Profili dramaturgjik i Arian Krasniqit
Autor: Adil Olluri, shkrimtar
Arian Krasniqi, emër tashmë i njohur në skenën krijuese e dramaturgjike, i ka të botuar dy përmbledhje me drama. Në të parën, botuar në vitin 2009[1], janë të botuar dy drama (“Gjashtë” dhe “Borë e kuqe”), ndërsa në të dytën, të botuar në vitin 2014[2], janë të përfshira katër drama (“Karremi”, “Kumbulla amerikane”, Ifgjenia kukull” dhe “Arrë e sëmurë”). Ai e ka të botuar edhe një dramë për fëmijë, si dhe ka drama të inskenuara, që ende nuk janë botuar, por në këtë trajtim tonin studimor do të merremi vetëm me dramat për të rritur dhe dramat e tij të botuara. Krasniqi në një moshë relativisht të re e ka krijuar opusin e tij dramaturgjik, gjë që e bën një nga zërat më produktiv, reprezentativ dhe cilësor në dramën shqipe të shkruar dhe botuar në Kosovë në dy dekadat e para të shekullit njëzetë e një.
Një studiuesi të artit në Kosovë i bie tepër rrallë ta shkruaj një recension a një punim studimor për një dramë a disa drama shqipe, meqë prodhimi, përkatësisht botimi, i saj është tejet i vogël në vendin tonë, madje mund të thuhet se është gjinia që më së paku botohet në arealin tonë kulturor e artistik. Andaj, një botim i një drame a cikli të dramave mund të cilësohet si një ngjarje e veçantë kulturore, si një lloj feste për krijimtarinë tonë dramatike.
Mënyrat e shkrimit dramatik
Teoricieni amerikan, Keneth Burke, në studimin e tij për llojet e kritikës, thotë se kritiku mund ta justifikojë zgjedhjen e metodës së tij në tri mënyra: 1. Me anë të argumenteve teorike që përcaktojnë natyrën e saj si dhe fushën e zgjedhjes së tij. 2. Me anë të demonstrimeve praktike të metodës në veprim. 3. Duke dëshmuar se metoda e tij mund të shërbejë si kontribut moral mbi vlerën e saj dhe si tipar dallues (që do të thotë ta argumentojë atë si përfitim kulturor).[3] Andaj, në këtë diskutim tonin analitik do ta zgjedhim mënyrën e dytë, ku me anë të demonstrimeve praktike, pra analizave konkrete të dramave të Krasniqit, do t’i synojmë rezultatet tona interpretuese, sepse siç thotë Ken M. Njuton, në kuptimin e përgjithshëm e gjithë kritika letrare merret me interpretimin.[4] Po ashtu, synimi ynë është interpretimi ynë të jetë më afër mënyrës së analizës imanente (të brendshme) të tekstit letrar.
Arian Krasniqi përdor mënyra të ndryshme të shkrimit dramatik, duke mos qenë ithtar i vetëm një mënyre të shkrimit artistik. Në dy dramat e tij të para, të botuara në vitin 2009, kemi një ligjërim që i ngjanë teatrit të absurdit, një model shkrimi dhe inskenimi teatror, ndërsa në katër dramat e tjera ka një gërshëtim mes modelesh, ku shohim mënyrën e shkrimit që i ngjanë ligjërimit të teatrit të forumit, dramës së konfliktit të jashtëm, madje edhe të dramës me ngjyrime realiste. Po ashtu, e hasim dramën e shkurtër, një aktesh, siç është “Igjenia kukull”, dramën e dialogut dhe konfliktit të brendshëm, siç është drama “Gjashtë” dhe “Karremi”, dramën e tensionit dhe përballjes, si “Arrë e sëmurë”, dramën e forumit e shohim te “Kumbulla amerikane”, që është një eksperiment teatror i llojit të vetë. Te vepra e Krasniqi kemi drama me nga dy personazhe, të cilat tensionin dhe përballjen dramatike e zhvillojnë vetëm për dialogut që është zhvillues dhe domethënës, si dhe drama që kanë shumë personazhe, në të cilat tensioni dhe përballja zhvillohet edhe përmes veprimit dramatik. Në dramat e këtij autori rol shumë të veçantë ka edhe didaskalia, që është tejet shpjeguese dhe ndihmuese për secilin regjisor të mundshëm që mund ta inskenojë nesër një dramë të Krasniqit. Didaskalitë e dramave