Projektet kapitale të KOSTT-it i nënshtrohen auditimit publik
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës në ndërmarrjen publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT) në fushën e prokurimit publik me temën: “Auditimi i projekteve kapitale (2015-2021)”.
Qëllimi kryesor i këtyre projekteve kapitale në KOSTT është që të kontribuojnë në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë. Trajtimi i kësaj teme të auditimit është e rëndësishme, pasi që KOSTT është shoqëri aksionare 100 për qind në pronësi të Republikës së Kosovës, nuk është audituar nga ZKA-ja që nga viti 2010 si dhe për arsye se projektet kapitale janë me interes të lartë publik dhe ndikim të gjerë social dhe ekonomik.
Aktivitetet e prokurimit në KOSTT, sikurse në çdo autoritet tjetër kontraktues, duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e prokurimit publik dhe më gjerë, që kanë për qëllim të sigurojnë se prokurimi arrin qëllimin e përcaktuar.
Investimet kapitale në KOSTT bëhen nga fondet publike si dhe nga financimet e organizatave ndërkombëtare. Projektet e financuara nga fondet publike duhet të kryhen sipas ligjit të prokurimit publik në Kosovë, ndërsa në rastet kur projektet financohen nga organizatat e jashtme, procedurat e prokurimit zhvillohen në përputhje me rregullat dhe politikat e caktuara ndërkombëtare të prokurimit.
Gjatë viteve 2015-2021, KOSTT ka realizuar projekte kapitale në vlerë prej 78 758 545 euro. Nga kjo vlerë 62 569 411 euro e përbëjnë dy projektet ndërkombëtare, projekti i financuar nga Banka gjermane “Përmirësimi i Rrjetit të Transmisionit Faza IV dhe V nga LOT 1 deri 4” dhe projekti i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) “Zhvillimi i Transmisionit të Kosovës LOT 1 deri 3”. Kurse vlera prej 16 189 134 euro përfshinë grupin e projekteve të financuara nga buxheti i KOSTT të cilat po ashtu kanë të bëjnë me blerjet dhe rehabilitimin e rrjeteve të transmisioneve të Kosovës.
Objektivi i këtij auditimi është të vlerësojmë nëse menaxhmenti i ndërmarrjes publike KOSTT është siguruar se projektet kapitale për vitet 2015-2021 janë prioritizuar dhe planifikuar në mënyrë të duhur si dhe nëse menaxhimi i proceseve të prokurimit është bërë konform legjislacionit në fuqi dhe janë arritur rezultatet e synuara të prokurimit.
Subjekt i këtij auditimi është KOSTT-i me njësitë vartëse të ndërlidhura me zhvillimin dhe menaxhimin e projekteve kapitale. Për qëllime të verifikimit dhe marrjes së informatave krahasuese do të përfshijmë edhe Drejtorinë për Çmime dhe Tarifa në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, pasi që kjo zyrë bënë koordinimin, aprovimin dhe monitorimin e KOSTT mbi këto nisma investive.
Po ashtu, subjekt i auditimit është edhe Zyra e Inspektoriatit të Energjisë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë për të siguruar se kjo zyre ka bërë vlerësimin e disa nga pajisjeve elektroenergjetike të cilat bëjnë pjesë tek projektet kapitale fushëveprim i këtij auditimi.
Fushëveprimi i këtij auditimi përfshinë kontratat e prokurimit të nënshkruara për periudhën 2015-2021, ku nga gjithsej 148 projekte kapitale të regjistruara, kemi përzgjedhur për auditim 42 projekte në vlerë prej 50 631 956 euro duke përfshirë këtu edhe dy projektet me marrëveshje ndërkombëtare. Përzgjedhja e projekteve është bërë sipas gjykimit profesional, rëndësisë materiale dhe natyrës së projekteve.
Ky auditim synon të rris llogaridhënien, transparencën dhe integritetin e aktiviteteve lidhur me investimet kapitale në KOSTT dhe aty ku është e nevojshme të ofroj rekomandime që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë më efektive dhe efikase dhe të arrijnë qëllimet e synuara.