Profesori amerikan: Kurti të mos përfshihet në punë të brendshme të shteteve fqinje, të merret me qytetarët e tij
Alon Ben-Meir, profesor në Universitetin e Johns Hopkins në ShBA, njëherësh edhe njohës i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, i ka rekomanduar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, të angazhohet më shumë lidhur me çështjen e vaksinimit të qytetarëve me vaksinën anti-Covid.
Alon Ben Meir ka thënë se kryeministri Kurti nuk duhet të ndërhyjë në punët e brendshme të fqinjëve siç bëri gjatë zgjedhjeve në Shqipëri, përkundrazi ai duhet të merret me çështjet e menjëhershme që prekin qytetarët e Kosovës.
“Tronditëse të shohësh qindra të moshuar të grumbulluar, duke pritur për orë të tëra për të marrë vaksinën e tyre Covid-19. Kjo është një pamje e qartë e dështimit të qeverisë për të trajtuar siç duhet procesin e vaksinimit. Kryeministri Albin Kurti nuk duhet të përfshihet në punët e brendshme të fqinjëve siç bëri gjatë zgjedhjeve në Shqipëri, përkundrazi ai duhet të merret me çështjet e menjëhershme që prekin qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Ben Meir në llogarinë e vet në “Facebook”.
Mosorganizimi i duhur i procesit të vaksinimit dhe mungesa e vaksinave, bëri që ditë më parë të krijohet tollovi para sallës “1 Tetori”, e cila është qendra e vaksinimit në Prishtinë.