Programi Kompakt, dëshmi e fuqisë së partneritetit Kosovë-SHBA
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të fillimit zyrtar të Programit Kompakt, ka pritur sot në takim Cameron Alford, zëvendëspresident në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Në takim u diskutua për fillimin zyrtar të Programit Kompakt, me ç’rast, presidentja Osmani theksoi se granti prej mbi 200 milionë euro nga MCC-ja do ta transformojë thellësisht sektorin tonë të energjisë.
Tutje, presidentja Osmani tha se ky program do të japë kontribut strategjik në përmirësimin e infrastrukturës energjetike, fuqizimin e sektorit privat, si dhe do t’i nxisë mundësitë ekonomike për qytetarët e Kosovës.
Në këtë frymë, Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të MCC-së, ndërsa theksoi se Programi Kompakt është investimi më i madh në fushën e energjisë dhe shërben si dëshmi e fuqisë së partneritetit Kosovë-SHBA.
Presidentja, po ashtu, theksoi se ky program do ta garantojë një të ardhme energjetike ku gratë do të kenë rol kyç dhe do të jenë kontribuuese aktive në adresimin e sfidave të së ardhmes në fushën e energjisë.