Profesor në Universitetin e Oslos, Gentian Zyberi mes punës akademike e asaj praktike në fushën e së drejtës ndërkombëtare
Përtej funksioneve të ndryshme, Gentian Zyberi – profesor i të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, pranuar si profesor i rregullt nga komisioni i vlerësimit i Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Oslos, është edhe anëtari i parë shqiptar i Komitetit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së që merret me mbikëqyrjen e të drejtave garantuar nën Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, zgjedhur për periudhën 2019-2022.
Në një intervistë për Telegrafin, Zyberi tregon përvojat e tij akademike, të cilat sipas tij, janë të tilla që gjatë tetëmbëdhjetë viteve të fundit ka bërë kërkim shkencor, ka botuar dhe ka dhënë mësim në fushën e të drejtës ndërkombëtare publike, të drejtave të njeriut, të drejtës ndërkombëtare humanitare, dhe të drejtës ndërkombëtare penale në universitete në Holandë, Norvegji, SHBA, Kinë, Kosovë, dhe në Shqipëri.
Si jurist i njohur i së drejtës ndërkombëtare, ai tha se mundohet që të vë në dukje përparimet që kanë ndodhur në vendet tona, sidomos në Shqipëri e Kosovë, por edhe sfidat me të cilat ndeshemi, dhe të kërkoj kur është me vend edhe mbështetjen e kolegëve për projekte të ndryshme, apo vazhdimin e ndihmës dhe rritjes së nivelit të bashkëpunimit për vendet tona.
“Kryesisht, njohurinë time e kam përdorur për të folur në forume të ndryshme, për anëtarësimin e Kosovës në institucione të ndryshme ndërkombëtare e rajonale”, tha mes tjerash në intervistë për Telegrafin, Gentian Zyberi.
Telegrafi: Z. Zyberi, jeni shef i Departamentit – Qendra Norvegjeze për të Drejtat e Njeriut (Fakulteti i Drejtësisë), dhe profesor i rregullt në Universitetin e Oslos. Na tregoni pak për rrugëtimin tuaj, si për vështirësitë, sfidat dhe problemet që keni hasur nga fillimi e deri të suksesi juaj?
Gentian Zyberi: Për periudhën korrik 2018 – dhjetor 2021 kam shërbyer si Drejtor i Qendrës Norvegjeze për të Drejtat e Njeriut të Universitetit të Oslos, Norvegji. Duhet të shtoj se kam qenë drejtori i parë i zgjedhur nga kolegët e mi në këtë pozicion, si drejtues i një prej pesë departamenteve (instituteve) të Fakultetit të Drejtësisë. Kam nderin që të jem anëtari i parë shqiptar i Komitetit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së që merret me mbikëqyrjen e të drejtave garantuar nën Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, zgjedhur për periudhën 2019-2022. Përtej funksioneve të ndryshme, jam profesor i të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, pranuar si profesor i rregullt nga komisioni i vlerësimit i Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Oslos në shtator 2015.
Ka qenë një rrugëtim i gjatë dhe me shumë sfida e vështirësi. Këto sfida e vështirësi lidhen me tregun e punës, përballimin e shpenzimeve për studimet, jetën larg familjes, e me radhë. Sfidat kanë filluar që nga fillimi i studimeve, sepse hyrja në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë ka qenë përmes konkursit, ku numri i studentëve të pranuar ishte rreth një në dhjetë konkurrentë. Pas mbarimit të studimeve në vitin 2000, mundësitë për punë në Shqipëri ishin mjaft të kufizuara. Kjo më shtyri që të shoh për mundësi për të vazhduar studimet, dhe arrita që të shkoj për studime për një Master njëvjeçar në të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Utrehtit, në Holandë, të cilin e mbarova me nderime në gusht të vitit 2002. Pastaj konkurrova dhe u pranova për programin e doktoraturës në universitetin e Utrehtit në shtator 2003, të cilin e mbarova me sukses në prill 2008. Siç mund ta shihni, nuk ka qenë e thënë që të ndiqja një karrierë akademike, por ka qenë vullneti dhe fati i mirë, si dhe mbështetja e familjes sime, të afërmve dhe miqve nga vendlindja (Kotërr, Lezhë), por dhe miqve të huaj nga Zvicra dhe Holanda që më kanë mbështetur në ditë të vështira.
Telegrafi: Çka ju shtyu që të punoni në këtë fushë, dhe cilat kanë qenë përvojat tuaja akademike në të kaluarën?
