Profili i Elvis Kelmendit që u arrestua në Bosnjë, çfarë veprash ka kryer në Kosovë

13 korrik 2022 | 08:31

Elvis Kelmendi, djali i Naser Kelmendit, është arrestuar të martën nga Njësia Speciale e Bosnjë-Hercegovinës në një aksion të madh kundër krimit.

Babai i Elvisit, biznesmeni nga Peja, ishte i përfshirë në një sërë veprash kriminale bashkë me djemtë.

Elvisi është djali i madh i Naserit, i cili së bashku me vëllezërit, Liridonin dhe Besnikun, janë në listën e anëtarëve të karteleve kriminale nga Meksika dhe Amerika Latine.

Probleme me ligjin Elvisi ka pasur edhe në të kaluarën. Ai në vitin 2010 ishte akuzuar për vrasje.

E kishte pranuar fajësinë pasi një prokuror i EULEX-it ia kishte ndryshuar cilësimin juridik veprës nga vrasje e rëndë në tentativë, që është e dënueshme minimumi 10 vjet burgim, në vrasje në tentativë.

Ai ishte arrestuar edhe në Beograd në vitin 2017 për dhunë në familje dhe armë pa leje.

Elvisi u denoncua në polici nga e dashura e tij.

Bashkë me babanë dhe dy vëllezërit e tij janë të përfshirë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si trafikues ndërkombëtar të drogës.

Po ashtu, Elvis Kelmendi ishte shfaqur në publik në vitin 2019, ku përmes një videoincizimi kishte kërcënuar Demë Elshanin, me familjen e të cilit janë në hasmëri që 21 vjet.

Ai ishte në kërkim nga Policia e Kosovës, madje për këtë PK kishte kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve për çdo informacion rreth vendndodhjes së tij.

Familja Kelmendi njihet për zotërim të madh të pasurisë. Anëtarët e saj cilësohen si “bosët e drogës” dhe janë të kërkuar nga njësitet policore në disa vende të Ballkanit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të shkojë sot në…