Profesor Hysni Gashi ndan 700 euro për disa familje malishevase
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, është takuar me profesor Hysni Gashin, i cili dikur ishte mësues i Begajt. Fillimisht Begaj i ka dëshiruar mirëseardhje profesor Hysniut dhe i ka shprehur mirënjohje për kontributin e dhënë ndër vite në edukimin dhe arsimimin e nxënësve malishevas.
“Ishin kohë të vështira në arsimin e atyre viteve, por ju na motivuat, që të lexojmë, ta duam shkollën shqipe dhe vetëm kështu mund t’ia sjellin lirinë atdheut”, ka thënë Begaj.
Ndërsa profesor Hysni Gashi ka thënë se ndihet i vlerësuar për takimin që ka zhvilluar me kryetarin Begaj.
“Sot ndihem i nderuar dhe i vlerësuar, para jush kryetar i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, me arsyen se dje Malisheva m’i hapi dyert mua dhe unë sot dua që qytetarëve malishevas t’u jam mirënjohës deri në fund për mikpritjen, solidaritetin dhe fisnikërinë që treguat ndaj meje dhe kam vendosur që pensionin tim ta ndaj me ata qytetarë që kanë nevojë dhe ndihma do të jetë kohë pas kohe”, është shprehur Gashi.
Në fund të takimit, Begaj e ka falënderuar profesor Gashin për dhurimin e 700 eurove për familjet malishevase që kanë nevojë. Ai ka thënë se një veprim i tillë tregon karakterin human të profesor Gashit.
/Epoka e re/