Profesor Sabedini, këshillë mediave: Çdo lajm i paverifikuar krijon panik në publik
Profesori dhe ligjëruesi i Etikes, Musa Sabedini, ka thënë këshilla profesionale për mediat me rastin e raportimit të tyre në raste emergjente si kjo e fundit me tërmete.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se mediat në Shqipëri e Kosovë nuk duhet të nxitojnë dhe të jepni lajme që nuk janë të sakta dhe të verifikueshme.
“Tërmeti në Shqipëri mori jetë njerëzish, kemi edhe të plagosur e dëme të shumta materiale. Në këto orë të rënda për shtetin dhe popullin shqiptarë lutja kryesore do të ishte që ata ta ruajnë qetësinë shpirtërore. Për mediat në Shqipëri e Kosovë, mos nxitoni të jepni lajme apo çfarëdo lloj raporti që nuk është i saktë dhe i verifikueshëm. Hulumtoni gjatë, verifikoni edhe më gjatë, pastaj raportojeni ngjarjen. Mos u rrëmbeni nga emocionet, paragjykimet, cilësimet e ndryshme”, ka shkruar profesori Sabedini.
Ai ka theksuar se duhet të kontaktohen në çdo kohë të mundshme sizmologët dhe ekspertët e kësaj fushe. “Ndiqeni me profesionalizëm ngjarjen nga terreni. Ka shumë rëndësi tek gazetarët nga terreni përgatitja e tyre profesionale, psikike, psikologjike dhe intelektuale. Mos harroni se çdo lajm i paverifikuar krijon huti dhe panik në publikun e gjerë. Tërmeti i prek të gjitha kategoritë e shoqërisë, andaj të gjithë duhet të bashkëjetojnë me njëri tjetrin. Ndihmojeni njëri tjetrin, kurse ju media qoftë elektronike apo online mos bëni gara, keni durim dhe ndihmojeni publikun duke e qetësuar atë dhe duke i dhënë vullnet e kurajo”, ka shkruar ndër të tjera Musa Sabedini.
/Epoka e re/