PROFESIONALIZËM INSTITUCIONAL NË VEND TË MILITANTIZËM

04 mars 2020 | 20:24

Shtetet moderne që tash më kanë ndërtuar traditë të gjatë të funksionimit, nuk do të mund të mbijetonin për çdo mandat qeverisës i ndërrojnë punonjësit e administratës shtetërore. Atje shtylla kurrizore e shtetit është administrata profesionale, e cila mbi të gjitha është servis i qytetarëve  por edhe biografia e një rrugëtimi shtetndërtues

Nga Mehmet PRISHTINA

Një prej arsyeve që njerëzit në Kosovë votuan pro ndryshimit dhe kundër stilit të vjetër të qeverisjes, ishte edhe mendësia partizançe që ishte shartuar në vetëdijen e politikbërësve. Ishte e domosdoshme që të jesh i afërt me ndonjë parti politike në pushtet që të ushtrosh një funksion të caktuar publik, por nuk ishte fare e domosdoshme përvoja, apo shkalla e edukimit akademik. Mbushja e institucioneve me militant partiak ishte ana më e dobët e qeverisjeve të viteve të kaluara, ndërkohë që administrata shtetërore dhe segmentet tjera të jetës publike po vuanin pasojat e joprofesionalizmit.

Tani kur kemi një ekip të ri qeverisës, njerëzit me të drejt presin që kjo traditë e keqe e mendësisë partizançe të merr fund. Çdo parti politike që vjen në pushtet, ka obligim ndaj mbështetësve të saj që t’i sistemoj nëpër vende të ndryshme të punës, por kjo nuk guxon të bëhet duke e sjell militantin partiak në vend të profesionistit. Aq më pak nuk guxon të bëhen shkarkime me motive politike, ku hakmarrja dhe revanshi bëhen kriteret kryesore, e jo (pa)përshtatshmëria profesionale e njerëzve për të ushtruar funksione të caktuara.

Shtetet moderne që tash më kanë ndërtuar traditë të gjatë të funksionimit, nuk do të mund të mbijetonin për çdo mandat qeverisës i ndërrojnë punonjësit e administratës shtetërore. Atje shtylla kurrizore e shtetit është administrata profesionale, e cila mbi të gjitha është servis i qytetarëve  por edhe biografia e një rrugëtimi shtetndërtues.

Pa administratë profesionale, nuk ka shtet modern. Në Kosovë, një kohë të gjatë dominonte bindja se administrata është shtrati ku duhet të shkrryhen militantët partiak dhe askujt nuk i bëhej vonë që ta fuqizojnë shtetin duke e profesionalizuar administratën.
Kur jemi te profesionalizmi, këndvështrimi mund të jetë edhe më i gjerë dhe  kap një gamë të gjerë fushash e veprimtarish. Mjafton të bësh një anketë të vogël me qytetarët për të detektuar disponimin e tyre ndaj punës që kryenin ministritë tona, spitalet tona, universitetet tona, ambasadat tona dhe do të vëreni se niveli i pakënaqësisë është shumë i lartë. Emërues i përbashkët i kësaj pakënaqësie është partizimi i institucioneve, kurse fuqia publike për të ndryshuar këtë pakënaqësi ka qenë shumë  vogël. Kjo pafuqi është vërejtur madje edhe në media, të cilat edhe përkundër hulumtimeve për afera të rënda korruptive dhe për keqpërdorime të shumta të detyrës zyrtare, gjendja në terren ka ngelë e pandryshuar.

Një prej arsyeve kryesore se pse gjendja nuk ka ndryshuar, është fakti se gjykatat nuk kanë qenë shumë aktive në procedimin e keqpërdorimeve të caktuara, por dhe nëse ka filluar ndonjë proces, i njëjti ka përfunduar pa sukses për shkak të ndërhyrjes flagrante të politikës.

A ka mundësi që një realitet i tillë të përsëritet edhe një herë në Kosovë, edhe pas ndryshimit të madh politik që ndodhi më 6 tetor të vitit të kaluar?

Percpetimi i përgjithshëm i njerëzve në Kosovë është se Qeveria e re ka filluar mirë me shkarkimet e disa bordeve që kishin qenë varrmihësit e kompanive dhe institucioneve. Gjithashtu edhe reduktimet e shpenzimeve publike nëpër ministri e dikastere të ndryshme, ka hasur në mirëkuptim të publikut.

Ajo që po pëshpëritet në çarshinë e muhabeteve është se aty këtu kanë filluar të infiltrohen militantët partiakë, duke marrë statusin e këshilltarëve  dhe punonjësve të ndryshëm, të cilët nuk shquhen për ndonjë profesionalizëm. Do të ishte e pafalshme që të përsëriten gabimet e qeverive të kaluara, ku një militant partiak vlente më shumë se një intelektual me formim të lakmueshëm profesional.

Qeveria Kurti duhet të jetë shembull i trajtimit të kuadrove, ku militantizmi partiak do të reduktohej në përmasa minimale kundrejt profesionalizmit të kuadrove, të cilët ishin zëri kryesor që artikuluan frymën e ndryshimit në vendin tonë.

Një politikan që nuk e harron rrugën prej nga është ngjitur në pushtet, e ka lehtë të dallojë njerëzit që i duhen shtetit dhe ata që shtetin e përdorin vetëm për qëllime personale. Vetë Albin Kurti njihet si politikan që e ka luftuar joprofesiionalizmin dhe revanshizmin në politikë, prandaj është mirë t’i ndihmohet atij që të lirohet nga militantët partiak të cilët kush më shumë e kush më pak po i bëjnë presion të vinë aty ku nuk e kanë vendin. Nëse zoti Kurti arrinë ta fitojë këtë betejë kundër militantëve të vet partiak, ai do të mbetet në histori si politikan i reformave dhe ndryshimeve të mëdha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
DKA-të në nivel vendi kanë lëshuar një shkresë, në të…