Projekti i financuar nga ShBA-ja ndihmon në plotësimin e kritereve për kthimin e AKA-së në ENQA

16 shkurt 2021 | 11:33

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) dhe WUS Kosova kanë mbajtur të martën konferencën virtuale me temën “Sfidat e zbatimit të standardeve dhe udhëzuesve për sigurim të cilësisë të zonës evropiane të arsimit të lartë, nga institucionet e arsimit të lartë në Kosovë”, financuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, përmes Programit të Granteve për Mbështetje të Universitetit.

Profesori Dukagjin Zeka, anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ka thënë se rikthimi i AKA-së në ENQA është një nga prioritetet kryesore.

“Agjencia e Akreditimit gjatë vitit të fundit ka miratuar një plan dinamik për zbatimin e të gjitha kritereve për kthim në ENQA. Është bërë një punë e madhe për arritjen e këtyre objektivave. Ne shpresojmë që shumë shpejt do të krijohen institucionet e reja, të cilat do të miratojnë Ligjin për AKA-në, si një nga kriteret kryesore për plotësimin e këtyre standardeve”, ka thënë Zeka.

Ndërsa Naim Gashi, drejtor i Agjencisë së Akreditimit, ka thënë se e gjithë energjia e stafit të AKA-së është përqendruar në përmbushjen e rekomandimeve të raportit të ENQA-s, në mënyrë që sa më shpejtë të bëhet rikthimi në këtë organizatë ndërkombëtare. Gashi e ka falënderuar donatorin, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, për financimin e këtij projekti, por edhe disa projekteve të tjera, që kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve të Agjencisë për transparencë dhe pavarësi institucionale.

Ai ka thënë se zbatuesi i këtij projekti, WUS Kosova ka bërë një punë shumë profesionale për të përkrahur Agjencinë për plotësimin e kriterit më të vështirë të ENQA-s, e kjo është krijimi i metodologjisë për analiza tematika.

Në anën tjetër, Luljeta Aliu nga WUS Kosova, ka thënë se garantimi i pavarësisë së AKA-së është një nga kriteret kryesore, duke u bazuar në “Standardet dhe udhëzuesin për sigurimin e cilësisë në zonën evropian të arsimit të lartë”.

Ajo ka thënë se për zbatimin e këtij projekte janë të angazhuar ekspertë eminentë vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa kjo konferencë do të mundësojë marrjen e mendimeve të të gjithë akterëve në arsimin e lartë në Kosovë.

Qëllimi i kësaj konference është që së bashku më përfaqësuesit të institucioneve të arsimit të lartë, ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të diskutohen sfidat e zbatimit të proceseve të sigurimit të cilësisë në Kosovë bazuar në “Standardet dhe udhëzuesin për sigurimin e cilësisë në zonën evropian të arsimit të lartë”.

Pjesëmarrës në këtë Konferencë ishin: rektorë, pro-rektorë, profesorë, studentë, përfaqësues të Unionit të Studentëve të Kosovës, udhëheqës të programeve studimore, personeli i zyrave të cilësisë të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë, etj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurorët rusë kanë kërkuar që kritiku i Kremlinit dhe aktivisti…