ka folur në librin “Pika loti” (1997, ribotim 2009). Në këtë libër tregon edhe për familjen, ku mori një e edukatë atdhetare e qytetare të shëndoshë. Gjyshi i tij kishte nënshkruar në Shkodër memorandumin e 13 qershorit 1878 të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndërsa i ati kishte luftuar për mbrojtjen e qytetit nga ushtria malazeze si komandant vullnetarësh (1912–1913) dhe më pas qe zgjedhur deputet në parlamentin shqiptar (1923–1924).
I mbikëqyrur dhe i rrethuar me një atmosferë mbytëse, u arratis në Jugosllavi më 1959 e më pas në Itali. Ia doli më në fund të shkojë në SHBA (1962). U afrua me federatën “Vatra” dhe plotësoi formimin e tij universitar. Më 1977 mori gradën “Doktor” dhe ndoqi karrierën shkencore në Universitetin Adelphi të shtetit të Nju-Jorkut e në disa kolegje, ku dha mësim për njëzet e pesë vjet.
Në fjalën që mbajti kur iu festua 90-vjetori i lindjes, prof. S. Repishti tha ndër të tjera: “Unë kam jetue në Shqipëri, nji vend që ka vuejtë shumë dhe që ka pasë shumë trazime, nji vend ku jeta e njeriut ka kushtue pak. Aty ka fillue interesimi im kryesor. Nuk ka gja ma të shenjtë në botë se jeta e njeriut.” Prandaj të drejtat e njeriut u bënë çështja më e lartë për të cilën prof. S. Repishti punoi me përkushtimin më të madh gjatë gjithë jetës. Me kohë ai u bë një nga veprimtarët më aktivë dhe një nga zërat më me ndikim në këtë fushë dhe për çështjen kombëtare. Për këto tema ka shkruar një varg artikujsh e studimesh, që janë botuar në shtypin e SHBA, ku flet sidomos për përndjekjet dhe vuajtjet e shqiptarëve në Kosovë si dhe për tragjedinë e mjerimin e çamëve në verën e vitit 1944. Me nismën e tij, më l965, Kongresi Amerikan dëgjoi, për të parën herë, një tablo publike për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi, që u pasua me peticione e raporte për këtë çështje drejtuar Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë. Më l986 kërkoi nga zëvendëspresidenti Bush hapjen e Zyrës amerikane në Prishtinë dhe të Zyrës së Kosovës në Uashington DC. Ka qenë organizator dhe pjesëmarrës i konferencave e i simpoziumeve ndërkombëtare që trajtuan çështjen kombëtare shqiptare dhe bashkëthemelues i disa organizatave, si: “Miqtë Amerikanë të Shqipërisë” (l992), “Këshilli Kombëtar Shqiptar Amerikan” (l996) etj., që luajnë rol në njohjen e çështjes kombëtare gjithëshqiptare në SHBA. Për këto ka folur dhe në librin Ten memoranda – The Plight of the Albanians in Yugoslavia, 1988 (“Dhjetë memorandume – Gjendja e vështirë e shqiptarëve në Jugosllavi”). Humanizmi i lartë dhe angazhimi i drejtpërdrejtë për të drejtat e shqiptarëve në ish Jugosllavi dhe për të drejtat e njeriut mbeten tipari më dallues i personalitetit të prof. S. Repishtit dhe fusha ku ai ka dhënë një kontribut me vlerë të pashlyeshme e të përhershme.
