Projektligji për produktet medicinale përplas deputetët e pushtetit: LV-ja pro tij, Guxo kundër

07 korrik 2023 | 15:07

Komisioni për Shëndetësi nuk ka hedhur në votim Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale, për shkak të mospajtimeve të thella në mes të deputetëve, përfshirë edhe atyre të mazhorancës.

Deputetët e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nga radhët e Listës Guxo, kanë kërkuar plotësim-ndryshimin e këtij projektligji, pasi sipas tyre nuk i përkrahë prodhuesit vendorë farmaceutik, gjë të cilën e kanë përkrahur edhe anëtarët e komisionit nga opozita.

Mirëpo të kundërtën e kësaj e kanë thënë deputetët e LV-së, të cilët kanë theksuar se përmes këtij projektligji do të ketë unifikim të çmimeve të barnave.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku, ka thënë se qytetarët do të përfitojnë më së shumti nga ky projektligj.

“Qëllimi i këtij projektligji është që të vendoset një rregullativ dhe për herë të parë të kemi një unifikim të çmimeve dhe një kosto më të përballueshme për qytetarët. Besoj që ky ligj do të ndryshojë shumë për të mirë situatën sa i përket qytetarëve dhe pacientëve që kanë nevojë për barna. Kjo nuk do t’i detyrojë të sillen në barnatore të ndryshme, por kudo që të jenë çmimi do të jetë i unifikuar dhe do të ketë një kontroll më të lartë të cilësisë së barnave”, ka thënë ajo.

Por mëdyshje për të njëjtin projektligj ka shprehur deputeti i mazhorancës, Haxhiu Avdyli, i cili ka thënë se ai nuk i mbështet prodhuesit vendorë.

“Ky ligj ka një problem të vogël që ne duhet ta zgjidhim. Deri tani nuk kemi arritur që të zgjidhim dhe ta avancojmë një segment, i cili më bën skeptik se a duhet të votojmë sot projektligjin. Janë shumë elemente të mira të këtij projektligji, por kemi një mangësi që nuk jemi duke përkrahur prodhuesin vendor. Me anë të këtij, projektligji ne nuk jemi duke i bërë favor por jemi duke i bërë disfavor, nuk jemi duke bërë të barabartë me prodhuesit e rajonit, por jemi duke bërë disfavor. Me anë të këtij ligji mund të ndodh të mbyllet një fabrikë shumë prestigjioze që ka mbi 20 milionë euro investim”,  ka thënë Avdyli.

Kritik është shprehur edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili ka thënë se përmes Projektligjit për produktet medicinale, krijohet një hapësirë e madhe e manipulimit për çmimet e barnave, derisa ka shtuar se i njëjti është harmonizuar më shumë me kompanitë jashtë Kosovës.

“Ky ligj shihet se është harmonizuar më shumë me lobuesit e kompanive jashtë Kosovës sesa me vendorët. Dje në këtë sallë sa ishim në grup punues u vë në pah se në draftin e parë ishte i paraparë rregullimi edhe i përcaktimit të çmimit për prodhuesit vendor, që atyre t’iu lejohet e drejta si vend të origjinës të deklarojnë çmimin”, ka thënë ai.

Ndërsa deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se ky projektligj duhet të ndryshohet pasi nuk përkrahen prodhuesit vendorë.

“Prodhuesi vendor nuk është mbështetur sa duhet me këtë ligj dhe mendoj se i njëjti duhet të ketë në konsiderim këtë. Nuk pajtohet që ky ligj të aprovohet sot kësisoj dhe pastaj edhe një herë të marrin ne në dorë. Ligji duhet të jetë i mirë ose të kthehet ose të aprovohet”, ka thënë Dreshaj.

Krahas kësaj, komisioni ka miratuar raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit.

Mes tjerash në këtë raport është kërkuar edhe plotësim-ndryshimi i këtij projektligji, ku do të përfshihen edhe cigaret elektronike, po ashtu edhe përcaktimi i ambienteve të mbyllura dhe hapura.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çdo gjë është gati për Kampionatin Evropian për hendbollistet deri…