Programi i organizatës “Lidhja e Prizrenit”
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
Procesi gjyqësor ndaj grupit ilegal “Grupi i Lidhjes së Prizrenit” më 1950 (2)
5. I akuzuari i pestë Tomë Mjeda dhe i dënuari i katërt Biteri ishin shokë të pandarë, njëherësh ata merreshin edhe me të njëjtën zeje, andaj edhe ndikimi politik ishte i pashmangshëm nga njëri tek tjetri dhe anasjelltas. Toma kishte lindur në Prizren më 1923 nga babai Krista dhe nëna Cecilije e lindur Gjinaj. Ishte i martuar dhe baba i një fëmije. Nga organet e ndjekjes u hetua dhe u arrestua më 20 shkurt 1950. Më 27 korrik gjykatësi i gjykatës së Qarkut në Prishtinë i shqiptoi dënimin prej 17 vitesh burg të rëndë.
6. Jakup Hoxhë Murtezi, ishte i akuzuari i gjashtë i këtij procesi. Ai ishte i lindur në qytetin e Prizrenit, më 1919 nga babai Vesel dhe nëna Zejnije. Ishte i martuar. Në burgun hetues ndodhej që nga 19 shkurti i vitit 1950. Po në këtë vit (27 korrik) u mbajt procesi gjyqësor ku Jakupit iu shqiptua dënimi prej 20 vjetësh burg të rëndë.
7. Sefë Zeka, i dënuari i shtatë i këtij grupi, ishte bujk nga Suhareka. Ishte i lindur më 1921, po në këtë qytet. Prindërit e tij ishin: babai Ibrahimi dhe nëna Shahe e lindur Idrizi. Ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë. Në burgun hetues të Prishtinës ndodhej që nga 19 shkurti 1950 dhe, Gjykata e Qarkut, në procesin gjyqësor më 27 korrik i shqiptoi dënimin në kohë zgjatje prej 17 vitesh burg të rëndë.
8. I akuzuari i tetë ishte Nezir Maksut Hoti, nëpunës në Krushë të Madhe, po në këtë fshat kishte lindur më 1921 nga babai Maksut dhe nëna Habibe. Në kohën kur u arrestua ishte i martuar. Më 21 shkurt 1950, u arrestua për shkak se ishte anëtarë i organizatës “Lidhja e Prizrenit”. Më 27 korrik, në procesin gjyqësor, Nezirit iu shqiptua dënimi prej 15 vitesh burg të rëndë.
9. I akuzuari i fundit i këtij procesi, ishte Bajram Dehari, i lindur më 1924, në qytetin e Prizrenit. Njëherësh ai, këtu edhe punonte si nëpunës. Babai i quhej Sulejman dhe nëna Ifete. Ishte i martuar dhe dinte shkrim lexim. U arrestua së bashku me shokët në natën e 21 shkurtit 1950. Ndërsa Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në procesin gjyqësor i shqiptoi dënimin prej 3 vitesh burg të rëndë.
Sipas aktgjykimit, thuhej se që të gjithëve iu konfiskua pasuria që ishte e regjistruar në emrin e tyre, po ashtu humbën edhe të drejtat qytetare duke humbur të drejtën për votim, të drejtën për punësim në organet shoqërore e shtetërore, ndalimin për të mbajtur ndonjë thirrje nderi, shpërblim apo dekoratë dhe ndalimin e shumë të drejtave të tjera. Gjykatësi shkoi aq larg në shqiptimin e ndalimit të të drejtave, sa Shaban Mazrekut, ia ndaluan të drejtën edhe për tu kujdesur për fëmijët e vet dhe të drejtën për pension.
Gjykata si shkak për t’iu shqiptua dënimet tej mase të rënda prej 210 vitesh burg, apo mesatarja për çdo të dënuar ishte 23 vjet e 2 muaj burg të rëndë. Në shqiptim i këtij lloj dënimeve ishte e pritur dhe e çart, ngase ata u dënuan duke marr për “bazë” vetëm të të qenurit shqiptar dhe se ishin intelektualët e parë, që futnin frikën tek pushtetarët. Rreziku ishte se që të gjithë të dënuarit gëzonin autoritet tek masat e gjëra dhe në angazhimin e tyre populli kishte besim. Ata, veç që ishin të shkolluar, kishin edhe një moshë të re, ku mosha mesatare e tyre sillej rreth 26.8 vjeçe.
Akuzoheshin se, që nga vera e vitit 1949 dhe deri sa u zbuluan nga organet e hetuesisë, kishin vazhdua veprimtarin e tyre ilegale në organizatën “Lidhja e Prizrenit”. Pas zgjedhjes së organeve drejtuese, shumica e anëtarëve të kryesisë për detyrë iu kishte caktua që të dalin në teren për të formua degë të reja.
Po në të njëjtin vit 1949, u formuan degët në Gjakovë, Pejë, Drenicë, Rahovec. U zgjodhën kryesit të cilat në radhët e veta përfshin një numër të konsideruar anëtarësh. Të gjithë degët në terren aplikuan dhe obliguan anëtarësin që të paguanin një shumë të konsideruar parash. Fillimisht paguanin nga 20 dinar e më vonë kaluan në 50 dinar. Me parat e grumbulluara, degët siguronin makina shkrimi, armë të ndryshme dhe material propagandues. Herë-herë ndodhte që të mblidheshin edhe donacione të tjera në baza vullnetare që kishte arritur shumën deri në 30.000 mijë dinarë. Vlen të përmendet se sa të guximshëm ishin veprimtarët, ta zëmë se anëtarja e organizatës Shahide Kabashi për t’i ndihmuar organizatës, kishte rrezikuar edhe jetën, duke kryer punë shumë të rrezikshme për të dhe familjen e saj.