të tij nuk janë vetëm shpjegime të thata, por marrin karakter veprues dhe bashkërendues me secilin element të ligjërimi dramatik dhe teatror. Në dramën “Kumbulla amerikane” e kemi një element mjaft të veçantë dhe intrigues për një tekst dramatik, siç është prania e personazhit të Narratorit në një tekst dramatik, për të cilin do të flasim pak më poshtë. Veçanti e këtyre dramave është prania e shënjuesve numërorë, që marrin karakter ndërveprues në tekstin dramatik, duke u shndërruar në shënjues metaforik dhe simbolik në ligjërimin artistik të Krasniqit. Te drama “Gjashtë”, numri i vënë që në titull është shënjues mjaft i rëndësishëm, ka vlerë të madhe ideore e artistike, mund të themi sa të një personazhi të dramës. Numri gjashtë i gjithpranishëm në këtë dramë. Rreth tij ndërtohet thuajse i tërë zhvillimi dhe tensioni dramatik. Shënjuesi numëror luan rol edhe te dramat e tjera, si pesëdhjetëshi te “Karremi”. Shënjuesit numërorë nuk janë të rimarrë nga ligjërimi mitologjik dhe biblik, siç mund te merren rëndom për ta krijuar relacionin e ndërvarësisë ideore e tematike, por janë krijime autoriale dhe shërbejnë vetëm për hir të veprës dhe ligjërimit të tij dramatik.
TEMAT, IDETË DHE KONCEPTET
Teoricienia frënge, Julia Kristeva, në librin e saj “Desire in language; A semiotic approach to literature and art”, flet për ideologemën[5], më të cilën nënkupton shenjën dhe shenjat ideore në një vepër letrare. Konceptimet ideore, shtruarjet konceptuale, janë tejet t% pranishme në dramën shqipe të Kosovës, duke prodhuar ideologema të ndryshme, të vlershme për interpretim dhe shtjellim analitik.
Dramat e Arian Krasniqit janë të larmishme edhe në aspektin tematik e ideor. Konceptimet ideore të këtyre dramave kanë ngjyrime si personale të përballjes së brendshme të individit me veten, iluzioni, vetmia, shpresa, por edhe konceptime ideore të përballjes së jashtme të individit me rrethin, dogmën dhe të kaluarën e vendit. Te drama e tij “Gjashtë” kemi një ndërlidhshmëri tematike me romanin “I huaji” të Albert Kamy-së, ku fatet dhe qëndrimet e personazheve për botën dhe veten në këtë dramë shqipe ngjajnë me kryepersonazhin e këtij shkrimtari të rëndësishëm francez. Te “Borë e kuqe” e kemi një konceptim të një faji të pafaj, të një hakmarrje aksidentale, drama “Karremi” na fton në një ligjërim për iluzionin, shpresën dhe ndjeshmërinë e dy protagonistëve të vetëm, “Kumbulla…” është e konceptuar si një ligjërim dramaturgjik me një temë kanunore dhe përballja me të jashtmen për individin është më qenësore se ajo me të brendshmen e tij, ta zëmë me mendimet dhe qëndrimet e tij, meqë për të qëndrimet dhe mendimet e të tjerëve, të rrethit, janë dominuese dhe të padiskutueshme. Dramat “Ifgjenia kukull” dhe “Arrë e sëmurë” shpalosin temën e luftës së fundit në Kosovë, konkretisht konceptohen si ligjërime dramaturgjike që shpalosin motivin tematik të dhunimeve të ndodhura gjatë luftës. Ligjërimi në këto drama nuk është dokumentues, por është psikologjik, duke i vënë në pah pasojat emotive që një ngjarje tragjike mund të shkaktojë te njeriu. Është një ligjërim për një plagë shoqërore, por që në qendër të dramës është individi pësues. Pra, nga kjo që shohim temat dhe idetë në dramat e Krasniqit mund të themi se ato mund të zbërthehen dhe trajtohen edhe përmes një analize psikologjike letrare, meqë ndjesitë e brendshme të karaktereve të dramave të tij janë gjithnjë në qendër të ligjërimit, edhe atëherë kur tekstet e tij flasin për tema e motive individuale, por edhe atëherë kur ato flasin për drama të mëdha shoqërore, si lufta e gjakmarrja.