Gentian Zyberi: Fusha e së drejtës më ka tërhequr që nga fillimi, sepse e drejta dhe ligji janë me shumë rëndësi për shoqërinë dhe nganjëherë janë dy gjëra të ndryshme. Shoqëria jonë, ka mjaft padrejtësi dhe probleme dhe është funksioni ynë në praktikën ligjore dhe në universitet që t’i adresojmë ato, në mënyrën më të mirë të mundshme. Të jesh jurist është njëkohësisht punë dhe një vokacion. Përvojat e mia akademike, janë të tilla që gjatë tetëmbëdhjetë viteve të fundit kam bërë kërkim shkencor, kam botuar dhe kam dhënë mësim në fushën e të drejtës ndërkombëtare publike, të drejtave të njeriut, të drejtës ndërkombëtare humanitare, dhe të drejtës ndërkombëtare penale në universitete në Holandë, Norvegji, SHBA, Kinë, Kosovë, dhe në Shqipëri.
Telegrafi: Përveç punës suaj në Universitetin e Oslos, ju në vazhdimësi jeni marrë edhe me publikime të ndryshme, artikuj dhe po ashtu edhe keni botuar libra sa i përket të drejtave të njeriut. Na përmendni disa prej tyre dhe cilat janë projektet tuaja për të ardhmen?
Gentian Zyberi: Kam botuar një tekst mësimor universitar në shqip për të drejtat e njeriut në 2011 dhe në 2015, së bashku me kolegun Qerim Qerimi. Përveç këtij libri dhe disa artikujve në shqip, unë kam botuar në anglisht një monografi (punimin e doktoraturës), e cila ka marrë çmimin e dytë Max van der Stoel nga Shkolla Holandeze e Kërkimit në të Drejtat e Njeriut dhe Universiteti i Tilburgut, tre libra të edituar, dy prej të cilëve me shtëpinë botuese të Universitetit të Kembrixhit (Cambridge), mbi 30 kapituj librash, dhe rreth 10 artikuj në tema të ndryshme të së drejtës ndërkombëtare. Gjatë vitit 2022 dhe gjysmën e vitit 2023, do të jem në vit studimor dhe kam tre projekte librash, që planifikoj t’i shtyj përpara, një monografi mbi mbrojtjen e interesave komunitare, përmes të drejtës ndërkombëtare, një libër të edituar mbi normat jus cogens, dhe një libër të edituar mbi praktikën ligjore në të drejtën ndërkombëtare. Përveç këtyre, kam disa artikuj të cilat dua t’i përfundoj, prej të cilëve njëri fokusohet në kontributin e Komitetit për të Drejtat e Njeriut në procesin e drejtësisë tranzicionale në shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, përfshirë edhe Kosovën. Po ashtu, planifikoj të kem një vizitë studimore në Prishtinë dhe Tiranë gjatë vitit 2022.
Telegrafi: Përpos që jeni profesor i rregullt, në cilat projekte të tjera jeni të angazhuar?
Gentian Zyberi: Aktualisht kam katër projekte që i drejtoj, njëri mbi edukimin ligjor në fushën e të drejtave të njeriut, me Ministrinë e Drejtësisë në Bullgari; tjetri në lidhje me rritjen e kapaciteteve akademike në vendet në zhvillim me shtatë partnerë, prej të cilëve tre në Afrikë, një në Lindjen e Mesme dhe një në Amerikën Latine; tjetri në bashkëpunim me Qendrën e të Drejtave të Njeriut të Universitetit të Pretorias në Afrikën e Jugut, mbi impaktin e mekanizmave ndërkombëtarë të monitorimit të drejtave të njeriut në vendet përkatëse, me theks në Norvegji. Projekti i fundit që dua ta theksoj, sepse e kam shumë për zemër është ai Erasmus + Mobiliteti Global, me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës, përmes të cilit do të shtojmë shkëmbimet e studentëve dhe stafit akademik për vizita studimore, dhe për shkëmbimin e eksperiencave në dhënien mësim, me fokus në drejtësinë tranzicionale dhe të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë. Me këtë program, përveç shkëmbimeve do të përgatisim së bashku me kolegët e Prishtinës edhe dy kurse të nivelit të Masterit, dhe dy kurse për doktorantët në Fakultetin e Drejtësisë të UP-së gjatë vitit 2022 dhe gjysmës së parë të vitit 2023.
Telegrafi: Përveç karrierës së suksesshme akademike, ju keni edhe një praktikë të pasur në fushën e të drejtës ndërkombëtare. Çfarë mund të na thoni për këtë?