Në ditën e 10-vjetorit të Shpalljes së Republikës së Kosovës (17.02.2018) u botua në shtypin e Tiranës artikulli i tij “Nji botë e re premtuese na pret: Le ta përqafojmë!”. E përgëzova dhe i shpreha mirënjohjen për mësimet e këshillat e tij aq të dobishme e frymëzuese jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por edhe për ne këtu në shtetin e vjetër shqiptar. Më tej i pata shkruar: “Titulli i artikullit më çoi vetvetiu te fjalët e Schiller-it “E vjetra po shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re po lulëzon gërmadhash”. Këtë thënie Qemal Stafa, atëherë 15 vjeç, e shtjelloi si temë hartimi në gjimnazin e Shkodrës (ua pati dhënë prof. Skënder Luarasi). Brezi im ka pasur adhurim të veçantë për Qemalin jo aq nga propaganda, sesa nga përfytyrimi që na ngjallnin për të ato pak shkrime që ka lënë e që i kemi pasur nëpër librat e letërsisë.” (Përveç këtij hartimi është fjala për prozën “Qortimet e vjeshtës” dhe për vjershën “Hijes së tim vëllai”). Dhe në përgjigje më shkroi ato që përmenda më lart për takimin e tij me Qemalin në Shkodër në shkurt 1942. Lidhur me Kosovën në atë letër më shkruante: “Kosova ka qenë “my darling” si thojnë amerikanët dhe, çuditërisht, për arsye të vuejtjeve të mëdha që ka kalue, ndoshta reflekt i vuejtjeve të mia që më kanë ba vëlla me çdo qenie njerëzore që vuen pa faj.”
Takimi im i parë i tërthortë me prof. Sami Repishtin ka qenë me rastin e themelimit të Institutit Alb-Shkenca, i cili lindi si nismë e studiuesve shqiptarë në diasporë dhe nga trojet shqiptare për të krijuar një platformë të unifikuar shkëmbimi të dijes mbi çështjet kombëtare. Nismëtarët e themelimit të tij, ndër të cilët prof. Niko Qafoku (biolog, SHBA) patën vizionin për të mbështetur me forca të bashkuara kërkimin shkencor, zhvillimin intelektual dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore e historike të shqiptarëve. Ky institut mbulon një spektër të gjerë disiplinash të shkencave natyrore e shoqërore, ndër të cilat historia, gjuhësia, letërsia, arti, kultura materiale dhe shpirtërore e shqiptarëve që nga lashtësia deri në ditët tona. Çlirimi i Kosovës nga sundimi i Serbisë dhe përmirësimi i statusit të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut e në Malin ne Zi krijuan rrethana të reja historike, në të cilat shqiptarët mund të bashkonin gjithçka që ishte vetëm në vullnetin e tyre, pavarësisht ndarjeve shtetërore. Ky bashkim është për të mirën tonë të përbashkët, pa i sjellë ndonjë dëm kurrkujt. Lumturisht bashkimi rreth një gjuhe të përbashkët standarde kishte ndodhur më 1968 në Konsultën e Prishtinës dhe qe sanksionuar në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972 në Tiranë. Kur po themelohej dhe ngrihej më këmbë Instituti Alb-Shkenca, kam qenë në valën e punës për “Fjalorin enciklopedik shqiptar” (botim i dytë, në tri vëllime, 2008–2009), i cili u konceptua dhe u realizua si vepër që mbulon gjithë hapësirën historike e gjeografike të shqiptarëve dhe të paraardhësve të tyre: Shqipërinë si shtet, Kosovën, trojet shqiptare në RMV, në Malin e Zi dhe më gjerë, si edhe diasporën e vjetër dhe të renë. Gjatë punës për këtë vepër ne kemi provuar gëzimin e bashkimit të forcave intelektuale shqiptare dhe kemi parë të hapen përpara nesh mundësi reale për një bashkim të tillë të mëtejshëm, që mund të quhej një “shtet i përbashkët shqiptar” në të gjitha fushat e punës ku vepron Instituti Alb-Shkenca.
