Profesori amerikan Bollduin për Skënderbeun
Prof. asoc. dr. Lirak Karjagdiu
Me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe 242-vjetorit të Pavarësisë së ShBA-së
Shqiptarët si një nga popujt më të lashtë të Evropës dhe pasardhës të ilirëve kanë qenë dhe janë objekt i shkrimeve jo vetëm me karakter historik e gjuhësor, por edhe i krijimeve të mirëfillta letrare-artistike. Këto shkrime janë më të vjetra se libri i parë i letërsisë shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut i 1555-s. Madje këto shkrime datojnë që nga koha e Antikitetit. Kështu, Iliria dhe ilirët përmenden në veprat historike të Tit Livit, Plinit e Plutarkut, por edhe të Plautit, Ovidit, Horacit, Klaudianit, bile edhe të Eskilit dhe Homerit.
Ndërkaq, figura e Skënderbeut është trajtuar në gjuhën angleze nga një numër autorësh anglezë dhe amerikanë, si Edmund Spenser, William Havard, George Lillo, Thomas Wincop, Benjamin Disrael, Clement Clark Moore, H. Longfellow, Agnes Repplier, Lord Byron dhe për ato vepra është shkruar kohë pas kohe nga studiues tanë dhe të huaj. Por, unë dëshiroj të veçoj këtu se çfarë tha profesori i njohur amerikan Bollduin për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun në një ligjëratë të tij të mbajtur para shqiptarëve të Amerikës.
Në vigjiljen e shekullit të shkuar, kur shqiptarët e Amerikës i kishin hyrë një organizimi plot entuziazëm për formimin e shoqatave të para, të themelimit të Kishës Autoqefale Shqiptare, të botimit të së përkohshmes “Kombi” e më pas “Dielli”, u përpoqën që të venin kontakte e të gjenin miq dhe në mesin e amerikanëve. Udhëheqësit shqiptarë nga shqiptarët e mërguar, Noli, Peci, Konica, etj., ia dolën mbanë që të formojnë edhe shoqatat e para të miqësisë shqiptaro-amerikane.
Dashamiri i çështjes shqiptare, anëtar i një shoqate të parë shqiptaro-amerikane dhe një i njohur i Nolit, profesori amerikan Bollduin, më 8 maj 1908, në Xhejmstaun, para shqiptarëve të tubuar me rastin e festës së Shën Gjergjit, mbajti një ligjëratë interesante për heroin legjendar kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Më atë rast, profesori amerikan, nga veprat dhe cilësitë e Skënderbeut nxori edhe një mesazh për shqiptarët. Çfarë ishte mesazhi i heroit kombëtar për shqiptarët e sotshëm?
Bolduin ishte i mendimit se për të njohur një popull sa më mirë, do studiuar cilësitë, veprimet dhe idealet e njerëzve më të spikatur të atij kombi. Heronjtë, thekson ai, janë “majat më të larta” ku janë drejtuar sytë e popullit. “Tregomi heronjtë e një kombi e të tregoj se me ç’komb ke punë”, pohon Bollduin. Duke bërë fjalë për Skënderbeun, ai e shfaqi admirimin e tij për të që në fillim, sepse për të Skënderbeu ishte një vigan si në tiparet fizike, ashtu dhe mendore; ai pati një karakter të fortë, burrëri të rrallë e aspirata të qarta, prandaj i shërbeu atdheut dhe vdiq për të. Bollduini i qaset figurës së Skënderbeut, jo aq nga botëkuptimi i shekullit XX, po bën orvatje ta kuptojë e ta interpretojë fenomenin Skënderbe në saje të disa kritereve të kohës së Skënderbeut.
Profesori Bollduin vë në dukje se guximi i Skënderbeut i siguroi atij përkrahjen e parë të shqiptarëve. “Pas kthimit në Krujë, ai u prit me përzemërsi të thellë nga bashkatdhetarët”, thotë ai, “ndërsa me bashkimin e popullit të përçarë doli në shesh jo vetëm fuqia e tij e madhe prej prijësi, po tregoi se ishte i zoti të luftonte si për lirinë e shqiptarëve, ashtu edhe të “mbarë Evropës”. Ai ua ktheu krenarinë shqiptarëve, “të cilët si një racë burrërore, kishin vendosur të gjithë që të jetonin e të vdisnin për princin e tyre”. Nuk duhet harruar se në atë epokë, oboret e Sulltan Muratit II kishin dërrmuar e shpartalluar një sërë ushtrish të komandantëve të vendeve ballkanike.
Në këtë mënyrë, Sulltani, “po e qante rrugën për pushtimin e Evropës”, rikujton Bollduin. Më tej ai vazhdon: “Ambicia e tij ishte pushtimi i tërë Evropës, por në Skënderbeun me të 15 mijë luftëtarët e tij në fortesat e tyre shkëmbore, Murati II hasi në pengesën e cila i ndali hovin atij dhe pengoi që ta pushtonte Evropën”. Ndërkaq, lidhur me disa tipare dhe cilësi të Skënderbeut, Bollduin vëren se sjelljet e tij ishin të rëndomta, meqë nuk dëshironte të dallohej nga shokët, por “ai i përmbahej një disipline të rreptë, kështu që në ushtrinë e tij ish ndaluar çdo dobësi e padrejtësi”.
Përveç kësaj, ai konstaton se heroi kombëtar shqiptar kishte edhe këto cilësi: qëndresën, çiltërinë, durimin, zgjuarsinë, vendosmërinë, besnikërinë, fisnikërinë, gatishmërinë dhe përvojën e rryer. “Shembulli i tij individual”, përfundon ai, “e përforcoi komandën e tij, prandaj nën komandën e tij shqiptarët e bënë të pathyeshëm”.
Në fund, Bollduin arrin të bindet se çelësi i suksesit të triumfit të Skënderbeut ishte gatishmëria e tij. Së këndejmi, mesazhi i tij për shqiptarët e shekullit XX-të do të ishte që “para se të sulen në luftën për liri, duhet të përgatiten tërësisht”. Por, shton ai, për ta arritur këtë qëllim, “Skënderbeu do ta bashkonte më parë tërë kombin shqiptar”. I frymëzuar nga figura madhore e heroit shqiptar, profesori amerikan përfundon: “A s’ka sot mes jush një Skënderbe, me durimin, vendosmërinë, largpamësinë, pikëpamjet e drejta dhe besnikërinë për ta arritur këtë ideal madhështor?” Kjo është porosia e atij shpirti fisnik për bashkatdhetarët e tij.