
Profesoresha e Universitetit të Prishtinës merr çmim në ShBA për të drejta të njeriut
Profesoresha e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Remzije Istrefi – Peci është fituese e çmimit të vitit 2024 për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në nivel global.
Çmimi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut jepet nga Samiti Global mbi Kushtetutshmërinë që organizohet nga Universiteti i Teksasit, i vendosur në Austin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Profesoresha dhe mbrojtësja e Kushtetutës së Kosovës Remzije Istrefi – Peci, çmimin e mori gjatë Samitit Global mbi Kushtetutshmërinë që u zhvillua nga 20 deri më 22 mars 2025.
“Ky çmim është i rëndësisë së veçantë për vendin tonë, Gjykatën Kushtetuese të Republikës sonë dhe Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Juridik ku unë zhvilloj aktivitetet e mia, si gjyqtare dhe si profesoreshë e të Drejtës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut”, tha Remzije Istrefi – Peci.
Samiti Global, me çmimin e të cilit u nderua profesoresha e Universitetit të Prishtinës, është një konferencë ndërkombëtare që mbulon të gjitha fushat e kushtetutshmërisë.
Gjatë tri ditëve sa zgjat konferenca, mbahen ligjërata dhe panele të ndryshme diskutimi.
Gjithashtu, gjatë qëndrimit të Nju Jork, profesoresha, respektivisht gjyqtarja Remzije Istrefi – Peci do të mbajë ligjëratë në Institutin Harriman të Universitetit të Kolumbias, me temën: “Zbatimi i Konventës së Stambollit Përmes Praktikës Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”.
Konventa e Stambollit, e miratuar nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, parandalon dhe lufton dhunën ndaj grave dhe në familje.
Remzije Istrefi-Peci ligjëron në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës që nga viti 2008, ndërsa është emëruar gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës më 9 gusht 2018.