Projekti ‘Bashkë për Shtetin’ merr përkrahje nga banorët e fshatrave Orize, Korenicë dhe Devë
Kandidati për deputet i Nismës Socialdemokrate, Fazli Hoxha, i shoqëruar edhe nga kandidatët tjerë për deputetë: Erjona Rama, Voleta Dema, Luan Dinaj dhe Edmond Dushi, takuan sot banorët e fshatrave Orize, Korenicë dhe Devë, ku shplosën programin e koalicionit NISMA-AKR-PD.
“Me banorët e këtyre fshatrave biseduam për kërkesat që ata kanë dhe të cilat presin zgjidhje nga Qeveria e ardhshme. U garantuam këtyre banorëve se si deputetë të ardhshëm do të jemi zëri i tyre në Kuvendin e Kosovës, ku do të inicojmë projekte të ndryshme me kërkesat e tyre”, ka shkruar Hoxha në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Duke votuar koalicionin tonë në zgjedhjet e 6 tetorit, banorët e këtyre fshatrave do ta ndjejnë dorën e shtetit në shumë projekte që janë jetike për ta. Banorët e fshatrave Orize, Korenicë dhe Devë konfirmuan përkrahjen për projektin ‘Bashkë për Shtetin’ dhe për kandidatin për kryeministër Fatmir Limaj”, ka thënë Hoxha, i cili është kryetar dege i Nismës në Gjakovë.
/Epoka e re/