DRAMAT E ARIAN KRASNIQIT
Drama “Gjashtë” ka në qendër të saj vetëm dy personazhe, Anën dhe Priftin. E para është e dënuar me vdekje dhe në orët e para të mëngjesit, fiks pas gjashtë orëve, do të ekzekutohet. Ana është personazh tipik i dramës së absurdit dhe njëri nga karakteret më reprezentative të këtij modeli dramaturgjik dhe teatror në kulturën tonë. Ai nuk pendohet dhe nuk dorëzohet përballë presionit të autoritetit, nuk kërkon falje për asnjë të bëmë të saj dhe nuk provon në asnjë mënyrë ta ndryshojë përcaktimin e saj jetësor.
“Gjashtë” është më shumë dramë e mendimit, dialogut të tensionuar teatror mes priftit dhe të të burgosurës, e mohimeve dhe qëndrimeve të ndryshme, si dhe e përballjes ekzistenciale. Po ashtu, është një ligjërim që në fund na jep një zbulim të papritur dramatik, një befasi, si element letrar e fabulativ, meqë në fund e zbulojmë se prifti është pikërisht djali i të burgosurës dhe i të dënuares me vdekje. Ky zbulim realizohet përmes mjetit të njohjes, zbulesës, që është mjet i njohur që nga drama antike greke. Mjeti i njohjes apo zbulimit në këtë dramë të Krasniqit është prania e gjashtë gishtërinjve në dorën e të birit të braktisur të Anës, të cilit ia kishte vrarë të atin. Gishtat janë elementi i njohjes në këtë dramë. Siç e kemi thënë edhe më parë, gjashtëshi është shënjues numëror e metaforik në këtë dramë, që është i shumëpranishëm në këtë ligjërim, por që kulmon me gishtërinjtë e priftit, të birit të braktisur.
Dashamirësit e leximeve dhe interpretimeve krahasimtare, këtë dramë të Krasniqit mund ta zbërthejnë edhe duke e parë në paralele në dy romane, njërin të letërsisë shqipe, si “Vdekja në ajër të pastër” të Ymer Shkrelit, dhe tjetrin të letërsisë së përbotshme, si “I huaji” i Albert Kamysë. Me romanin e autorit mund ta interpretojmë për ndërlidhjen me aspektin ekzistencial të raportit të individit me vdekjen. Edhe personazhi i Shkrelit do të pushkatohet në orët e para të mëngjesit. Ndërsa, me Kamynë për aspektin e njëjtë, për të cilin folëm edhe më sipër, si dhe për raportin e ftohtë të individit, Anës, me nënën, familjen dhe rrethin e saj shoqëror.
Drama “Borë e kuqe” është një dramë me një ligjërim dhe motiv të veçantë tematik. Protagonistë të saj të vetëm janë dy gjahtarët, i vjetri dhe i riu. Gjahtari i ri e plagos aksidentalisht të vjetrin dhe ky i fundit nuk pranon që të ndihmohet dhe të dërgohet në spital. Dëshiron të vdes i qetë, solemnisht siç shprehet ai. Gjatë dialogëve të këtyre dy personazheve zbulojmë se edhe gjahtari i vjetër, i plagosuri për vdekje, e kishte vrarë aksidentalisht një gjahtar, që rezulton të jetë pikërisht i ati i gjahtarit të ri. Mjete të zbulimit dramaturgjik apo rinjohjes janë fotografia dhe kroi i fshehur mes malesh, që quhej kroi i gjahtarëve. Gjahtari paqëllimshëm merr “hak” për të atin, që i ishte vrarë aksidentalisht, paqëllimshëm. “Borë e kuqe” është një ligjërim dramatik për atë që cilësohet si hakmarrje e natyrës, si një hakmarrje e së tashmes për të kaluarën. E kaluara e ndjek personazhit e gjahtarit plak. Fshehja e vrasjes, sado e paqëllimshme, së mikut të tij është jehonë dhe hije që nuk e lëshon dot. Andaj, fundin si i vrarë nga dora e të birit të tij e sheh si vdekje të merituar, të cilën do ta merrte herëdokur. “Borë e kuqe” është një dramë me plotë kthesa dramatike dhe me një dialogim ndërveprues dhe mjaft cilësor nga ana e aspektin stilistik.
