Programi FIBA TIME OUT 2.0 fillon në platformën online, Rugova përfaqësues nga Kosova
Programi prestigjioz TIME-OUT 2.0 tani është duke u zhvilluar zyrtarisht përmes video-konferencave, me 52 pjesëmarrës nga e gjithë Evropa.
Si vazhdim i programit jashtëzakonisht të suksesshëm FIBA TIME-OUT, projekti synon të promovojë edukimin përmes sportit, duke zhvilluar aftësi që, sportistët do të përdorin në karrierën e tyre në të ardhmen jashtë fushës.
Seminari hapës i TIME-OUT 2.0 u përqendrua në prezantimin e moduleve për Biznesin e Sportit të udhëhequr nga ekspertë të FIBA-s, si dhe një përmbledhje të kursit të lidershipit dhe Menaxhimit nga Shkolla e Biznesit e Universitetit Northumbria.
Pjesëmarrësit po ashtu do të mësojnë nga përvoja e të diplomuarve nga programi origjinal TIME-OUT, ku ata do të marrin këshilla nga bashkëmoshatarët e tyre dhe mësojnë si të udhëzojnë lojtarët e tjerë.
Seminari hapës ka përfshirë mysafirë të veçantë, si ish-ylli i ekipit kombëtar italian, Raffaella Masciadri, e cila aktualisht është Presidente e Komisionit të Atletëve të Komitetit Olimpik të Italisë dhe anëtare e Komisionit të Lojtarëve të FIBA-s, si dhe ish-kapiteni i ekipit kombëtar çek, Pavel Pumprla.
Pjesëmarrësit, të cilët përfaqësojnë 28 Federata Kombëtare Evropiane, do të kenë mundësi të ndjekin ligjëratat e Kady Kanoute Tounkara, i cili është anëtar i Komitetit të Karrierës dhe Drejtimit të IOC. Pas këtij sesionit (22-26 Qershor), lojtarët do të vazhdojnë mësimin ‘online’ para se të ndjekin seminarin e dytë, të planifikuar për në fund të gushtit në Pragë, në Republikën e Çekisë.
Federatën e Basketbollit të Kosovës në këtë program prestigjioz e përfaqëson Granit Rugova, Drejtor i Përfaqësueseve të Kosovës. Ky projekt është unik dhe ka në shënjestër lojtarët elitë që janë pensionuar së fundi nga basketbolli dhe të cilët dëshirojnë të vazhdojnë karrierën e tyre në sportin jashtë fushës, ndërsa përbëhet nga një listë impresive, me emra të nderuar, duke përfshirë këtu kampionë olimpik, evropian dhe në nivel të klubeve.