Profesor Pajaziti boton libër të ri
Sociologjia si shkencë humane – ndonëse rrënjët i ka në shekullin XIV (Ibën Halduni) – është produkt i kohërave moderne, i modernitetit, i ndryshimeve politike të shekullit XVIII dhe XIX, i Revolucionit Francez (1789), i periudhës së industrializimit; në fakt, është refleksion i trashëgimisë së epokës së arsyes dhe iluminizmit, është reaksion ndaj të arriturave intelektuale në shkencat fizike dhe biologjike. (Mulkay, 1980) Ajo lindi si disiplinë-vegël për të zgjidhur nyjën e ngatërruar të marrëdhënieve shoqërore turbulente, për të ndihmuar në kapërcimin e kaosit të shfaqur në shoqërinë evropiane pas Revolucionit në fjalë dhe ndryshimeve të tjera madhore që vijuan. Sociologjia u krijua nga nevoja për të kuptuar, shpjeguar dhe ndryshuar botën moderne e cila në aspekt të strukturës shoqërore, ekonomike, kulturore dhe politike dallon rrënjësisht nga ajo arkaike-tradicionale apo teocentrike. Kjo është një disiplinë që elaboron botën shoqërore me tërë autencitetin dhe pluralitetin e saj; përmes një paradigme të veçantë në mënyrë objektive dhe sistematike analizon dhe zbërthen sjelljen e njerëzve që jetojnë në grupe (Sugraman, 1968), marrëdhëniet ndërnjerëzore në kuadër të agorës sociale.
Libri “Lavjerrësi i fillimshekullit: teorizime sociologjike” përbëhet nga shkrimet javore të prof. dr. Ali Pajazitit, sociologut të dalluar shkupjan nga UEJL, që nga një perspektivë e veçantë trajton tema interesante dhe shumë aktuale të filleve të shekullit XXI. Ky libër hap shtigje të reja, zgjeron diapazonin tonë të njohurive dhe shkathtësive sociologjike. Aty sikur shpaloset gjithë përvoja e këtij sociologu, mësimdhënësi, analisti dhe intelektuali publik të zëshëm përmes kolumnave të veta specifike të cilat autorin e kanë prurë në majat e sociologjisë shqiptare. Brenda faqeve të kësaj vepre lexuesi do të gjejë një frymë mes shkrimeve akademike dhe eseve të lira, pra një diskurs të ndërtuar me mjeshtëri që synon që sociologjinë ta bëjë një shkencë publike, ta zbresë nga katedrat universitare dhe ta pragmatizojë atë, ta popullarizojë si formë të leximit dhe mendimit kritik, si formë të vendimmarrjes së informuar dhe veprimeve efektive lidhur me çështjet dhe fenomenet shoqërore.