“Karremi” është një tekst dramaturgjik me dy personazhe, Plakut dhe Plakës, të cilët jetojnë dhe veprojnë për hir të ëndrrës, iluzionit të tyre se e ardhmja do të jetë më ndryshe. Një ardhme e projektuar nga ana e protagonistëve, për të cilën janë në gjendje të japin çdo gjë, madje edhe pjesët e tyre të trupit. Karaktere të shkëputura nga realiteti dhe të drejtuara kah projeksioni ideal. Ata përjetojnë shqetësime e probleme të shumta në rrugëtimin e tyre gjysmëshekullor. “Karremi” nuk është një dramë e veprimit, por e asociacioneve dhe ideve, ku vihet në spikamë tirania e fatit të pashmangshëm, të cilit s’mund t’i përbishtnojë qenia njerëzore, sado që mund të bëjë përpjekje titanike e sakrifica vetëmohuese. Kjo dramë e Arian Krasniqit, sado që në pamje të parë duket e thjeshtë, ajo ngërthen në vete mesazhe e kuptime, që mund të interpretohet varësisht prej këndshikimit të kritikut apo edhe lexuesit të këtij teksti letrar.
“Kumbulla amerikane”, ashtu siç thuhet edhe në peritekstin e saj, është një dramë kanunore. Të tillë e bën motivi, përmbajtja dhe atmosfera në të cilën zhvillohet veprimi dramatik. Edhe pse epiteti “dramë kanunore” nuk nënkupton përcaktim zhanror të tekstit, ai e bën dallueshmërinë e tij në aspektin tematik dhe në këndvështrimin a perspektivën për një grup të caktuar tekstesh dramatike, që mund të jenë të identifikueshme me këtë premisë, duke qenë se burimi i tyre tematik është “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, që është njëra nga shtyllat kryesore prej nga rrjedhin temat e letërsisë shqipe. Duke qenë se autori i saj është një njohës i mirë i teorive të artit dramatik, mendoj se një përcaktim i tillë nuk është i paqëllimshëm. “Kumbulla amerikane” është një dramë e ritualit, në të cilën thuajse në mënyrë të detajizuar na shfaqet riti kanunor i “Drekës së mortit”, ku dorasi, në këtë rast Shpendi, sipas një kodi tradicional, duhet të shkojë në drekën që do ta shtrojë familja e Sokolit, njeriut që e kishte vrarë me dorën e tij. Përcaktimi si dramë e ritualit ka të bëjë me përkatësinë e një drame nëse ajo shihet, pos si tekst dramatik, edhe si potencial artistik për inskenim teatror, që do të na jepte një shfaqje ku publiku do të ishte bashkëpjesëmarrës në veprimin dramatik. “Kumbulla amerikane” është një tekst që na jep një personazh të dyzuar, siç është Shpendi. Ai është në mes të dhimbjes për njeriun që e kishte vrarë dhe detyrës “burrërore” që e kishte kryer “denjësisht”. Ai duhej ta vriste Sokolin dhe ia kishte arritur qëllimit. Por, meqë është qenie njerëzore, ai ndien dhembshuri për njeriun që kishte pësuar nga akti dhe detyrimi i tij.