Në aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, thuhej se anëtarja Shahide Kabashi, e cila ishte e punësuar në Gjykatën e rrethit të Prizrenit, më makinën e shkrimit të gjykatës, kishte shkruar gati të gjitha proklamatat, afishet dhe vendimet e organizatës. Më të, ishte shkruar edhe teksti i betimit, të cilën e thoshin anëtarët gjatë ceremonisë së pranimit. Shahide Kabashi për nevoja të organizatës siguronte edhe dokumente të rëndësishme që i merrte nga gjykata. Ndërsa anëtari i grupit ilegal në Krushë të Madhe, Jusuf Dellova, nga ndërmarrja “Stoçar”, në Vushtrri, kishte marr librin e procesverbaleve të organizatës së partisë komuniste të datës 1. 4. 1949.
Veç të tjerash, organizata kishte edhe programin e vet të quajtur “Dymbëdhjetë pikat”. Në këtë program, bëhej fjalë që, çdo anëtar para se të pranohej në organizatë duhej ti plotësoj këto kushte: 1. Duhet të jetë i vendosur për ruajtjen dhe formimin e kombit shqiptar, 2. të jetë i disiplinuar, i vendosur për marrjen dhe kryerjen e detyrave që e ngarkon organizata. 3. Duhet të jetë agjitator dhe propagandues , konspirativ dhe i përgatitur për çdo gjë deri në pikën e fundit. 4. Duhet të jetë konsekuent në qëllimet e aspiratave të popullit shqiptarë deri në vet sakrificë. 5. Duhet të jetë i gatshëm që me pushkë në dorë, të luftojë kundër të huajve që okupuan tokat shqiptare, duke bashkëpunuar me aleatet dhe duke i bashkuar të gjithë shqiptaret rreth flamurit kombëtar kuq e zi.
Betimi i anëtarëve të organizatës
Teksti i betimit të anëtarëve të organizatës, përputhej me tekstin e programit të saj. Në mesin e shumë fjalive që kishin karakter atdhetar, thuhej edhe kjo se “… betohem se do te luftojë deri në momentin e fundit të jetës kundër partisë anti-popullore (PKJ-së, shënim i S. K-B), të popullit shqiptar dhe, po qe se tradhtoj, le të më dënojë plumbi i shokëve…”. Duhet theksuar se, gjatë kësaj periudhe, të gjitha materialet, dokumentet dhe proklamatat i kishte nënshkruar Mustafa Nixha, me pseudonimin “Fani”.
Nga materialet që ekzistojnë, në dosjen e këtij grupi, shihej çart se ky grup ka vepruar edhe në Suharekë dhe ka qenë shumë aktiv. Në dokumente thuhej se që të gjitha të dhënat që i kanë shkruar ilegalistët janë bërë në formë të koduar, që vështirë mund të deshifrohen. Qysh nga mbledhja e 5 shtatorit 1949, e cila është mbajtur në Krushë të Madhe dhe kishte karakter të përgjithshëm të organizatës, për kryetar ishte zgjedhur Shaban Mazreku, ndërsa sekretar i saj ishte Sefë Zeka, ndërsa si udhëheqës i mëhershëm i organizatës, thuhej se kishte qenë Mustafa Nixha.
Sipas udhëzimeve që kishte marrë dega që vepronte në Suharekë, nga qendra, ajo kishte formuar edhe Komitetin Ushtarak të Vendit. Sipas të dhënave, thuhej se, nën pikën 4, qëndronte emri: J. Murmurima. Kuptohej që ky emër ishte ndonjë pseudonim, e pastaj vinte e dhëna se ai person ishte caktuar komandant ushtarak për rrethin. Më pas, nën pikën 6, po ashtu qëndronte emri ilegal: L. Rrëfeja, që ishte caktuar përgjegjës për skuadrën ushtarake. Po ashtu, nën numrin rendor 18, pranë emrit Eslopi, qëndronte përgjegjës për Komandant “Rrethi”.
Duhet përmendur edhe këtë se, shumë anëtarë të kësaj organizate, edhe më herët kishin vepruar në organizata të tjera ilegale. Ta zëmë, kryetari i organizatës Shaban Mazreku qysh nga viti 1947, kishte bashkëpunuar e vepruar me Xhemil Shehun në një grupim ilegal por, pas zbulimit të Xhemilit, ai angazhohet të formojë organizatë tjetër ilegale, që i kishte ndihmuar Mustafa Nixha. Fillimisht, kryetarit të organizatës Gjykata i kishte përgatitur dënimin me vdekje – pushkatim, mirëpo më vonë ndërroi qëndrimin ngaqë Shabani gjatë procesit gjyqësor i kishte pranuar që të gjitha, duke i thënë se: “Kosova është tokë shqiptare dhe i takon Shqipërisë. Të gjithë ata gabohen po qe se mendojnë se shqiptarët do të pajtohen një ditë, që të jetojnë nën okupimin serb…”.
Gjykatësi, i mllefosur, në atë moment, ia kishte ndaluar që të fliste më tej dhe, për sinqeritetin e treguar, e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. (Fund / Fusnotat i ka hequr redaksia)