Profesor Daut Dauti: Gëzuar për ‘Epokën e re’

14 shkurt 2020 | 14:12

Profesori i njohur i cili punon dhe vepron në Londër, Daut Dauti, ka uruar gazetën “Epoka e re”, me rastin e 20-vjetorit të themelimit dhe për botimin e numrit të 6 000 të saj.

Ai ka thënë se pavarësisht kushteve të vështira, “Epoka e re” ka arritur të mbijetojë dhe se këtij fakti duhet t’i gëzohen të gjithë.

“Me redaksinë dhe gazetarët e ‘Epokës së re’ shihehesha gati çdo ditë gjatë vitit 2000 dhe 2001. Ishim të vendosur në një kat të ndërtesës së ‘Rilindjes’. Në mbrëmje, kur dilja nga zyra (Shoqata e Gazetarëve), gjithmonë e përshëndesja një grup të vogël të kësaj gazete që udhëhiqej nga Imer Mushkolaj dhe të cilët përshëndetjen ma kthenin me një respekt të madh. Këta i njihja më herët, nga disa ligjërata dhe trajnime që kisha bërë në shkollën e gazetarisë sa isha në IWPR. ‘Epoka e re’ ka patur staf më të vogël dhe kushte më të vështira nga të gjitha gazetat tjera. Por, ‘Epoka e re’ është botuar në mënyrë solide dhe pa mbetur prapa nga gazetat tjera. ‘Epoka e re’ ka qenë e re edhe nga mosha (mesatare) e gazetarëve”.

“Të gjithë kanë qenë dukshëm më të rinj se unë që isha atëherë por elani dhe dashuria e tyre për punën e gazetarit ka qenë mahnitëse. Kjo ka qenë arsyeja që unë kisha simpati për ta. Natyrisht që kjo gazetë ka patur qëndrim të vetin redaktorial dhe në këtë drejtim nuk ka përjetuar dilema e oscilime. Në kushtet e vështira për gazetarët dhe gazetarinë, Epoka e Re ka mbijetuar dhe ky është fakt të cilit duhet t’i gëzohemi. Nëse gazetën ende e përcjellë vullneti dhe dashuria për punë, siç e kam njohur unë, shifra 6 000 duhet të shkoj në infinit”, ka shkruar Dauti në llogarinë e vet në “Facebook”.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Istogu e pret Samadrexhën në hapje të stinorit pranveror në…