“Ifigjenia kukull” është një dramë e shkurtë dhjetëminutëshe, në të cilën përjetimi amnor është në qendër të tematikës së saj. Për dallim nga “Ifgjenia n’Aulidë” e të lashtit Euripid, në të cilën e ëma e përgatit të bijën për sakrificën e madhe, te “Ifgjenia…” e Arianit është pikërisht nëna që bën përpjekje vetëmohuese për ta shpëtuar vajzën e saj të re. Me gjithë sakrificën e së ëmës, Ifgjenia kosovare nuk mund të shpëtojë dot. Dramaturgu Krasniqi me këtë rast, na jep një krijim të rikontekstualizuar dramatik, që tragjedinë antike e merr vetëm si një bazament ideor, për ta transformuar dhe zhvendosur pastaj në një ndodhi të mundshme në luftën e fundit në Kosovë. Pra, kemi një rimarrje tematike dhe ideore nga antikiteti letrar grek. Një rimarrje të tillë letrare kritika tradicionale shqiptare e cilësonte si asimilim pozitiv[6], por që në teoritë moderne të interpretimit cilësohet si akt intertekstual, ku teksti i ri (romani bashkëkohor) ka një relacion varësie me hipotekstin[7] (tekstin e vjetër prej të cilit rrjedh).
Tema dhe motivet e luftës së fundit në vendin tonë i ka prekur edhe krijuesit tanë të teksteve dramatike. Në këtë vazhdë është edhe teksti dramaturgjik i Arian Krasniqit “Arra e sëmurë”. Është një dramë e karakterit, që fund e krye e trajton gjakimin e individit për ta zbuluar një të fshehtë, në këtë rast psenë e vetëvrasjes së babait, që e shqetëson vazhdimisht kryeprotagonistin, i cili është rritur me këtë mister, që ia mbante të fshehur e ëma e tij. Ajo nuk kishte dashur ta lë djalin që të rritet me ndjenjën se gjatë luftës, vite më parë, i është dhunuar nëna, ndërsa babai i tij, meqë nuk kishte mundur ta mbronte, pas luftës nuk kishte duruar më dhe e kishte vrarë veten. Ky tekst e ka në strukturën e tij premisën aristoteliane të rinjohjes, motiv ky që e ka përcjellë krijimtarinë e përbotshme dramatike që nga antika e deri më sot. Dramën e Arian Krasniqit “Arra e sëmurë” do ta veçoja për shkak të ndjeshmërisë me të cilën përcillet veprimi dramatik, si dhe mundësisë që ky tekst na i ofron për një analizë psikanalitike të karakterit.
Arian Krasniqi me ligjërimin e tij dramaturgjik dhe artistik na i ofron asociacionin e ideve dhe mesazhin e figurshëm, ritualin kanunor dhe ndjesinë e individit brenda tij, përjetimin dhe sakrificën amnore, rinjohjen dhe dramën e karakterit, dramën dhe teatrin e absurdit dhe motivin e vrasjes së paqëllimshme dhe hakmarrjes së natyrës ndaj të kaluarës së individit. Me këtë gamë motivesh e pikëshikimesh ai na shfaqet si një krijues i formuar i artit dramaturgjik, që shkrimin artistik nuk e ka aktivitet të çastit, por një veprimtari që e kultivon në çdo çast.
[1] Arian KRASNIQI, Dy drama, Faik Konica, Prishtinë, 2009
[2] Arian KRASNIQ, Drama, Pomo, Prishtinë, 2014
[3] Keneth BURKE, Llojet e kritikës, përktheu Sazan Kryeziu, revista letrare “Jeta e re”, nr. 2, Prishtinë, 2015, f. 258
[4] Teori dhe kritikë moderne, zgjodhi dhe përktheu Nysret Krasniqi, Rozafa, Prishtinë, 2008, f. 403
[5] Julia KRISTEVA, Desire in language; A semiotic approach to literature and art, Columbia University Press, Neë York, 1980, f. 37
[6] Alfred UÇI: “Mitologjia, folklori, letërsia”. Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1982, f. 6
[7] Gerarde GENETTE: “Paratexts”- thresholds of interpretation”, translated Jane E. Lewin, Cambridge University Press, Cambridge, 1997, f. XV