Projekti ‘hendbolli në shkolla’, në fundjavë seminari me ekspertë nga Zvicra

30 janar 2025 | 13:31

Po bëhen të gjitha përgatitjet për fillim sa më të shpejtë të projektit “Hendbolli në Shkolla”. Është ky projekt i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që implementohet nga Federata e Sportit Shkollor dhe Federata e Hendbollit e Kosovës.

Projekti ka për qëllim rritjen e numrit të të rinjve që merren me hendboll dhe shtrirjen e mëtejme të hendbollit.

Si pjesë e përgatitjeve, të shtunën e të dielën mbahet seminari për trajnerë të hendbollit për grupmosha të reja dhe për arsimtarë të Edukatës Fizike që do të jenë pjesë e projektit.

Seminari mbahet në bashkëpunim të FHK-së me sportin shkollar e po ashtu me Federatën e Hendbollit të Zvicrës, me të cilën tashmë e kemi të firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit. Në seminar do të ligjërojnë ekspertët zvicerane të mini-hendbollit, David Mattes dhe Katja Gotz.

Seminari, që përfshinë seanca teorike dhe praktike, fillon të shtunën në ora 9:15. Do të ligjërohet për tema të ndryshme që kanë të bëjnë me përfshirjen e fëmijëve në hendboll dhe punën që duhet të bëhet me ta. Të shtunën seminari zgjatë deri në ora 17:00, ndërsa të dielën punohet prej orës 9:00 e deri në ora 13:30.

Seminari do të mbahet në shkollën fillore “Xheladin Gashi – Plaku” në Komoran.

Federata jonë është e përkushtuar maksimalisht për përfshirjen sa më të madhe të hendbollit në shkolla, ndërsa projekti i përbashkët besojmë se do të ketë ndikim të madh në rritjen e mëtejme të masovitetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Amir Rrahmani thuhet…