Profesori amerikan: Veprimet e Kurtit bëjnë që të gjithë ta harrojnë Banjskën
David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në ShBA, ka thënë se veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po “e ndihmojnë Serbinë” dhe “po bëjnë që të gjithë të harrojnë për Banjskën”.
Kanin i referohet vendimit që e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, si dhe atij për vendosjen e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
“Amerikanët nuk duan që Kurti të bëjë gjëra që nxisin bela në një rajon, që Perëndimi e do vërtet të qetë, derisa merret me gjithçka tjetër që po ndodh në botë”, ka thënë Kanin në një intervistë dhënë “Radios Evropa e Lirë”.
Një ditë më herët, ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, ka thënë se Qeveria e Kosovës po rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara me vendimin e saj për të mos lejuar përdorimin e dinarit serb.
Kanin ka thënë se kjo “do të thoshte shumë, pasi ShBA-ja është mbrojtëse e Kosovës”.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e sanksioneve, por ka theksuar se ShBA-ja “nuk do të shkojë aq larg dhe, thjesht, ta ndërpresë marrëdhënien me Kosovën”.
Kanin ka thënë se Kosova do të duhej ta shtynte sa më shumë që është e mundur zbatimin e vendimit për dinarin, ose ta revokonte tërësisht.
Intervistën e plotë mund ta lexoni: KËTU