Profesori amerikan: Biden duhet të emërojë emisar special për njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja do të merrte drejtim tjetër në rast se Kosova do të njihej nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro.
Kështu është shprehur Edward Joseph, profesori i Universitetit “Johns Hopkins” në Uashington, në një raport të fundit.
Joseph shprehet se kjo gjë do të kërkojë një përpjekje të vendosur nga administrata e presidentit amerikan Joe Biden, në bashkëpunim me aleatët kyç, për të bindur ata që nuk e njohin për të ndryshuar qëndrimin e tyre. Ai madje thotë se presidenti i Shteteve të Bashkuara (ShBA), Joe Biden, duhet të emërojë një “emisar special për njohjen e Kosovës” nga pesëshja e Bashkimit Evropian.
“Zbatimi i hapave të njëanshëm nga administrata Biden, përfshirë emërimin e një të ‘Dërguari të Posaçëm për Njohjen e Kosovës’, të shoqëruar me një paralajmërim të qartë amerikan për të sanksionuar çdo udhëheqës në Shqipëri ose Kosovë që promovon çdo ‘bashkim’ ndërmjet dy vendeve të pavarura”, thuhet në raportin e fundit të Joseph mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor.
Joseph nënvizoi se Emisari Special për njohjen e Kosovës mund të punojë gjithashtu me ambasadorët e ShBA-së dhe BE-së në vendet që janë bindur nga Serbia për të hequr njohjen e Kosovës. “Emërimi i një të dërguari special për njohjen e Kosovës do të nënvizonte pritshmërinë amerikane për ndryshime të vonuara nga vendet evropiane që nuk e njohin Kosovën”, nënvizoi ai.
Ai më tej shton se duke krijuar një rrugë drejt anëtarësimit në NATO për Kosovën, ndikimi që Serbia ka mbi fqinjët e saj dhe mbi ShBA dhe BE do të zhduket. “Në vend të saj, ekuilibri do të lejonte Beogradin dhe Prishtinën të negociojnë zgjidhjen e vetme stabilizuese të mosmarrëveshjes së tyre: njohjen e ndërsjellë bazuar në një Republikë të Kosovës plotësisht sovrane, unitare dhe funksionale, me mbrojtje të plotë për komunitetin serb të Kosovës”, thuhet mes tjerash në raport.