Profesori Enver Sopjani i bashkohet Nismës Socialdemokrate
Ish-rektori i Universitetit të Prizrenit, Enver Sopjani, ka aderuar në partinë Nisma Socialdemokrate.
Ardhjen e tij në këtë subjekt politik Sopjani e bëri publike përmes një konference për medie kryetarin i Nismës, Fatmir Limaj.
Limaj ka thënë se ka kënaqësinë të njoftoj qytetarët për aderimin e Sopjanit në këtë parti.
“Profesor Enver Sopjani është profesor i 5 universiteteve të Gjermanisë. Ne si Nismë sot jemi shumë më të fuqishëm dhe më komod në angazhimet tona. Nga sot Enver Sopjani do të jetë këshilltari im si kandidat i ardhshëm për kryeministër dhe krahu im i djathtë në angazhimet e mija”, ka thënë Limaj.
Ndërsa, Sopjani ka thënë se për të është e rëndësishme që është kyqyr në Nismën Socialdemokrate.
“Për mua është e rëndësishme t’i shërbej një partie që merret me çështjet sociale. Tashmë Fatmir Limaj e ka dëshmuar se ka një orientim social dhe kombëtar andaj skeni nevojë me u frikësu se ai do ta shes një ditë Kosovën apo të punojë kundër interesave kombëtare”.
“Kosova nuk ka sigurim social dhe kjo është turp sepse njerëzit frikësohen me shku edhe te doktori të shërohen me mendimin se do të dalin edhe më të sëmurë se sa shkojnë”, ka thënë Sopjani.