Projektligji për UÇK-në dhe ai për pandeminë votohen të premten në Kuvend

04 gusht 2020 | 17:46

Të premten në orën 10:30, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të vazhdojë punimet me pikat e mbetura nga seancat e kaluara, përkatësisht votimin e propozimrezolutave dhe rekomandimeve, ndërsa në orën 11:00, do të mblidhet në seancë të re.

Kështu ka vendosur  të martën Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e mbajtur në mënyrë elektronike (virtuale), nën drejtimin e kryetares Vjosa Osmani dhe pjesëmarrje të kryetarëve të grupeve parlamentare.

Seanca e re do të fillojë me pikat e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, ndërsa më pas pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

Seanca do të vazhdojë me zgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësorë të Kosovës, zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e fakulteteve juridike të Republikës se Kosovës, zgjedhjen e Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, si dhe shqyrtimin e propozim-vendimit për caktimin e pagës së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të sekretariatit ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Po ashtu, deputetët pritet të shqyrtojnë edhe kërkesën e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë për miratimin e Buxhetit të këtij komisioni, si dhe atë të grupit parlamentar të Vetëvendosjes për zëvendësimin e anëtarëve në komisione parlamentare.

Në mbledhjen e së martës, Kryesia ka vendosur ta procedojë për mendim në qeveri Projektligjin për ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete, i hartuar nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes. /Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
05.08.2020 Punime të domosdoshme për siguri te sistemit Prishtinë 1.…