Përkrahja që gjeti Alb-Shkenca nga prof. Sami Repishti (atëherë po u afrohej të 80-ave) ishte si një bekim dhe trimërim për punën tonë të mëtejshme. E kemi pasur ndërmjet nesh si të parin Anëtar Nderi të Institutit dhe si nestor dashamir e të vëmendshëm ndaj ecurisë së punëve tona. Në qershor 2013, një grup veprimtarësh të Alb-Shkencës (Ardian Maçi, Evan Rroço, Edlira Sadiku, Fatos Ylli, Lluka Qafoku, Besnik Dobi dhe unë) patëm kënaqësinë ta kishim prof. S. Repishtin ndërmjet nesh, në Tiranë, në një takim mbresëlënës dhe vlerësues nga ana e tij për punën tonë në atë institut. Një muaj më vonë, me rastin e përgatitjeve për Takimin VIII vjetor të Institutit Alb-Shkenca, prof, S. Repishti ato që na tha me gojë, do t’i formulonte edhe si këshilla për bashkëpunimin e institutit tonë me shtetin: “Nji bashkëpunim i këtillë njihet këtu me termin “interface”, i cili interpretohet, ose kuptohet, “…a space where two units meet and act together for a definite purpose” (një hapësirë ku dy njësi takohen dhe veprojnë së bashku për një qëllim të caktuar). Në nji rast të këtillë Instituti Alb-Shkenca duhet të zgjanojë veprimtarinë e vet me analiza dhe rekomandime konkrete që mund të shërbejnë dhe të paraqesin ide thelbësore në formulimin e politikave në sektorë të ndryshëm: marrëdhanie ndërkombëtare, siguria kombëtare, zhvillimi ekonomik, arsimi i përparuem, shëndeti bashkëkohor etj. Instituti Alb-Shkenca ka “ekspertë” në pothuejse çdo lami që mund të kontribuojë. Temat bashkëkohore dhe zhvillimi i Seminarit duhet të përcaktohen nga Shteti dhe Instituti Alb-Shkenca së bashku. Nji veprimtari e këtillë, e marrun seriozisht, fiton respektin e udhëheqjes shtetnore dhe siguron përkrahjen – në të gjitha nivelet. Ky ashtë nji shërbim i madh për Atdheun: shkenca në shërbim të popullit tonë!”
Në Samitin e parë të Diasporës (12–20 nëntor 2016), Institutit Alb-Shkenca iu akordua nga Kryeministri i Shqipërisë trofeu “Shqiponja e Artë” për kontributin në rrjetëzimin e Diasporës. Duke marrë këtë medalje, prof. Fatos Ylli, sekretar i përgjithshëm i Institutit, e vlerësoi S. Repishtin si “njërin prej frymëzuesve të Institutit tonë, anëtar nderi i tij, personaliteti që mund të konsiderohet si figura më emblematike e gjallë e gjithçkaje të madhe e fisnikëruese që Diaspora e vjetër dhe e reja i ka dhënë Botës Shqiptare.”
Në takimet vjetore të Alb-Shkencës terminologjia e shkencave dhe e teknikës ka tërhequr interesimin si të gjuhëtarëve, ashtu edhe të specialistëve të disiplinave të tjera. Dhe kjo është e kuptueshme, pasi përveç çështjeve terminologjike që shtron zhvillimi i shkencës e i teknikës (p.sh. zhvillimi i informatikës dhe kompjuteristikës), këtu përballemi edhe me dallime jo të parëndësishme ndërmjet terminologjisë që përdoret në Shqipëri dhe asaj në Kosovë e në RMV. Dua të përmend edhe një herë me këtë rast shqetësimin e akademikut Esat Stavileci (1942–2015), i cili në një kumtesë në vitin 2009 tërhiqte vëmendjen për një shkallë relativisht të lartë të mosnjësimit në fushën e terminologjisë administrative ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës: “Shkalla e mosnjësimit ndonjëherë arrin kuotën e moskuptimit dhe nevojën e sqarimit term për term për të kuptuar thelbin e problemit, edhe pse përdoret një gjuhë e një fjalor.” Ajo që quhet në Shqipëri gjykatë e shkallës së parë dhe gjykatë e lartë, në Kosovë quhet gjykatë themelore dhe gjykatë supreme; ajo që quhet te ne lidhje (në rrjetin elektrik), në Kosovë quhet kyçje etj., dhe duke kaluar në sferën e fesë ajo që në Kosovë e në RMV quhet Bashkësia Islame, në Shqipëri quhet Komuniteti Mysliman (a nuk mund të merren vesh shqiptarët për një terminologji të përbashkët?). Të gjitha këto dallime në terminologji dhe në emërtesa i kanë vënë mirë në dukje dy anëtarë të zellshëm të Alb-Shkencës nga Prishtina, Nebi e Ali Caka. Dihet se terminologjia kudo është çështje e shtetit dhe kodifikimi e standardizimi i saj marrin vulën e shtetit për t’u zbatuar në praktikë, por gjithsesi Alb-Shkenca mund të japë këtu një ndihmesë organizative dhe shkencore me vlerë, mund ta nxitë shtetin, ose më mirë të dy shtetet shqiptare, që t’i kushtojnë vëmendjen e duhur kësaj fushe me rëndësi gjithnjë e më shumë në rritje si për gjuhën shqipe, ashtu edhe për shkencën, arsimin, kulturën dhe veprimtarinë ekonomike e shoqërore.
