‘Profa’ i paparashikueshëm, vetëm pas një jave largohet nga Flamurtari
Bylbyl Sokoli vazhdon me veprime të çuditshme. “Profa” në skuadrën e Prishtinës qëndroi vetëm dy javë, kurse tash aventura me skuadrën e Flamurtarit e ka zgjatur vetëm një javë.
Bylbyl Sokoli është larguar nga skuadra e Flamurtarit vetëm një javë pasi mori drejtimin e kësaj skuadre. Largimin e Sokolit e ka konfirmuar edhe skuadra e Flamurtarit nëpërmjet një njoftimi për medie.
“Edhe pse dëshira e KF Flamurtarit për ta pasur në krye të ekipit Bylbyl Sokolin ishte e madhe, gjërat në relacione të ndërsjella shkuan në kahjen e cila është e papranueshme për klubin tonë”, thuhet në njoftimin e klubit prishtinas.
“Zotëri Sokoli është angazhuar për të qenë shefi i shtabit teknik me të gjitha ingerencat që përfshin ky post dhe me duart e lira dhe prurjet e lojtarëve të ri në klub, por dëshira e tij që ta udhëheqë edhe politikën dhe organizimin e brendshëm, si dhe zhagitja e nënshkrimit të kontratës me klubin, me parametrat financiare të dakorduara nga të dyja palët, bëri që marrëveshja të ndërpritet”, thuhet tutje në njoftimin e Flamurtarit.
/Epoka e re/