Projekti i katapultave GPS, në shërbim të rritjes së cilësisë së klubeve dhe të ligës

04 nëntor 2021 | 16:47

FC Prishtina dhe Ulpiana janë dy klubet e tjera të BKT Superligës që janë pajisur të enjten me pakot e katapultave GPS të prodhuesit “Fitogether”, në kuadër të fazës të projektit të digjitalizimit të klubeve.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, në shoqëri të anëtarit të KE-së, Ismajl Ajetit, e kanë vizituar klubin bardhekaltër të kryeqytetit në fushën stërvitore në Bërnicë si dhe klubin e Ulpianës në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, me ç’rast para futbollistëve dhe shtabit teknik të dy skuadrave janë shpalosur hollësitë e projektit të digjitalizimit të klubeve. Ademi në të dyja vizitat foli për rëndësinë e katapultave GPS në futbollin e sotëm modern dhe u shpreh i lumtur që FFK-ja po arrin t’i ndihmojë klubet në këtë aspekt. “Ky projekt ka për qëllim krijimin e kushteve sa më të mira për punë në klubet tona dhe shërben për rritjen e perfomancës individuale, por edhe ekipore. Po ashtu, nëpërmjet këtij programi do të kemi mundësi ta rritim edhe nivelin dhe radhitjen e ligës sonë në listë, pasi edhe ashtu mendoj se jemi në një nivel më të lartë sesa që aktualisht jemi të radhitur në nivel evropian dhe botëror”, ka thënë Ademi.

Kryetrajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, e ka mirëpritur këtë projekt dhe e ka falënderuar FFK-në që po i ndihmon klubet edhe në forma të këtilla me teknologjinë e kohës moderne.

“Kjo është një ndihmesë shumë e madhe për ne. Jam i bindur dhe jua japë fjalën se do t’i shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë këto katapulta, jo vetëm për ta ngritur nivelin tonë si skuadër, por edhe në interes të rritjes së nivelit të futbollit të Kosovës në përgjithësi”, është shprehur Ramadani. Ndërkaq drejtori sportiv i Ulpianës, Enver Duriqi, ka lavdëruar punën dhe kontributin e presidentit Ademi për përmirësimin e imazhit dhe organizimit të futbollit të Kosovës.

“Dikur për dikë ka qenë ëndërr dhe iluzion të mendohet sistemi VAR, por ne sot po e implementojmë në futbollin tonë falë vizionit dhe vendosmërisë së presidentit Ademi. Projektet e FFK-së kanë qenë të vazhdueshme si për përmirësimin e infrastrukturës, po ashtu edhe për digjitalizim, prandaj jam i bindur se edhe donacioni i katapultave GPS nuk do të jetë i fundit, por vetëm vazhdimësi e strategjisë për ngritjen e mëtejme të futbollit të Kosovës”, ka thënë Duriqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot (e enjte) janë bërë një vit nga arrestimi i…