Lidhur me këto çështje i pata shkruar edhe prof. S. Repishtit kur më ra në dorë libri “Fizika” (për shkollat e mesme), botim i Ministrisë së Arsimit (1941, 422 fq.). Libri ishte përkthim i një teksti të gjimnazeve italiane nga Fadil Repishti (kushëri i parë i S. Repishtit), atëherë profesor në liceun e Shkodrës dhe më pas në gjimnazin e Tiranës. Nuk e kam njohur nga afër, por sipas thënieve e kujtimeve të ish-nxënësve të tij, mendoj se ka qenë një nga figurat më të shquara të shkollave të mesme të Shqipërisë. “Fizika” e përkthyer prej tij ishte i pari libër mësimi i kësaj lënde që botohej në gjuhën shqipe (në atë kohë në shkollat e mesme të Shqipërisë disa lëndë mësimore zhvilloheshin me tekste të huaja, italisht ose frëngjisht). Libri sot ka rëndësi për të studiuar historinë e krijimit të terminologjisë së fizikës në gjuhën shqipe. Prof. S. Repshti më ka dhënë disa hollësi e sqarime për këtë libër, që mendoj se është me dobi të bëhen të njohura edhe për të tjerët:
“Gjatë verës së vjetit 1940, besoj, më kujtohet se Italianët kërkojshin që të përdoren sa ma shumë tekste shkollore në gjuhën italiane. Në nji mënyrë gjysëm-konfidenciale, nji grup profesorësh shqiptarë, me pëlqimin e heshtun të Ministrit Ernest Koliqi, ndërmorën me përkthye libra të të gjithë subjekteve në shqip. Për këte punë, ata morën tekstet shkollore të shkollave italiane. Fadili mori përsipër fizikën, si landë e preferueme e tij. Fadili ka qenë afërsisht 30 vjeçar.
Ka punue me zell të gjithë vakancën e verës. Edhe unë e kam ndihmue disa herë, ose me përkthim, ose me korrigjim, ose me daktilografim. Më kujtohet se disa fjalë e shprehje shkencore nuk i kishim shqip, por ai kontaktoi kolegët e erdhi në disa përfundime që gjinden në librin e fizikës që ju zini me gojë. Më kujtohet fjala “pendolo” u përkthye “lavjerrsi”. Në shtator e paraqiti për botim dhe u pranue. Në verën e vitit 1941 ka qenë inspektor i shkollave të posahapuna në ish Jugosllavinë deri në shtator. Ashtë kthye me nji entuziazëm të papërshkruëshëm për dëshirën e shqiptarëve në ish Jugosllavinë për arsim shqip. Kosovarët e kane trajtue si “nji i dërguem nga qielli” që sjell dritë në Kosovë.
