Projektligji për paga zvogëlon pabarazinë
Anëtari i Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Rasim Selmanaj, ka thënë se është bërë punë e mirë me Projektligjin për paga, i cili pritet të miratohet sot (e martë) në mbledhjen e këtij komisioni.
Ai ka thënë se me këtë dokument është bërë një hap i madh drejt nivelizimit të pagave dhe uljes së pabarazisë ndemjet pagave në sektorin publikë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, deputeti i AAK-së ka deklaruar se është bërë zvogëlimi i pagave për të gjithë zyrtarët e lartë shtetërorë.
“Me të gjitha të metat që i ka ky Projektligj, është një hap i madh drejt nivelizimit të pagave dhe uljes së pabarazisë ndërmjet pagave në sektorin publik. Nuk është pak kur kryeparlamentarit, kryeministrit, presidentit dhe deputetëve iu ulen koeficientet. Pra, ka lëvizje pozitive në këtë drejtim”, ka thënë Selmanaj.
Ai ka treguar se ky është maksimumi që mund të bëjë Qeveria në këtë fazë. “Për këtë fazë mendoj se ky është maksimumi që kemi mundur të arrijmë. Ajo që mbetet është se dikur, pas dy ose tre vjetësh, duhet t’i kthehemi edhe një herë këtij Projektligji në mënyrë që të gjithë me qenë më të barabartë dhe të kënaqur me mundësitë që ka Kosova”, është shprehur Selmanaj.
Deputeti i AAK-së ka thënë se prej koeficientit 5 deri te koeficienti 1 pothuajse të gjithëve u është rritur paga.
“Paga u është zvogëluar të gjithëve atyre që bartin përgjegjësi të larta në shtet, duke u nisur nga presidenti që e ka koeficientin 10 e deri te këta që e kanë koeficientin 5. Kurse prej pagës më të vogël e deri te koeficienti 5 mund të themi se shumicës prej tyre u është ngritur paga, duke përfshirë edhe sektorin e arsimit, i cili ka një rritje prej 0.2 përqindësh sikurse që ka rritje edhe për shërbyesit civilë”, ka thënë Selmanaj.
“Epoka e re”: Z. Selmanaj, Komisioni Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media që disa ditë është duke e shqyrtuar Projektligjin për paga. A keni arritur që të gjitha partitë t’i harmonizojnë qëndrimet përfundimtare?
Selmanaj: Si komision kemi punuar jo më pak se dhjetë ditë në një punëtori. Kemi ardhur deri te drafti final, ku të martën pritet të mbahet mbledhja e komisionit dhe të votohet Projektligji për paga, me disa ndryshime të vogla. Mendoj se për aq sa ka qenë mundësia buxhetore kemi arritur ta bëjmë një lloj nivelimi të pagave.
“Epoka e re”: Kujt i është zvogëluar dhe kujt i është rritur koeficienti me këtë Projektligj?
Selmanaj: Ne e kemi zvogëluar tavanin i cili ka qenë koeficienti 12. Tani koeficienti më i madh është 10. Presidenti i shtetit ka pasur koeficientin 12, ia kemi zbritur në 10. Njëjtë kemi vepruar edhe me kryeparlamentarin dhe kryeministrin, të cilët tani e kanë koeficientin 9. Pastaj kemi shkuar duke ulur koeficientet e individëve të cilët kanë përgjegjësi më të larta në shtet. Për shembull, deputetët e kanë pasur 8.5 koeficientin, e kemi 8 e kështu me radhë. Ndërsa kemi ngritje të koeficienteve në shëndetësi, arsim, polici, prokurori dhe gjykata. Ndoshta jo në masën që e meritojnë por, megjithatë, ka ndryshime dhe lëvizje pozitive në këta sektorë.
“Epoka e re”: Pra, vetëm liderëve kryesorë u është ulur paga?
Selmanaj: Paga u është zvogëluar të gjithëve atyre që bartin përgjegjësi të larta në shtet, duke u nisur nga presidenti që e ka koeficientin 10 e deri te këta që e kanë koeficientin 5. Kurse prej pagës me të vogël e deri te koeficienti 5 mund të themi se shumicës prej tyre u është ngritur paga, duke përfshirë edhe sektorin e arsimit, i cili ka një rritje prej 0.2 përqindësh sikurse që ka rritje edhe për shërbyesit civilë.
“Epoka e re”: Vazhdimisht është diskutuar rreth dallimit të madh apo pabarazisë së madhe të pagave në sektorin publik. Me këtë Projektligj, sa keni arritur ta zvogëloni këtë pabarazi?
