Projekti evropian i luftës

01 korrik 2022 | 22:27

Për 7 dekada me radhë, integrimi evropian është nxitur nga kërkimi i paqes. Por që nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt, Evropa e ka gjetur veten të bashkuar në kundërpërgjigje të luftës.

Projekti i paqes i ka lënë vendin një projekti lufte, dhe ky ndryshim thelbësor po i detyron qeveritë evropiane të rishqyrtojnë disa nga parimet e tyre më të vjetra.

Ato duhen të shqetësohen tani për të pasur një fuqi ushtarake, në nivelin që e kërkojnë sfidat e kohës. Këto kohë ka pasur shumë diskutime mbi ri-armatimin e Gjermanisë, vendimin e Danimarkës për të marrë pjesë në marrëveshjet e përbashkëta evropiane të mbrojtjes, dhe për aplikimin e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO.

Tabutë janë thyer, dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dërguan armë të rënda në Ukrainë. “Struktura e paqes” e BE-së, premtoi 2 miliardë euro për ta armatosur atë vend të rrethuar nga rusët. Për më tepër, BE-ja e ka shndërruar ekonominë e saj në një armë për t’u përdorur kundër Rusisë, dhe tani po planifikon një ekonomi lufte, ku siguria do të ketë përparësi mbi efikasitetin.

Një ndryshim i dytë i madh, është se evropianët duhet ta ri-mendojnë çështjen e ndërvarësisë. Integrimi evropian, pasqyronte më parë besimin se lidhjet ekonomike midis vendeve, do të krijonin themelet për pajtimin politik.

Kjo ishte ideja e Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut (pararendës i BE-së), që i ktheu në miq armiqtë e dikurshëm, duke bashkuar industritë kombëtare që kishin prodhuar municionet për Luftën e Dytë Botërore. Shpresohej që edhe nëse lidhjet ekonomike midis vendeve nuk do ta bënin të pamundur luftën, të paktën do të parandalonin një përshkallëzim të rrezikshëm të tensioneve.

Por pushtimi i Rusisë e bëri qesharake këtë ide, duke dëshmuar se ndërvarësia mund t’i japë mundësi njërës palë që ta shantazhojë palën tjetër. Kjo u kuptua akoma më shumë pas shqetësimeve mbi “diplomacinë e maskave” dhe “nacionalizmin e vaksinave” gjatë pandemisë së Covid-19, kur shumë vende e gjetën veten të varur plotësisht nga të tjerët për furnizime me pajisjet më të domosdoshme për atë krizë shëndetësore.

Nga kjo del se shkëputja e Evropës nga energjia ruse, do të shoqërohet gjithashtu me përpjekje për ta bërë Evropën më pak të varur nga Kina.

Një çështje e tretë ka të bëjë me konceptin e sovranitetit. Gjatë dekadave të fundit, evropianët ishin të fokusuar kryesisht në zbutjen e këtij impulsi, në emër të bashkëpunimit mbi-kombëtar. Por përballë një fuqie agresive revizioniste, ata po e pranojnë tani se sovraniteti duhet të mbrohet përpara se të mund të bashkohet.

Nga ana e saj, Rusia e ka shtrembëruar retorikën post-sovraniste të përdorur nga evropianët gjatë luftërave ballkanike, për të justifikuar pushtimin e saj të Ukrainës, të cilën ajo e përshkruan me cinizëm si një mision për të mbrojtur rusisht-folësit nga gjenocidi.

Gjatë viteve 1990, evropianët e çuan përpara idenë “post-moderne”, se nëse do të ndodhnin abuzime të mëdha me të drejtat universale të njeriut (të njohura nga Kombet e Bashkuara) brenda një vendi sovran, komuniteti ndërkombëtar kishte për detyrë të ndërhynte për të mbrojtur viktimat e shkaktuara nga qeveria e tyre.

Varianti rus i ”përgjegjësisë për të mbrojtur” nuk është post-modern, por para-modern. Kremlini beson se mund të vendosë në mënyrë të njëanshme për të ndërhyrë në vende të tjera, me synim mbrojtjen e anëtarëve të një qytetërimi rus të përkufizuar në mënyrë abuzive nga Moska.

Arabia Saudite ka përdorur një doktrinë të ngjashme, për të justifikuar ndërhyrjen e saj ushtarake për të mbrojtur sunitët në Jemen, siç ka bërë Irani në lidhje me shiitët në Siri. Ndërkohë, shumë analistë shqetësohen se Kina do të përdorë arsyetime të ngjashme për të nisur pushtimin e Tajvanit.

