Profesori nga Australia, Pedy Dewan, operon 13 fëmijë me probleme të lindura kongjenitale
Në misionin e tij të katërmbëdhjetë në Kosovë, profesori i njohur nga Australia, Pedy Dewan, bashkë me ekipin vendas të Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, po operojnë fëmijë me probleme të lindura kongjenitale.
Deri më tani janë kryer 13 operacione të komplikuara, përderisa parashihet që gjatë këtij misioni të kryhen gjithsej 17 operacione.
Ushtruesja e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi, ka takuar profesorin nga Australia, duke e falënderuar për bashkëpunimin dhe kontributin e vazhdueshëm për fëmijët e Kosovës.
Ajo u shpreh e gatshme për zgjerim të bashkëpunimit të mëtejmë, duke ofruar gjithë përkrahjen e nevojshme institucionale, me qëllim që rastet e fëmijëve që kanë komplikime kongjenitale të operohen në Kosovë dhe mos të kenë nevojë të dalin jashtë vendi.
Drejtoresha bashkë me profesor Dewan dhe drejtorin e Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, Ardian Shefkiu, kanë vizituar disa nga fëmijët që me sukses të plotë janë operuar.