
Profesori Mensut Ademi, kandidat i AAK-së për kryetar të Vushtrrisë
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se kandidat për kryetar të Vushtrrisë në zgjedhjet lokale nga kjo parti do të jetë prof. dr. sc. Mensut Ademi.
“Profesor Mensuti është Doktor i Shkencave Penale dhe Kriminologjisë, ligjërues në disa universitete publike e private në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Evropë dhe Amerikë. Ai është themelues i Asociacionit të Kriminologëve të Kosovës (AKK), Kriminologëve të Ballkanit Perëndimor (WBC), e gjithashtu është anëtar i shoqatave të kriminologëve në Amerikë, Evropë e Azi. Ka punuar në implementimin e shumë projekteve nacionale dhe ndërkombëtare në fushën e kriminologjisë”, ka thënë Haradinaj.
Lideri i AAK-së ka theksuar se kandidimi i tij për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, tregon seriozitetin dhe qasjen që Aleanca e ka në zgjedhjet komunale, orientimin e saj drejt fitores në favor të ndryshimit që e kërkojnë qytetarët.
“Prof. Mensuti dhe ekipi i tij, do të jenë të përkushtuar me tërë dijen dhe ekspertizën e tyre, në shërbim të këtij qëllimi”.
“Mensut Ademi, është baba i katër fëmijëve dhe rrjedh nga një familje atdhetare e intelektuale. Ka qenë luftëtar i orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëmarrës në shumë beteja nga të cilat mban deri më sot plagët e luftës”, ka deklaruar Haradinaj.