Profesorë, sipërmarrës e të rinj, i bashkohen PDK-së në Kamenicë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar të premten profesorë, sipërmarrës dhe të rinj të Komunës së Kamenicës të cilët i janë bashkuar PDK-së në Dekadën e Re.
Në një aktivitet të organizuar në fshatin Tugjec të Kamenicës, kreu i PDK-së Kadri Veseli ka falënderuar të gjithë anëtarë e rinj të PDK-së duke i siguruar për krijimin e hapësirës së nevojshme për të dhënë kontribut në forcimin e shtetit të Kosovës nëpërmjet platformës Dekada e Re.
“Komuna e Kamenicës ka potenciale të shumta natyrore të cilat nuk janë shfrytëzuar dhe mund të shërbejnë për të krijuar potencial të ri për zhvillimin ekonomik të Komunës së Kamenicës. PDK nga të gjitha partitë që kanë qenë në qeverisje ka investuar më së shumti në projekte në këtë komunë por tani vlerësoj se mund dhe duhet të bëjmë edhe më shumë në të ardhmen. PDK është e vetmja forcë politike që po rritet dhe po zhvillohet për ta ndërtuar dhe zhvilluar vendin në Dekadën e Re, andaj dua ta shfrytëzoj këtë takim për të ftuar të gjithë intelektualët dhe njerëzit e mirë të Kamenicës që të bëhen pjesë e familjes tonë politike”, ka deklaruar Veseli.
Kryetari i Degës së PDK-së në Kamenicë, Emin Krasniqi, ka falënderuar liderin e partisë për vëmendjen që po i kushton Kamenicës ndërsa e ka siguruar atë se në procesin zgjedhor që po zhvillon PDK, do të krijojnë hapësirë për kuadro të reja që po tregojnë interesim dhe vullnet që ti bashkohen PDK-së.
Ndërsa profesori universitar, Faton Krasniqi, duke folur në emër të sapo aderuarve, theksoi se PDK ka lidershipin dhe vizionin më të qartë për zhvillimin ekonomik dhe integrimin e vendit në strukturat euro atlantike.
Ai ftoi edhe të rinj e intelektualë tjerë të Komunës së Kamenicës që të bëhen pjesë e PDK-së.
Edhe Lulzim Qehaja, arsimtar nga Kamenica, theksoi se aderimin në PDK e sheh si mundësi dhe hapje që ka bë lideri i PDK-së për kuadro e intelektual në dhënien e kontributit për Dekadën e Re.