Profesori i UP-së zbulon edhe një insekt, e emërton Tinodes lumbardhi
Profesori i Departamentit të Biologjisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, Halil Ibrahimi, me ekipin e tij, zbuloi një insekt të ri në zonat e thella malore të Lumbardhit të Deçanit, brenda Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.
Ibrahimi krijesën e vogël fluturuese e quajti Tinodes lumbardhi, duke përjetësuar edhe emrin e lumit dhe vendit ku e gjeti këtë insekt.
”Gjetja e këtij lloji tregon për pasurinë e madhe të biodiversitetit në Kosovë dhe në të njëjtën kohë për cenueshmërinë e këtyre vlerave që janë themelore për qëndrueshmërinë e lumenjve dhe mjedisit në përgjithësi. Ky zbulim gjithashtu e vendos Universitetin e Prishtinës në listën e institucioneve serioze kërkimore në lëmin e taksonomisë dhe ekologjisë” – deklaroi profesori Halil Ibrahimi.
Zbuluesi i kësaj krijese të brishtë, bëri thirrje që të ruhet mjedisi natyral i qenieve të tilla, në mënyrë që ato të mbijetojnë. Zona e Lumbardhit të Deçanit, sipas aktivistëve të mbrojtjes së ambientit, po dëmtohet nga ndotja dhe hidrocentralet që kanë pakësuar ujin e lumit duke e cenuar cilësinë e këtyre mjediseve.
Profesori Halil Ibrahimi gjatë viteve të fundit ka zbuluar edhe disa insekte tjera nga grupi i insekteve të ujërave nga Sharri, Kopaoniku, etj. Emrat e tyre Potamophylax humoinsapiens, Potamophylax coronavirus dhe Potamophylax kosovaensis lidhen me Kosovën, por edhe pandeminë e rëndë që e kaluam.
Ibrahimit në këtë zbulim dhe punën e tij i ndihmuan edhe anëtarët e tjerë të ekipit hulumtues, profesorët Linda Grapci-Kotori dhe Donard Geci nga Universiteti i Prishtinës dhe Astrit Bilalli e Milaim Musliu nga Universiteti i Pejës.
Zbulimet e profesorit Ibrahimi janë publikuar në revistën „Biodervisity Data Journal” dhe për këtë zbulim raportoi madje edhe “Discover Wildlife”, BBC.