Profilizim apo pështjellim në përgjithësim
Altin Ademi
Në shkrimin pararendës “A është i definuar politikisht qytetari i Kosovës”, kam folur për “varfërinë” e madhe ideore që i përcjell dhe karakterizon partitë politike në Kosovë, e përmes së cilës, ato ndikojnë edhe tek paqartësitë në orientimin e qytetarëve për tu përcaktuar politikisht rreth synimeve e qëllimeve të përbashkëta politike. Në këtë shkrim, këtë dilemë do ta demonstroj me listimin e disa koncepteve politike që përbëjnë themelin e përcaktimit. Partitë politike kosovare pa përjashtim, shquhen për investime në marketingun politik dhe konsulencën zgjedhore, që të dyja në funksion të propagandës.
Por as konulenca e as marketingu nuk është se mund t’ua zhvillojë vetëdijen politike rreth misionit të tyre dhe veçmas ndaj përfaqësimit që ato pretendojnë se bëjnë. Kështu bie fjala, të gjitha partitë politike kanë tendencë për të promovuar vlera të supozuara politike. Ato duan të identifikohen me luftën kundër korrupsionit, me barazinë gjinore, me zhvillimin ekonomik, me integrimet, me rininë, arsimin, shkencën e shëndetësinë. Këto tema janë pjesë e përgjithësuar e politikës publike, pas së cilave është lehtë të fshihet deficiti i vetëdijes politike. Kështu që subjektet politike kosovare, ndonëse duhet t’i çmosh për përkushtimin për të hartuar plane e projekte rreth këtyre temave, do t’i zije tepër ngushtë nëse ju kërkon një shpjegim a qëndrim politik, rreth themeleve të vërteta të ideve politike mbi të cilat qëndrojnë këto tema. Ta zëmë si shembull, barazinë. Të gjitha partitë qëndrojnë për barazi. Por asnjëra nuk e di se për cilën barazi qëndron.
Votuesi që është mësuar me tingullin e fjalës barazi, rrjedhimisht, nuk e ka të qartë se a bëhet fjalë për barazinë si status qytetar, për barazinë para ligjit, për barazinë në merita, për shpërndarjen e barabartë të të mirave, apo për barazinë e shanseve. Secila nga këto emërtime barazitare që i kam dhënë këtu, qëndrojnë në shtylla të ndryshme ideore, janë të kundërta me njëra tjetrën, përfaqësojnë modele e sisteme të ndryshme politike dhe ekonomike. Megjithatë, në mendësinë e partive politike Kosovare, ato shkrihen e unifikohen në një emër të thjeshtë: barazi. Mungesa e qartësisë politike krijon paqartësi rrethanore e të shumëfishuara, rezultati i të cilave në fund është gjithmonë i njëjtë: qytetarë që votojnë e mbesin të pakënaqur me zgjedhjen e tyre, si dhe politikanë që marrin mandat, pa e ditur se çfarë kanë për detyrë të zbatojnë ndaj votuesve që i kanë zgjedhur.
Lista e temave që karakterizon mungesën e vetëdijes dhe përcaktimit politik të partive politike në Kosovë është e gjerë, prej çështjeve meta politike siç janë qëndrimi ndaj historisë, religjionit, kombit e proceseve historike të shtet formimit, e deri tek ato më të thjeshtat që lidhen me situata të përditshme. Për ta ilustruar më të qartë këtë listë, i kam shtruar disa më kryesoret në formë pyetjesh, të cilat do të duhej të provokonin mendimin politik brenda kuadrove partiake dhe kryesive surrogate. 1. Barazi sociale apo zhvillim kapitali? 2. Barazi si egalitarizëm apo meritokraci? 3. Shoqëri progresive apo shoqëri konzervatore? 4. Tregti e drejtë apo tregti e lirë? 5. Ndërhyrje në jetën shoqërore apo mos ndërhyrje në jetën shoqërore? 6. Mbështetje për punëtorët apo mbështetje për ndërmarrësit? 7. Liri personale apo liri ekonomike? 8. Fokusi tek individi apo fokusi tek shoqëria? 9. Më shumë taksa e më shumë shpenzime apo më pak taksa dhe më pak shpenzime? 10. Përpjekje për të ndryshuar realitetin apo përpjekje për të ruajtur gjerat e mira në realitetin ekzistues. 11. Evolucion apo status quo? 12. Shoqëri inkluzive, multikulturore dhe evoluese apo shoqëri ekskluzive, kombëtare dhe e establishuar? 13. Etikë apo moral? Etj.
Jam thellësisht i bindur se qytetarët e Kosovës e kanë një vetëdije qytetare e civile mjaftueshëm të lartë për tu përcaktuar mbi këto shtylla ideore që shumëfishohen, gjejnë zbatim e prodhojnë efekte reale për jetën e tyre, varësisht se për çfarë ata besojnë se ju duhet këtyre të fundit. Por ata janë të nën përfaqësuar nga protagonistët politik të fatit e korridoreve, që s’ndjejnë nevojë për t’u trazuar me këto çështje. Prandaj ka një varfërim të madh politik në sferën publike ku është e predispozuar të shtjellohen të njëjtat. Për më tepër, për të pasur kuptim politika, ajo duhet të trajtohet në së paku tre dimensione: në dimensionin ideacional, apo ideve që rrëfejnë qëllimin politik; në dimensionin institucional, apo institucioneve, strukturave dhe mekanizmave që do të prodhojnë këto ndryshime; si dhe në dimensionin psikologjik, apo besimit, vlerave e legjitimitetit ndaj të cilit qytetarët nënshtrohen me vetëdije.
Mungesa e qartësisë ideore për çfarë qëndrojnë subjektet politike në Kosovë, e dehumanizon skenën politike dhe e tëhuajzon atë nga bindjet dhe pritjet e qytetarëve. Si pasojë e kësaj, ajo çfarë rëndom kuptohet në Kosovë me asociacionin “parti politike” përmblidhet në tre segmente: influencë e grupeve të interesit; politikanë që kërkojnë maksimizim të votës; si dhe iluzion fiskal. Paqartësia rrjedhimisht, i bën ato të dyshimta në agjendë dhe përmbajtje. Një liberal i definuar qartë për nga vlerat me të cilat do të identifikohet dhe brenda kuadrit të së cilave do të jetojë, e ka të pamundur ta hedhë besimin e tij në një subjekt politik kosovar të vetëshpallur liberal, e që praktikisht, gjuha, argumentet dhe kauzat e të cilës, janë të panjohura si për liberalin po aq edhe për Liberalizmin.
Ngjashëm siç një kozervator që i do asocimet me rendin e mirëfilltë të traditës, e që nuk gjen asgjë tradicionale në partitë e vetëshpallura të rangut konservator. Shpëtimi që i ka mbajtur deri më sot në skenë këto subjekte ka qenë përgjithësimi, sepse problemet kryesisht kanë qenë të përgjithësuara. Por përgjithësimi sot është i pamjaftueshëm. Qytetarëve të Kosovës në kulturën e tyre diversitare të bindjeve, ju duhen adresa të qarta që kanë vetëdije e agjendë të qartë dhe qartësisht të dalluar. Vetëm kështu do të mund të përshpejtohej cikli i përmbylljes së tranzicionit nga politika si statusquo drejt politikës si alternativë