Profili i Kadri Veselit: Nga takimi me Adem Jasharin deri tek aksionet e armatosura kundër forcave serbe
Në mëngjesin e sotëm është njoftuar edhe për konfirmimin e aktakuzës së katërt ndaj njërit prej njerëzve kyç të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
I njohur me nofkën “Luli” dhe shef i Shërbimit Informativ të Kosovës (ShIK), Kadri Veseli është i akuzuari i radhës nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për krime gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998/1999.
Në mëngjesin e sotëm, Veseli përmes një deklarate për media ka njoftuar se i është konfirmuar aktkuaza dhe në mënyrë vullnetare do të niset për në Hagë.
“Dje pasdite, jam informuar nga Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara se gjyqtari i procedurës paraprake ka konfirmuar aktakuzën kundër meje. Përmes kësaj deklarate, dua ti informoj qytetrët e Kosovës se kam bërë aranzhimet e nevojshme për të udhëtuar vullnetarisht drejt Hagës në mënyrë që t’iu përgjigjem këtyre akuzave. Nuk do të komentoj më shumë kësaj radhe”, ka thënë Veseli.
Por kush është ish-shefi i ShIK-ut, Kadri Veseli?
Veseli u lind më 31 maj të vitit 1967 në Mitrovicë. Shkollimin fillor e të mesëm e kreu po ashtu në vendlindje. Në vitin 1990 filloi studimet në Prishtinë, në Fakultetin e Bujqësisë si dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe.
Aktivitetin politik ai e nisi si student më 1988-1989, në radhët e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK-më vonë LPK).
Në vitin 1990, në kohën kur sapo kishte nisur studimet në Prishtinë, bashkë me Hashim Thaçin, bien në kontakt me udhëheqësin e atëhershëm të Ilegales (LPRK-së), Afrim Zhitia, prej të cilit marrin ide dhe premisa rreth organizimit politik për jetësimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Më 1991 ai shkon në Shqipëri.
Në Tiranë takohet me Grupin e Prekazit me në krye komandantin Adem Jashari dhe bashkë me të realizojnë aksionet e para të armatosura kundër policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë. Ndërsa në vitin 1993 mori pjesë në një mbledhje të thirrur nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, dhe ky takim mund të konsiderohet si dita e themelimit zyrtar të UÇK-së.
Në këtë kohë ai emërohet komandat i Shërbimit të Zbulim Kundërzbulimit (G-2) të UÇK-së, përgjegjësi të cilën do ta ushtrojë me shumë sukses deri në përfundim të luftës. Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi forcat ushtarake të Serbisë (24 mars 1999), ai me njësitet e tij të ZKZ-së do të jetë burimi i vetëm i informacionit për lëvizjen dhe ndodhjen e forcave ushtarake serbe në territorin e Kosovës.
Pas çlirimit të Kosovës (12 qershor 1999), krahas njësiteve të tjera të UÇK-së edhe shërbimi i Zbulim Kundërzbulimit (G-2), vendoset në Prishtinë për ta vazhduar misionin në rrethana të reja. Në kushtet e paqes shërbimi ushtarak i Zbulim Kundërzbulimit doemos duhej të transformohej në shërbim të inteligjencës. Mund të thuhet se Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK) është formacioni i fundit i UÇK-së, (pas Trupave Mbrojtëse të Kosovës), i cili u shua vetëm pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt 2008.
Në fund të viti 2012, Kadri Veseli anëtarësohet në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke iu nënshtruar procedurave demokratike të zgjedhjeve dhe në Konventën VI të PDK-së që u mbajt më 27 janar të vitit 2013 ai mori votat e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm për t’u bërë zëvendëskryetar i kësaj partie.
Veseli u votua kryetar i Kuvendit të Kosovës më 8 dhjetor 2014. Ndërsa në krye të PDK-së ai erdhi pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, i cili e liroi postin për shkak të detyrimeve kushtetuese për të marrë postin e Presidentit të Kosovës.
Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, Veseli u rizgjodh si Kryetar i Kuvendit më 7 shtator 2017.
Ndërsa sot pas konfirmim të aktakuzës Veseli ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha postet publike.
“Kjo gjë do të kërkojë angazhimin dhe përqendrimin tim të plotë, dhe prandaj kam vendosur që të tërhiqem nga të gjitha aktivitetet publike e politike për sa kohë zgjatë ky proces. Nuk do të bëj deklarata të tjera publike apo paraqitje zyrtare në Kosovë ndërkohë që procesi gjyqësor vazhdon. Të paktën për momentin, jam një qytetar privat. Deri në fund të këtij procesi, do të kërkoja që ky qëndrim i imi të respektohet nga të gjithë në Kosovë, veçanërisht nga ata të cilët janë të angazhuar në media apo në jetën publike dhe politike”, ka thënë Veseli.