Programi Nacional për Rininë ka marrë mbështetjen e spektrit politik

14 nëntor 2019 | 18:08

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport (KNKRS), Rexhep Hoti, ka bërë me dije se KNKRS-ja ka filluar përgatitjet për fillimin e garave të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe Sportit.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ai ka thënë se janë në fazën e zbatimit të këtyre garave nëpër të gjitha shkollat e vendit. Hoti ka theksuar se Programi Nacional për Rininë është programi i parë në përmasa të tilla që ka marrë mbështetjen e të gjithë spektrit politik të vendit si nga pozita, po ashtu edhe nga opozita.

Ai ka mohuar zërat se hartimi i Programit Nacional është bërë pa konsultime paraprake me institucione përkatëse dhe pa përfshirjen e ekspertëve, psikologëve dhe pedagogëve. Hoti ka treguar se KNKRS-ja ka nënshkruar 40 marrëveshje, prej të cilave 29 janë marrëveshje bashkëpunimi me komunat e Kosovës, dy marrëveshje rajonale, një marrëveshje ndërkombëtare, gjashtë marrëveshje me universitete si dhe dy marrëveshje me kolegje

 “Epoka e re”: Z. Hoti, duke i parë lajmet mbi aktivitetet tuaja nëpër shkolla, fitohet përshtypja se diçka është duke ndodhur nëpër shkolla në këtë kohë kur gjithçka duket të jetë në pritje të qeverisë Kurti?
Hoti: Me fillimin e vitit të ri shkollor KNKRS-ja ka filluar edhe përgatitjet për fillimin e garave të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe Sport dhe tash jemi në fazën e implementimit të këtyre garave nëpër të gjitha shkollat e vendit pa dallim. Natyrisht se koha e pritjes së një qeverie për ta dorëzuar mandatin dhe e tjetrës për ta pranuar atë shfaq vetvetiu vështirësi. Ato i hasim në përditshmërinë tonë, por përballë ngecjeve të tilla na duhet më shumë punë e aktivitete në terren.

“Epoka e re”: A mund të na thoni më konkretisht çfarë është pozita juaj prej Koordinatori dhe çfarë obligime dhe përgjegjësi keni në rrafshin praktik, pasi në këtë drejtim ende ka paqartësi të ndryshme në opinion apo gjetkë?
Hoti: Me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 07/63 dhe me aprovimin e Planit të Punës së Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport janë plotësuar Neni 47 dhe 48 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe Ligji për Arsimin Parauniversitar ku është e garantuar e drejta e fëmijëve për arsim dhe për t’i shfaqur talentet e tyre. Me një fjalë, e drejta për t’u arsimuar në mijëvjeçarin e tretë nënkupton drejtpërdrejt mundësinë e mësimnxënies dhe mundësinë e aktiviteteve dhe veprimtarive jashtëkurrikulare e kurrikulare për të gjithë nxënësit pa dallim. KNKRS-ja e plotëson boshllëkun e Nenit 47 dhe 48 të Kushtetutës së Republikës duke ua ofruar mundësinë 316 mijë nxënësve të Republikës në aktivitete jashtëkurrikulare e kurrikulare që, në qoftë se shprehemi me fakte matematikore, krahas mësimnxënies, kap hiç më pak se 50 për qind të kohës së formësimit të personalitetit të çdo nxënësi. KNKRS-ja e ka futur në zbatim parimin fundamental kushtetues që është gjithëpërfshirja e nxënësve pa dallim etnie, gjinie, gjuhësie, fetare a dallime të tjera.

“Epoka e re”: A mund të na thoni cilat janë rezultatet e gjithëpërfshirjes së këtyre garave në nivel vendi.
Hoti: KNKRS-ja nga garat e përgjithshme në nivel shkolle, komune dhe republike të Garave Nacionale në Dituri dhe të Garave në Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik, prej 316 mijë nxënësve sa ka gjithsej në Republikën e Kosovës në nivelin fillor të mesëm të ulët dhe në nivelin e mesëm të lartë, janë shpallur 44 723 fitues nga 29 komuna pjesëmarrëse. Prej tyre në nivelin shkollor janë shpallur gjithsej 40 624 fitues. Të gjithë fituesit janë pajisur me certifikata qeveritare. Ndërsa në nivel të garave nëpër komuna në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik kemi 2 078 fitues, kurse në të Diturisë kemi gjithsej 1 467 fitues. Të gjithë fituesit do të pajisen me nga një set librash në vlerë prej 50 eurosh. Po ashtu, të gjithë nxënësit fitues të nivelit të Diturisë klasa e I-rë dhe e II-të do të pajisen me nga një set librash, pasi që gara për ta mbaron në këtë nivel për shkak të natyrës së garës e cila e ka ruajtur karakterin thelbësor të lojës në formësimin e saj. Të gjithë fituesit në nivel republike, që janë 554 fitues, kanë qenë nëpër kampe kreative në Malet e Sharrit dhe në Shqipëri për tri javë në tri grupe. Me në një fjalë, i bie se gati çdo i 6-ti nxënës në Republikën e Kosovës ka marrë një çmim në një garë të mbajtur nëpër shkolla.

