Programi ‘Trajner Sportiv’ po vazhdon me sukses
23 janar 2025
| 15:20
Më 15 janar ka përfunduar me sukses semestri dimëror 2024/2025 i programit të edukimit “Trajner Sportiv,” ku mbi 40 kandidatë janë duke vijuar ligjëratat tri herë në javë.
Programi, i themeluar nga Akademia Olimpike, e cila vepron në kuadër të KOK-ut, ka nisur për herë të parë në tetor të vitit të kaluar dhe po ecën me hapa të sigurt drejt formimit të trajnerëve të ardhshëm.
Prej 23 janar deri më 23 shkurt, kandidatët do t’u nënshtrohen provimeve në shtatë module si: Anatomia dhe fiziologjia e njeriut, Pedagogjia sportive, Psikologjia sportive, Menaxhimi në sport, Biomekanikë sportive, Metodat e punës së trajnerit në sport dhe Matjet dhe testimet në sport. Semestri i dytë nis më 1 mars dhe përfundon më 30 maj 2025.