Selmanaj: Me krejt defektet që i ka ky Projektligj, mendoj se me këtë draft është zvogëluar pabarazia. Ndoshta jo në masën që është dashur, për shkak se është e pamundur që në këtë fazë të bëjmë më shumë, sepse është dashur të ketë buxhet më shumë. Pra, për këtë fazë, mendoj se ky është maksimumi që kemi mundur të arrijmë. Ajo që mbetet është se dikur, pas dy ose tre vjetësh, duhet t’i kthehemi edhe një herë këtij Projektligji në mënyrë që të gjithë me qenë më të barabartë dhe të kënaqur me mundësitë që ka Kosova. Dua të rikujtoj se dy qeveritë, para Qeverisë Haradinaj, e kanë iniciuar dhe miratuar këtë Projektligj, por nuk e kanë sjellë në Kuvend, sepse po e shihni se ka krijuar shumë kërkesa dhe pakënaqësi. Megjithatë, me të gjitha të metat që i ka ky Projektligj, është një hap i madh drejt nivelimit të pagave dhe uljes së pabarazisë ndërmjet pagave në sektorin publik. Nuk është pak kur kryeparlamentarit, kryeministrit, presidentit dhe deputetëve iu ulen koeficientet. Pra, ka lëvizje pozitive në këtë drejtim.
“Epoka e re”: Pavarësisht prej kësaj ulje të pabarazisë, po kundërshtohet ky Projektligj nga punëtorët e disa sektorëve. Cili është mendimi juaj për këtë?
Selmanaj: Arsimi ka të drejtë në kërkesat e veta sepse e meriton një gjë të tillë, por mundësia buxhetore është tjetër. Në këtë fazë Qeveria ka pasur mundësi të bëjë këtë lëvizje prej 0.2, që gjithë sektorit të arsimit t’ia rrisë pagat. Dikujt i rriten 45 euro e dikujt 80 euro në muaj. Nuk është e mjaftueshme, por në këtë fazë kjo është mundësia.
“Epoka e re”: Sindikata e Arsimit është e vendosur të mos heqë dorë nga greva. Çfarë do t’i rekomandonit?
Selmanaj: Mendoj se, pavarësisht prej kërkesave të ligjshme dhe të drejta të arsimit, nuk e ka përdorur metodën më të mirë për t’i kërkuar të drejtat e veta. Ka pasur edhe mundësi të tjera sindikale, jo për ta ndërprerë mësimin. Megjithatë, është e drejtë e sindikalistëve për ta përdorur këtë metodë. Mendoj se mësimdhënësit duhet t’i kthehen mësimit dhe Qeveria e Kuvendi ta bëjnë mundësinë për të lëvizur përpara në drejtim të kërkesave të tyre.
“Epoka e re”: Po për nivelin lokal, çfarë parasheh ky Projektligj?
Selmanaj: Në këtë Projektligj janë përkrahur shumë edhe komunat. Ka ngritje të pagës së kryetarëve të komunave. Tani kryetarët e komunave e kanë koeficientin 8, pra janë barazuar me deputetët e Kuvendit të Kosovës. Po ashtu, asamblistët komunalë kanë ngritje të koeficienteve dhe të pagës. Nga 200 euro sa i kanë marrë deri tani, paga e tyre shkon rreth 530 euro.
“Epoka e re”: Ka reaguar edhe Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, e cila ka thënë se ky Projektligj punëtorët e televizionit publik i shndërron në punëtorë shtetërorë.
Selmanaj: Në mbledhjen e së martës do të votoj kundër që RTK-ja të bëhet pjesë e këtij Projektligji, ku përcaktohet mënyra se sa do të jetë pagesa e tyre. Mirëpo, të gjithë duhet ta dinë se përmes këtij Projektligji nuk ndërrohet statusi i RTK-së siç po pretendojnë disa se, kinse, RTK-ja po bëhet ndërmarrje publike. Kjo nuk është e vërtetë. Me këtë Projektligj është propozuar të caktohet paga minimale dhe paga maksimale. Kurse në mes këtij tavani dhe themeli, normalisht se pagat duhet të rregullohen me rregullore të brendshme, në këtë rast të RTK-së. Pra, Projektligji për pagat nuk mund t’ia ndërrojë statusin RTK-së. Unë jam kundër që me këtë Projektligj të caktohet limiti i pagës në RTK.
“Epoka e re”: Sa i prek pagat e punonjësve të ndërmarrjeve publike ky Projektligj?
Selmanaj: Në ndërmarrje publike, nëse nuk gaboj, nuk duhet të ketë pagë mbi 1 700 euro. Pra, sipas këtij Projektligji, nuk duhet të ketë pagë më të madhe se 1 700 euro as në PTK e as në RTK. Por, siç thashë që në fillim, ky ende është vetëm një draft i cili mund të ndryshohet në mbledhjen e së martës.
/Muhamet Koci/