Projektligji për KPM-në kalon në seancë plenare për lexim të dytë, kërkohet të dërgohet dhe Komisioni i Venecias
Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka shqyrtuar Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM).
Raporti i përbërë me 93 amendamente është votuar me gjashtë vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim që të kalojë në seancë plenare për një lexim të dytë.
Ndërsa njëri nga anëtarët e këtij komisioni, deputeti Mergim Lushtaku, ka ngritur si rekomandim, dërgimin në lexim edhe të Komisionit të Venecias.
“Të dërgojmë dhe Komisionin e Venecias, një projektligj i rëndësisë së veçantë, që ka të bëjë me median e lirë”, ka thënë Lushtaku.
Edhe anëtari tjetër, deputeti Agim Veliu ka përkrahur rekomandimin e tij që Komisioni i Venecias të shkoj për diskutim.
Ndërsa kryetari i këtij komisioni, Valon Ramadani, ka thënë se në këtë mbledhje nuk ka kohë për shqyrtimin e këtij projektligji në Komisionin e Venecias.
“Jam i bindur se do të kalojë si ligj dhe është në rregull, por ne nuk kemi kohë të shkojmë me Komisionin e Venecias”, ka thënë Ramadani.