Projektligji për Qeverinë pritet të shkojë në Kuvend para pushimeve

17 maj 2019 | 16:22

Departamenti i programeve të Universitetit të Londrës me drejtim akademik nga London School of Economics and Political Science në Kolegjin Riinvest, ka mbajtur të premten debatin e parë “Talk the talk” ku është diskutuar për Projektligjin për Qeverinë.

Në këtë debat kanë marr pjesë koordinatori Nacional për Reformë Shtetërore, Besnik Tahiri, deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, Naim Jakaj, këshilltar i grupit parlamentar të PSD-së dhe Agron Demi nga Instituti GAP.

Përmes këtij projektligji kërkohet që të bëhet strukturimi apo kufizimi i numrit të ministrive, pastaj të rregullohen kuotat gjinore si dhe të shtohet llogaridhënia.

Agron Demi nga Instituti GAP, ka thënë se ka qenë obligim kushtetues që Kosova të ketë ligjin për Qeverinë që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

Ndërsa, koordinatori Nacional për Reformë Shtetërore, Besnik Tahiri, ka thënë se për këtë projektligj kanë marrë modele evropiane të vendeve që janë të ngjashme me Kosovën.

Duke shpalosur propozimet e grupit punues, Tahiri ka thënë se Projektligj për Qeverinë është i bazuar në standarde evropiane dhe adreson në masë të madhe funksionimin e ekzekutivit.

Sipas tij, me ligjin e ri Qeveria në dorëheqje nuk mund të marrë vendime siç ka bërë deri më tani, në lidhje me prokurim, rritje të pagave, etj.

Po ashtu, Tahiri ka thënë se do të propozojnë që funksionarët e lartë publikë të mbajnë vetëm një vend pune, ku do të saktësohen rastet për parandalimin e konfliktit të interesit, për kabinetet, për numrin e këshilltarëve për kryeministrin dhe ministrat.

Ai ka bërë me dije se Projektligji për Qeverinë pritet të shkojë në Kuvend para korrikut, në mënyrë që para se deputetët të shkojnë në pushim në muajin gusht, të kalojë ky projektligji në leximin e parë dhe të dytë dhe të hyjë në fuqi pas nëntë muajsh.

Në anën tjetër, këshilltari i grupit parlamentar të PSD-së, Naim Jakaj, ka thënë se presin që shumë çështje të rregullohen me ligjin e ri për Qeverinë, përfshirë transparencën dhe llogaridhënien për çdo shpenzim.

Jakaj ka thënë se duhet të shikohet edhe hapësira kushtetuese që asnjë ministër të mos mund të zëvendësohet pa lejen e Kuvendit./KosovaPress/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, sot…