“Epoka e re”: A mund të na thoni se si dhe sa e kanë gjetur mbështetjen garat e Programit Nacional për Rininë?
Hoti: Nuk dua të flas për pjesën e detyrueshme institucionale të garave, që do të thotë se çdo institucion arsimor shkollor përkatës publik (tek arsimi privat jemi në rrjedhë të aplikimit) është i obliguar ta zbatojë atë. Por, dua ta them këtë: paramendojeni që në pjesëmarrjen e Garave të KKMK dhe të Diturisë prej të cilave kanë dalë 44 723 nxënës fitues, kanë marrë pjesë mijëra gra e burra të institucioneve tona arsimore, pjesa dërrmuese pa e marrë asnjë cent. Ky vullnet nuk ka ndodhur në asnjë kohë. Kjo e ka dëshmuar gjithëpërfshirjen në shkallë republike. Energjinë që kanë njerëzit për të investuar në arsim te fëmijët. Por institucionet qendrore, qeveria e ardhshme Kurti, ka detyrime shtesë për ta realizuar këtë të drejtë kushtetuese dhe për ta funksionalizuar e standardizuar për kohë të ardhshme, me çka formësohet në tërësi edhe parimi i dytë fundamental i Programit Nacional për Rininë e që, krahas gjithëpërfshirjes, është edhe vijueshmëria.

“Epoka e re”: Mos dëshironi të thoni se ju ende pa ardhur qeveria keni diçka për të kërkuar nga qeveria Kurti?
Hoti: KNKRS-ja i përgjigjet qeverisë dhe kryeministrit. Ata do ta shohin performancën e institucionit të KNKRS-së. Nga përvoja e terrenit janë evidentuar dy propozime konkrete që ndërlidhen me aktivitetet dhe veprimtaritë e nxënësve dhe institucionet shkollore në tri fushat e mbajtjes së garave në KKMK, në Dituri dhe në Sport, e që i bie veprimtari e aktivitete për 948 mijë nxënës. Arsimi është dielli, mendoj, më pas vijnë disa hapësira të zbrazura e pas tyre mund të vijnë liria, zhvillimi ekonomik, demokracia e çka jo tjetër. Vetëm me arsim e kemi mundësinë e avancimit më të shpejtë dhe të mundshëm te shoqëritë e avancuara të planetit. Kjo nuk i kushton shumë buxhetit dhe kjo nuk do të thotë mospërfillje të agjendave të tjera. Përkundrazi. Do të thotë arsimim dhe edukim për to.

“Epoka e re”: A keni brengë se kryeministri në ardhje, Kurti, edhe mund t’ju largojë?
Hoti: Nuk kam brengë. Me rëndësi është Programi Nacional për Rininë që është ekskluziv për nxënësin dhe studentin. Z. Kurti dhe qeveria e tij e ka të miratuar programin e parë që garanton bashkimin kombëtar për nxënës dhe studentë. Çka do të thotë se KNKRS në qeverinë Haradinaj e ka miratuar mundësinë e bashkëpunimit bilateral të Programit (Kosova me cilindo shtet fqinj apo rajonal), multilateral (Kosova me disa shtete fqinje a rajonale njëherësh) dhe mbarëkombëtar (Kosova, brenda së cilës marrin pjesë edhe Lugina e Preshevës, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia dhe Diaspora). Madje, në këtë drejtim KNKRS-ja ka shkuar edhe më larg. Zyra e KNKRS ka hartuar edhe Draftprogramin Nacional për Rininë, me gjithë draftbuxhetet e kalkuluara për të gjithë nxënësit dhe studentët e Republikës së Shqipërisë dhe këtë Program ia kemi dorëzuar personalisht kryeministrit Rama dhe ministres së Arsimit të tij, me insistimin e vet kryeministrit të Shqipërisë. E kemi hartuar edhe Draftprogramin Nacional për Rininë për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për Malin e Zi për të gjithë nxënësit dhe studentët e tyre me pjesë të draftit edhe për buxhet. Këtë e kemi bërë nga vullneti për të dëshmuar se gara mbarëkombëtare nuk është një dashuri, përkushtim dhe ideal i yni që i përjashton garat bilaterale apo multilaterale me shtetet e tjetra. Përkundrazi. Kjo e rrit dashurinë dhe respektin për veten tonë në radhë të parë. Një dhuratë më të madhe nuk kam mundur t’ia përgatis idealit që ka z. Kurti nga ajo që kam kuptuar tash e disa dekada prej tij.