Gentian Zyberi: Jam munduar që të kombinoj punën akademike me atë praktike në fushën e së drejtës ndërkombëtare. Do ta filloj nga praktika më e fundit, ku punoj si anëtar i Komitetit për të Drejtat e Njeriut për periudhën 2019-2022. Më përpara kam punuar si jurist dhe përkthyes me ekipet mbrojtëse në dy raste të gjykuara përpara Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish Jugosllavinë, përkatësisht kundër Limajt dhe Haradinajt gjatë periudhës nëntor 2004 – nëntor 2012. Po ashtu, kam shërbyer si këshilltar ligjor dhe koordinator i ekipit ligjor të Shqipërisë në rastin e Deklaratës së Pavarësisë të Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë gjatë vitit 2009, të cilin e përfunduam me sukses në korrik 2010. Së fundmi, dua të shtoj se kam kontribuar në anëtarësimin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Hagë në vitin 2016. Me aq sa kam pasur mundësi jam munduar që ta mbështet konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Telegrafi: Si shqiptar i suksesshëm, sa keni mundësi që me punën tuaj ta promovoni vendin tënd të origjinës, e që shpesh herë personat e suksesshëm shqiptar na botë, quhen edhe Ambasadorët më të mirë të vendit të origjinës?
Gentian Zyberi: Mendoj që fjala ambasador nuk është e duhura, sepse ajo i referohet një funksioni specifik shtetëror dhe krijon pritshmëri jorealiste. Gjithsesi, kuptohet që persona të njohur të fushave të ndryshme bëjnë një punë të admirueshme për ta përmirësuar imazhin e vendeve tona, që duhet thënë se nuk është aq i mirë ose i njohur më përgjithësisht. Si jurist i njohur i së drejtës ndërkombëtare, unë mundohem që të vë në dukje përparimet që kanë ndodhur në vendet tona, sidomos në Shqipëri e Kosovë, por edhe sfidat me të cilat ndeshemi, dhe të kërkoj kur është me vend edhe mbështetjen e kolegëve për projekte të ndryshme, apo vazhdimin e ndihmës dhe rritjes së nivelit të bashkëpunimit për vendet tona. Kryesisht, njohurinë time e kam përdorur për të folur në forume të ndryshme, për anëtarësimin e Kosovës në institucione të ndryshme ndërkombëtare e rajonale.
Telegrafi: Me gjithë përvojën tuaj shkencore, dhe suksesin që keni arritur në arenën ndërkombëtare, a keni pasur ndonjë ftesë nga institucionet e shteteve shqiptare që të jepni kontributin tuaj, sidomos te gjeneratat e reja?
Gentian Zyberi: Nuk kam pasur ndonjë ftesë institucionale. Në fakt, më shumë ka pasur interes Fakulteti i Drejtësisë të Universitetit të Pekinit në Kinë, që unë të shkoj të jap mësim aty për të drejtat e njeriut, sesa ka pasur interes nga Universiteti i Tiranës apo ai i Prishtinës. Flas në nivel institucional, pasi në nivel personal unë kam kontakte dhe bashkëpunim të mirë me kolegë në Tiranë dhe Prishtinë. Gjithsesi, unë nuk kam pritur për ftesë institucionale për ta dhënë kontributin tim, pasi së bashku me kolegë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, në kuadër të Institutit Alb-Shkenca, kemi organizuar një takim vjetor me punime të kërkuesve nga fusha të ndryshme të shkencës, botime të ndryshme. Pra, mund të thuhet se kemi kontribuar për të bërë një bashkim të elitës shkencore të vendeve tona. Ky Institut i themeluar në fillimet e viteve 2000, dhe legalizuar më vonë, ka organizuar deri sot 16 takime vjetore kombëtare. Dy të fundit janë organizuar online përkatësisht nga dega e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut. Takimi i radhës do të organizohet në Tiranë në vitin 2022. Unë e kam drejtuar Institutin Alb-Shkenca për rreth tetë vjet, pra prej vitit 2014 deri në vitin 2021 dhe vitin që vjen struktura jonë drejtuese do të përtërihet. Gjithashtu, së bashku me disa kolegë, neve kemi krijuar edhe Shoqatën Shqiptare për të Drejtën Ndërkombëtare në vitin 2014, dhe përmes saj organizojmë aktivitete në këtë fushë, dhe bashkëpunojmë me degë të tjera kombëtare të Shoqatës për të Drejtën Ndërkombëtare me seli në Londër, Mbretëria e Bashkuar.
Telegrafi: Cili është mesazhi juaj për rininë tonë, të cilët janë në kërkim të rrugës së suksesit?
Gentian Zyberi: Mesazhi im është i thjeshtë, duhet durim, këmbëngulje, dhe punë sistematike për të arritur tek suksesi, por edhe një dozë fati, në kuptimin e të qenit në vendin e duhur në momentin e duhur. Në të njëjtën kohë, duhet të them se suksesi duhet kërkuar sepse ai zakonisht nuk bie në prehër. Krijoni bashkëpunime dhe marrëdhënie pune të shëndosha me kolegët tuaj dhe jini kërkues edhe ndaj autoriteteve shtetërore, që ato t’i përmbushin detyrimet e tyre ndaj jush si studentë apo si kërkues të rinj shkencorë.