Brezat e mëparshëm të udhëheqësve perëndimorë, e kishin gabim kur supozonin se vetëm vendet e tyre do të ishin mjaftueshëm të fortë për të shkelur sovranitetin e të tjerëve.

Një çështje e katërt është universalizmi i supozuar i projektit evropian. Në fillim të viteve 2000, unë shkrova një libër me titull “Pse Evropa do të udhëheqë botën në shekullin XXI”. Asokohe besoja se modeli i bashkëpunimit ndërkombëtar i BE-së, do të përhapej gradualisht në të gjitha anët e botës.

Por dështimi i procesit të zgjerimit të BE-së me Turqinë, dhe ngritja e një Rusie revanshiste, kanë treguar se modeli i BE-së nuk ka gjasa që të përfshijë të gjithë Evropën, pa folur pastaj për gjithë planetin. Në diskutimet me liderët nga Azia, Afrika dhe Lindja e Mesme, më ka bërë shumë përshtypje fakti, se sa pak prej tyre ndajnë të njëjtin zemërim të fortë moral, që e karakterizon përgjigjen e Perëndimit ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Ata e shohin konfliktin si një konflikt rajonal evropian, dhe jo si një luftë botërore për të cilën duhet të shqetësohen. Eurocentrizmi jo vetëm që i ka shtyrë evropianët të keq-interpretojnë liderë si presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan; por ai po pengon që modeli evropian të jetë tërheq për pjesën tjetër të botës.

Për ta korrigjuar këtë kurs, udhëheqësit evropianë duhet ta pranojnë se përvoja e BE-së është një produkt i jashtëzakonshëm i një historie dhe gjeografie të veçantë, dhe ata duhet të tregojnë një kuriozitet të mjaftueshëm për ta kuptuar botën me sytë e të tjerëve. Paradoksalisht, decentralizimi i Evropës mund të jetë hapi i parë i domosdoshëm për të ushtruar pushtetin evropian në një botë shumë-polare, raporton abcnews.al.

Parimi i pestë që duhet ri-menduar është ideja e rendit politik. Ndërsa disa liderë evropianë i përmbahen një kuadri sigurie, që pasqyron parimet e kohës së pas Luftës së Ftohtë, e vërteta e vështirë është se rendi unik i Evropës – i bazuar mbi një sërë institucionesh dhe traktatesh – është shkatërruar tashmë.

Siguria evropiane do t’i ngjajë në të ardhmen shumë më tepër me atë të rajoneve të tjera, si për shembull Azisë. Bilanci i fuqisë së butë dhe asaj ushtarake, do të jetë po aq i rëndësishëm sa çdo traktat midis evropianëve dhe rusëve. Natyrisht, Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në rajon.

Por pjesa më e madhe e veprimit të saj do të burojë nga një rrjet marrëveshjesh dypalëshe dhe të kufizuara mbi sigurinë. Edhe nëse do të përfundojnë luftimet në Ukrainë, ato nuk do t’i lënë vendin paqes. Rreziku i sulmeve kibernetike, ndërprerjeve të energjisë, ndërhyrjet në zgjedhje dhe “burrat e vegjël me të gjelbra” të Rusisë, do të jenë tipare të përhershme të epokës së re të paqes në Evropë.

Lufta e Ukrainës do ta ndryshojë qasjen dhe vizionin e Evropës. Kjo s’do të thotë se evropianët duhet ta braktisin idealizmin dhe kreativitetin që nxiti projektin më të suksesshëm të paqes në historinë e njerëzimit. Por ata duhet ta pranojnë se modeli i tyre, nuk do të jetë kurrë universal, dhe se do ta gjejnë gjithnjë e më shumë veten duke reaguar ndaj vendimeve të marra nga të tjerët.

Për më tepër paqja në shtëpi, mund të varet nga gatishmëria e tyre për të përballuar luftërat diku tjetër. Nga tani e tutje, integrimi evropian do të udhëhiqet nga nevoja për të fituar në një botë të rrezikshme, dhe jo nga dëshira për të shmangur konfliktin.

Mark Leonard, drejtor i think-tankut “European Council on Foreign Relations”, dhe autori i librit “Epoka e paqes:Si shkakton konflikte ndërvarësia midis shteteve”.

“Project Syndicate”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff…