Projektligjet për zyrtarët publikë dhe pagat, opozita kërkon kohë: Do të përfundojnë në Kushtetuese

19 dhjetor 2022 | 11:56

Mes kritikave dhe vërejtjeve, opozita ka kërkuar të hënën që mos të miratohen me nguti dy projektligjet, për zyrtarët publikë dhe ai për pagat në sektorin publik.

Gjatë shqyrtimit të tyre mes dy leximeve në Komisionin për Administratë Publike, deputeti nga radhët e PDK-së, Isak Shabani ka kërkuar që këto dy projektligje të mos miratohen me nxitim ose me procedurë të përshpejtuar.

“Ky nxitim ka për qëllim të miratohen me shpejtësi e pa ndryshime për të përfunduar pastaj në Kushtetuese këto dy ligje. Sot s’kemi me mundur as me i lexuar, jo me i shqyrtuar dhjetëra qindra amendamente. Kështu që duhet me na dhënë kohë dhe duhet me u shtyrë për të pasur ligje të mira”, tha ai.

Për këtë kryetari i Komisionit nga radhët e Vetëvendosjes, Valon Ramadani, ka thënë se ka një vendim të Kuvendit për përshpejtim të afateve të miratimit të këtyre dy projektligjeve.

Edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se shqyrtimi me nguti i Kuvendit për Projektligjin për zyrtarë publikë dhe Projektligjin për pagat është gabim.

Tahiri ka thënë se ka propozuar një amendament për Projektligjin për pagat për caktimin e vlerës së koeficientit në 129 euro.

Megjithatë, ai pret që punonjësit e gjykatës dhe prokurorisë do të jenë të pakënaqur me Ligjin për pagat dhe do ta dërgojnë në Kushtetuese për shkak të uljes së pagave të tyre.

Ndërsa për Projektligjin për zyrtarët publikë, Tahiri ka thënë se është i sigurt që do të përfundojë në Kushtetuese.

Në anën tjetër deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se shqetësim i Zyrës së BE-së dhe LDK-së për Projektligjin për zyrtarët publikë mbetet shpallja e rekrutimit pas një viti për të gjitha pozitat e nivelit të mesëm menaxherial.

“Në qoftë se këto shqetësime nuk do të merren parasysh, ky ligj do të përfundojë në Kushtetuese”, ka thënë ajo.

Kuvendi në seancën e fundit ka vendosur që me procedurë të përshpejtuar të shqyrtohen këto dy projektligje në lexim të dytë në seancën e së enjtes së ardhshme.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person në Prishtinë është goditur me mjet të fortë…