Unë kam qenë mjaft afër me te, me gjithë diferencën në moshë (rreth 15 vjet – E.L.). Ka qenë rigoroz në shkollë e në klasë, por mjaft aktiv dhe mësues i mirë. Ma vonë për arsye të studimeve të tia në Pavia (Itali) nuk ashtë shikue me sy të mirë. Disa kolegë të tij më kanë tregue se nuk e kanë promovue me dhanë mësime në Universitet për arsye se ishte “familje e prekur” kryesisht për aktivitetin tim. Ndoshta! Por e kam marrë me pak rezervë këte njoftim.”
Kisha hyrë në lidhje me e-mail me prof. Repishtin që me organizimin e Institutit Alb-Shkenca (mjerisht nuk i kam ruajtur email-et e viteve të para) dhe herë pas here këmbenim ndonjë përshëndetje a urim festash. Kur ndoqa në Zërin e Amerikës ceremoninë e organizuar me rastin e 90-vjetorit të tij, i dërgova edhe unë urimet e mia më të përzemërta. Në përgjigje më shkruante ndër të tjera: “Marrja e mesazhit tuej fisnik më erdhi si nji e papritun e kandëshme dhe më gëzoi shumë. Unë thashë dy fjalë për nji problem që më shqetëson, dhe këto kohët e fundit më frikëson shumë. Kur ideologjia merr nji randësi ma të madhe se bashkimi i të gjithëve për nji kauzë kombëtare – dhe njerëzore – siç ashtë pajtimi dhe vëllaznimi i shqiptarëve kudo që janë (për mue nji priopritet i pazëvendsueshëm), atëherë ka arsye për shqetësim e frikë. Për natyrë jam optimist: prandej dëshiroj të besoj se ka potencial intelektual dhe vullnet politik në Shqipëri me krijue nji shoqëni e shtet shqiptar ma të qytetnuem, ma përparimtar dhe eventualisht ma të begatshëm. Nganjiherë, guxoj të besoj se duhet “la spinta iniziale” e Galileut që të vejë në lëvizje nji “lëvizje” në drejtimin e duhun. Ndoshta kur “aparatçikët” do të kuptojnë se janë parimet e partisë dhe programet e partisë që duhen ndjekë me ndërgjegje e jo “bajraktarët” e partisë, mund të krijohet nji atmosferë si ajo që “andrroj” unë.” Besoj se edhe sot pas dhjetë vjetësh ky vëzhgim përmbledh dhe shpreh një shqetësim të thellë në shtresat e gjera të popullit tonë, veçanërisht të atyre që janë ushqyer me idealizmin e demokracisë dhe të marrëveshjes për të mirën e përbashkët.
Letërkëmbimi im i fundit me prof. S. Repishtin ka qenë para një viti, me rastin e 99-vjetorit të lindjes së tij. Duke i uruar “rrugëtim të mbarë në vitin e 99-të të jetës, ku sapo keni hyrë!”, i shkruaja edhe: “Njohjen me ju e me veprimtarinë tuaj e ndiej si një pasuri morale e intelektuale të çmueshme dhe takimin me ju në Tiranë si një nga kujtimet më të bukura të jetës. Ju uroj nga zemra që ta jetoni edhe këtë vit me mendim e me veprim, si një shembull frymëzues i idealit njerëzor e kombëtar për inteligjencien shqiptare.” Edhe pse në atë moshë, m’u përgjigj menjëherë me korrektësinë e tij të zakonshme dhe me një thënie përmbyllëse, ku shprehet gjithë bota e tij shpirtërore, frymëzimi i jetës dhe i veprës së tij: “Mora mesazhin tuaj dhe më gëzoi pa masë. Përshtypjet e juaja për punën time dhe personalitetin më ngritën nga një lloj pesimizmi që më shkakton gjendja në vend dhe vuajtjet e pandërprerë të atij vendi që na ka rrëmbye zemrat.” Deri në fund të jetës zemra e tij rrahu për atdheun!