“Epoka e re”: A jeni takuar me z. Kurti personalisht për të biseduar për këto gjëra?
Hoti: Jo, nuk jam takuar kurrë me zotin Kurti për të biseduar për programin Nacional për Rininë. Z. Kurti, sikurse edhe z. Mustafa, janë informuar personalisht nëpërmjet njerëzve të tyre për gjithë Programin dhe për të gjithë udhëzuesit. Po ashtu, janë informuar 120 deputetë. Me z. Kurti, sa më kujtohet, kam pasur krejt dy takime, njëri në një debat televiziv në vitin 2004 dhe një takim për kafe para 5 apo 6 vjetësh.

“Epoka e re”: Ka pasur zëra se hartimi i Programit Nacional është bërë pa konsultime paraprake me institucione përkatëse dhe pa përfshirjen e ekspertëve, psikologëve, pedagogëve etj. Çka mund të na thoni në këtë drejtim?
Hoti: Para aprovimit në qeveri, Programi Nacional për Rininë u është nënshtruar procedurave të nevojshme si dhe ka qenë në platformën për konsultime publike. Zyra e KNKRS ka hartuar 17 udhëzues për mbajtjen e garave në bashkëpunim me grupet punuese me ekspertë të fushave përkatëse, ku në përbërje ka pasur profesorë universitarë, pedagogë, psikologë, përfaqësues të federatave sportive, mësimdhënës, anëtarë të shoqërisë civile, drejtorë shkollash, përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe Teknologjisë. Për më shumë, këto dy ministri me vendim kanë caktuar nga një zëvendësministër që të merren ekskluzivisht me Programin Nacional për Rininë. Gjatë gjithë kohës, për aktivitetet e zyrës së KNKRS-së, mbi 23 e-maile i janë dërguar edhe Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, si njoftime për rrjedhën e zbatimit të Programit.

“Epoka e re”: A e ka pasur mbështetjen e opozitës së kaluar Programi Nacional për Rininë?
Hoti: Programi Nacional për Rininë është programi i parë në përmasa të tilla që ka marrë mbështetjen e gjithë spektrit politik të vendit si nga pozita, po ashtu edhe nga opozita. Është program që është mbështetur dhe është nënshkruar për thellim të bashkëpunimit nga të gjithë përfaqësuesit e partive politike në pushtet dhe opozitë e që janë të përfaqësuara në krye të institucioneve të pushteteve lokale, si nga Vetëvendosje, LDK, PDK, AAK, Nisma, PSD. Po ashtu, marrëveshje janë nënshkruar edhe me kryetarë komunash nga komunitetet si Komuna e Mamushës si dhe Komuna e Novobërdës nga kryetari i saj i komunitetit serb. Veç shtrirjes në Kosovë, në nivelin rajonal Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport ka marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Preshevës dhe Bujanocit. Në kuadër të zbatimit të programit, KNKRS ka nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare të bashkëpunimit me Unionin Evropian të Shahut. Në total, KNKRS ka nënshkruar 40 marrëveshje, prej të cilave 29 janë marrëveshje bashkëpunimi me komunat e Kosovës, dy marrëveshje rajonale, një marrëveshje ndërkombëtare, gjashtë marrëveshje me universitete si dhe dy marrëveshje me kolegje.

“Epoka e re”: Nuk na thatë cilat janë dy propozimet që do t’ia bëni z. Kurti dhe qeverisë së tij?
Hoti: Konsideratë për punën tuaj dhe për pyetjen që më bëni, por këtë më duhet ta adresoj së pari tek i zoti i shtëpisë.

Faton DËRMAKU

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të premten, me 15.11.2019, me fillim nga ora 12:00 në…