Profesoresha e Historisë së artit bën apel të lexohet romani “Eskadronët e vdekjes”

25 janar 2022 | 10:18

Nxjerrja në dritë e tmerreve dhe masakrave më monstruoze që kanë përjetuar shqiptarët me fakte shumë të detajuar, me përshkrim artistik të një realiteti brenda nëntë pjesëve të shkruara nga pena e Bardhyl Mahmutit meriton një respekt dhe lëvdatë të veçantë.

Romani karakterizohet me një gjuhë të qartë dhe të pasur artistike, me një mjeshtëri në përshkrimin e kapitujve, ku çdonjëra ka një histori rëqethëse dhe një rrëfim në vete. Aty fiksohen vuajtjet, dëshprimi, dhembja, besimi ndaj të së drejtës, gatishmëria për flijime duke paraqitur sa më realisht gjendjen e asaj kohe dramatike dhe njëkohësisht të përjetuar në mënyrë shumë të ngjajshme nga vet autori i librit.

Memoriet historike të popujve evropian i lexojmë nga veprat e autorëve të ndryshëm, poashtu edhe libri i Bardhyl Mamutit i përkthyer në disa gjuhë është i lidhur me zinxhirin kronologjik të memories së popujve evropianë nëpëmjet ngjarjeve të zhvilluara dhe të përjetuara në Kosovë.

Si i tillë, ky roman plotëson një kërkesë të madhe dhe do të ngelë si një vepër shumë e rëndësishme, si dhe dëshmi e rrallë historike për një periudhë ku gjatë kohë kanë qenë të burgosur mendimi, shpirti dhe ndërgjegja për të nxjerrë në pah të vërtetat e përjetuara.

Kur e merr në dorë romanin “Eskadronët e vdekjes” të Bardhyl Mahmutit të shkon mendja në një periudhë sakrificash të përgjakshme dhe tragjedi të shumta që kanë ndodhur në Kosovë, mirëpo asnjëherë nuk na ka shkuar ndër mend se në të vërtetë kanë ndodhur aq krime të përbindshme që janë parë dhe janë përjetuar në sytë e shqiptarëve dhe asgjë nuk ka qenë e sajuar, por kanë qenë mizori të kryera kundër shqiptarëve në Kosovë.

Fjalia kulmore në roman është “Nuk e dish se çka janë në gjendje ata të bëjnë “ dhe vërtet kriminelët kanë qenë në gjendje të bëjnë çdo gjë…. Kanë vra fëmijë, gra, civil të paarmatosur, të mbytur mizorisht dhe, në fund, i kanë lënë edhe pa varr…
Bardhyl Mahmuti në fillimet e romanit e citon një thënie të Niçes: “ Jeta është luftë! Nuk të dëshiroj paqe, por fitore! Kush heq dorë nga lufta, ka hequr dorë nga jeta”…. Shqiptarët arritën të dëshmojnë se luftuan deri në fund me një sakrificë dhe çmim shumë të lartë, për lirinë e merituar.

Ftoj të gjithë lexuesit, studentët që ta lexojnë romanin historik me përshkrim faktografik “Eskadronët e vdekjes” që paraqet kujtesë kolektive me të vërteta tronditëse që pasqyron realitetin që përjetuan shqiptarët dhe intelektualët në atë kohë.


Doc.Dr.Jëlldëz Asani, Universiteti i Tetovës

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazeta e përditshme “Epoka e re” është themeluar më 15…