Projektligji për lirinë fetare mbetet pezull qe 11 muaj, shkak lista serbe
Bojkoti i deputetëve të Listës Serbe në seancat plenare, ka bërë që për 11 muaj të mos hidhet fare në votim Projektligji për Lirinë Fetare.
Kjo nismë ligjore nuk mund të miratohet pa votën e dy të tretave të minoriteteve. Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, thotë se deputetët serbë janë pengesa kryesore në këtë proces, të cilët gjatë 2023-ës kanë qenë në sallë vetëm dy herë, sa për ta vazhduar mandatin.
“Nuk e di me çfarë qëllimi, unë kam biseduar me ata, veç më kanë thënë që nuk është koha për votim. Sepse brenda komisionit kemi një përfaqësues të Listës Serbe, por asnjëherë nuk ka ardhur në takim dhe është pa sukses. Prandaj sivjet as nuk është në plan fare për miratim”, tha Balje.
Mirëpo, kjo nuk po shihet thjesht si problem procedural i legjislativit. Pika e nxehtë e projektligjit është statusi i Kishës Ortodokse Serbe, e cila në draft njihet baras me gjashtë bashkësitë e tjera fetare.
“Kisha nuk përfaqëson vetëm një lloj institucioni religjioz në shoqërinë serbe, por roli i saj politik është i njohur, prandaj rregullimi i statusit të saj lidhet drejtpërdrejt me problemet politike, që nuk duhet të trajtohet si projektligj i zakonshëm”, tha Arbër Thaçi, hulumtues në KDI.
Statusi i Kishës Ortodokse është përfshirë edhe në Nenin 7 të propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, bashkë me sigurimin e një niveli të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë.
Kryeministri Albin Kurti kishte thënë se një gjë të tillë tashmë e kishin sponsorizuar në projektligjin për lirinë fetare, duke garantuar se nuk bëhet fjalë për ekstraterritorialitet apo kompetenca speciale për kishat ortodokse.
“Formalizimi i statusit të Kishës Ortodokse do të bëhet, përkatësisht tashmë është bërë, përmes njohjes së saj si një nga bashkësitë fetare në ligjin përkatës. Mund t’ju garantoj se asgjë e veçantë, privilegjuese, ose historikisht kontestuese, nuk do të lejoja të përfshihej në këtë marrëveshje”, tha Kurti.
Deputetja Balje thotë se kjo nismë është shumë me rëndësi për procesin e integrimeve evropiane, andaj duhet të gjendet zgjidhje.
Risi në projektligjin për lirinë fetare është njohja e Komunitetit Bektashian, si bashkësi e veçantë, dhe auditimi vjetor i pasqyrave financiare të të gjitha përfaqësive fetare.