Projekti i sistemit të tatimit në pronë sjell në Kosovë zyrtarët nga Shqipëria
Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Artan Abrashi, ka pritur në takim zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë nga Ministria e Financave e Republikës së Shqipërisë, të cilët këto ditë po qëndrojnë në Kosovë për vizitë studimore në kuadër të projektit për vazhdimin e përmirësimit të sistemit të tatimit në pronë në Kosovë.
Me këtë rast, kryesuesi Abrashi, duke u uruar mirëseardhje mysafirëve, i njoftoi ata për sfidat dhe sukseset e Komunës në Sektorin e Tatimit në Pronë, si dhe i informoi për ecurinë e procesit të hartimit të rregullores për taksa dhe tarifa nga shërbimet dhe veprimtaritë komunale, duke veçuar komunikimin sidomos me komunitetin biznesor gjatë periudhës së hartimit të kësaj rregulloreje dhe lirimin nga taksat komunale të veprimtarive që merren me zejtari.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe zyrtarët nga Drejtoria e Financave e Komunës së Prizrenit, të cilët dhanë informacione më të hollësishme lidhur me pyetjet e parashtruara, derisa pas takimit së bashku me delegacionin nga Shqipëria u vizituan edhe ambientet e punës të Sektorit të Tatimit në Pronë të Komunës së Prizrenit.
Projekti për vazhdimin e përmirësimit të sistemit të tatimit në pronë në Kosovë po realizohet nga ana e Ministrisë së Financave, me implementim të Agjencisë Suedeze të Tatimeve dhe në bashkëpunim me Departamentin e Tatimit në Pronë dhe Agjencisë Suedeze Kadastrale.
/Epoka e re/